10 vjet pavarësi, Deda: Dekadë e humbur për Kosovën (Video)

Deputeti i Kuvendit të Kosovës nga partia Alternativa Ilir Deda, dekadën e parë të Kosovës si shtet i pavarur e ka vlerësuar si të humbur.

Deda, në një intervistë për Periskopin tha se dhjetëvjetori i parë i pavarësisë nuk është shfrytëzuar për zhvillim ekonomik dhe ndërtim të shtetit funksional.

“Ky dhjetëvjetor është një dekadë e mundësive të humbura për Kosovën. Ne nuk e kemi shfrytëzu përkrahjen e madhe të Perëndimit menjëherë pas shpalljes së pavarësisë, për zhvillim ekonomik dhe ndërtim të shtetit funksional me institucione funksionale”, tha Deda.

Ai tha se mes viteve 2008-2010 ka pasur interesim shumë të madh të kompanive të mëdha perëndimore për të investuar në Kosovë, që sipas tij, do të gjeneronin rreth 40 mijë vende pune.

“Ne nuk e kemi shfrytëzuar politikën e jashtme, në atë kohë, në përforëcim të shtetësisë sonë aq sa është dashur. Nuk e kemi projektu rolin tonë në rajon dhe kemi mbetë në shumicën e këtij dhjetëvitshi duke u marrë me dialog me Serbinë, duke i humbur edhe mundësitë që i kemi pasur për liberalizim vizash”, tha Deda.

Deda vlerësoi Kosova në këtë dhjetëvjetor është marrë më së shumti me veten dhe me qeveritë e dobëta që i ka prodhuar vet.

Sipas tij, të vetmet iniciativa që ia kanë “zbardhur fytyrën Kosovës”, janë ato në art, kulturë dhe sport. /Periskopi/

Më poshtë gjeni intervistën e plotë me Ilir Dedën

Lini Një Koment