A do e mbajë premtimin Basha: Kryetar me mandat 2 vjeçar! Çfarë pritet të ndodhë nesër në PD

Mendimet janë mbledhur që prej 22 marsit, por në prag të mbledhjes së kryesisë së Partisë Demokratike mohohet ekzistenca e një projekt-statuti unik.

Anëtarët e grupit të punës thonë se do të jetë kryesia e partisë, që aktualisht përfshin edhe kundërshtarë të zotit Basha, që do të vendosë linjën mbi të cilën do të shkruhet statuti i ri. Paraprakisht Sekretari i Përgjithshëm, Arben Ristani, që nuk u zgjodh dot deputet i Vlorës, zbulon vetëm një moment që e konsideron si risi dhe që shkon në përputhje me një zotim të kryetarit Basha.

“Pra, shtimi i elementëve statutor që çojnë në vendimmarrjen drejt bazës së Partisë Demokratike”, thotë Ristani.

Por askush nuk e konfirmon nëse do të përfshihet në statut edhe premtimi i kahershëm i Lulzim Bashës: “Ne do të shkurtojmë kohëzgjatjen e mandatit të kryetarit dhe të kryetarit në dy vite”, tha Basha në dhjetor të 2016-ës.

Me kërshëri pritet se cili do të jetë parashikimi statutor për kryetarin që humbet zgjedhjet. Dhe cilat zgjedhje, ato parlamentare apo lokale? Alternimi i këtyre bën që në Shqipëri të ketë zgjedhje çdo 2 vjet. Statuti aktual nuk parashikon dorëheqjen e kryetarit të partisë. Një parashikim gjendet në projekt-statutet e dy rrymave kritike. Njëra është e anëtarit të kryesisë Genti Malko:

1. Kryetari i PDSH në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare, por që ka rritje mund të rikandidojë me kushtin që të marrë 2/3-at e votave.

2. Në rast të humbjes së zgjedhjeve parlamentare dhe me rënie në rezultatin zgjedhor, nuk mund të rikandidojë.

Në këtë projekt kërkohet po ashtu votëbesim i Lulzim Bashës në Kuvendin Kombëtar, nisur nga kontestimi i procesit të rizgjedhjes së tij në korrik të vitit të kaluar. Në platformën e dy anëtarëve të Këshillit Kombëtar Edit Harxhi dhe Edvin Kulluri specifikohet domosdoshmëria e dorëheqjes.

Në rast se partia humbet në zgjedhjet parlamentare më shumë se në zgjedhjet parlamentare paraardhëse, atëherë kryetari i partisë jep dorëheqje të menjëhershme ose shkarkohet menjëherë nga Këshilli Kombëtar.

Dorëheqje ose shkarkim i menjëhershëm kërkohet edhe nëse kryetari humbet njëra pas tjetrës zgjedhje parlamentare dhe vendore dhe në asnjë rast i dorëhequri nuk ka të drejtë kandidimi. Drejtuesit demokratë besojnë për një Kuvend Kombëtar bashkimi gjithsesi.

“Do të jenë të ftuar, qoftë edhe nominalisht nënkryetari i partisë. Pra, do të jetë një kuvend i hapur me të gjitha mundësitë për këdo që kërkon të paraqesë mendimin e tij dhe për të qenë kandidatura për t’u votuar”, thotë Ristani.

Por bashkimi duket i largët kur lexon çfarë Astrit Patozi, u tha të premten të gjithë atyre që i quan “Dashnorët e Statutit”.

“Sepse “dashnorët” e statutit duhet ta dinë që askush prej nesh nuk e çon nëpër mend se kjo krizë dhe çarje e madhe në PD ka ardhur për shkak të librit të rregullave dhe as që mund të ndreqet vetëm prej tij.
Sepse Lulzim Basha dhe kushdo tjetër, që qëndron pas tij, siç shpërfilli dhe nuk e respektoi kurrë të vjetrin, ashtu mund të hedhë në kosh edhe të riun”, shkroi Patozi.

Prej muajsh jashtë Parlamentit dhe forumeve të partisë, secili prej ish-zyrtarëve të lartë demokratë, që u lanë jashtë listave për deputetë nga kryetari Basha, por sot jo aq solidarë edhe me vetë njëri-tjetrin, nuk preferojnë të jenë në një mbledhje që sipas tyre rrezikon të shndërrohet në show të kryetarin.

 

Lini Një Koment