A do të takohen sot Zaevi dhe Gruevski në gjykatë?

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Në Gjykatën Penale në Shkup sot duhet të mbahet seancë e procesit gjyqësor për rastin “Puç”, në të cilin në mesin e të akuzuarve janë lideri i LSDM-së Zoran Zaev dhe ish-shefi i Drejtorisë për Siguri dhe Kundërzbulim Zoran Verushevski. Ndërkaq, dëshmitar i vetëm në këtë rast është lideri i VMRO-DPMNE-së Nikolla Gruevski.
Zaev dhe Verushevski ngarkohen për spiunim, përgjim të paligjshëm dhe për dhunë ndaj përfaqësuesit e organeve më të larta shtetërore.

Rasti “Puç“, është njëri nga të parët që Prokuroria Speciale Publike (PSP), i ka marrë nën kompetencat e saj, por seancat me të cilat zyrtarisht do të duhej të fillojë gjykimi deri më tani, disa herë janë anuluar, shkruan Portalb.

Seanca paraprake u mbajt më 16 shtator, por e njëjta u anulua pasi që nuk ka qenë i pranishëm njëri nga gjykatësit porotë.

Në seancë u paraqitën Zaev dhe Verushevski në shoqërim të avokatëve.

“Kjo që ndodhi në gjykatë është turp. Si pretekst për anulimin merret mungesa e një gjykatësi porotë, edhe pse ligjërisht i njëjti mund të zëvendësohet. Në fakt, arsyeja kryesore për anulimin është mosprezenca e dëshmitarit Nikolla Gruevski, të cilin gjykata nuk e ka ftuar. Sot edhe një herë u vërtetua se gjykata është e instrumentalizuar dhe nën kontrollin e politikës”, deklaroi Zaev.

Për anulimin e seancës ka reaguar edhe prokurorja speciale Katica Janeva.

“Gjykata nuk e ka ftuar dëshmitarin Nikolla Gruevski, sepse ka konsideruar se në këtë seancë gjyqësore nuk ka nevojë për prezencë të dëshmitarit”, tha Janeva.

Sipas saj, periudha prej 1 muaj e gjysmë, për kur është caktuar seanca e radhës, është shumë e gjatë dhe nuk është në rregull për këtë lëndë të rëndësishme ta anulohet për aq shumë kohë.

Lini Një Koment