A ka mbetur ndonjë rrugë për të tentuar shfuqizimin e Gjykatës Speciale?

Më 15 janar, të hënën përfundon pushimi dimëror i Kuvendit të Kosovës. Po këtë ditë, do të mblidhet edhe Kryesia e Kuvendit për të caktuar seancën e radhës, e cila pritet të mbahet gjatë javës së ardhshme.

Burime të Periskopit tregojnë se çështja e shfuqizimit të Gjykatës speciale nuk do të jetë në rend të ditë për seancën që pritet të mbahet brenda javës.

Kjo çështje duket se tashmë është një iniciativë e vdekur. Kjo pasiqë, deputetët të cilët e nënshkruan kërkesën për shfuqizimin e Speciales, kanë kërkuar që kjo seancë të mbahej më 22 dhjetor të vitit të kaluar.

Njohës të çështjeve legjislative, i kanë thënë Periskopit, se tashnë kjo proceduralisht është çështje e mbyllur, pasiqë nënshkrimet që janë dhënë nga deputetët për këtë nismë, kanë vlejtur vetëm për atë ditë, pra më 22 dhjetor.

Rrjedhimisht, sipas kësaj, për ta rikthyer në Kuvend, duhen sërish nënshkrimet e deputetëve.

Sipas reagimeve të ashpra, jo vetëm të opinionit publik në Kosovë, por edhe të ambasadave të huaja por edhe instancave më të larta ndërkombëtare, përfshirë Bashkimin Europian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, do të jetë vështirë që deputetët sërish të hedhin firmën e tyre për një kërkesë të tillë.

Por, ajo që e lë mbi tavolinë mundësinë e shfuqizimit të Gjykatës Speciale, është në duart e Qeverisqë Haradinaj, e cila mund të sjellë një projektligj ku do të kërkohet modifikimi i Ligjit për Specialën.

Ajo që kryeministri Ramush Haradinaj, ka deklaruar publikisht është vendosja dhe funksionimi i Speciales në Kosovë.

Mirëpo, edhe kjo salto e Haradinajt dhe Presidentit Thaçi, pothuajse do të jetë e pamundur, ngase për një ndryshim të tillë, do të duhen 2/3 e deputetëve të Kuvendit të Kosovës, përfshirë minoritetet.

Ndryshe, që nga tendenca e parë për shfuqizimin e Speciales në ‘natën dramatike’ të 22 dhjetorit, pothuajse nuk ka kaluar asnjë ditë, kur ka pasur reagime, të cilat kryesisht kanë qenë kundërshtime për një tentativë të tillë.

Vetëm gjatë javës së fundit, kanë ardhur reagime nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës por edhe Bashkimi Evropian, thirrje e të cilëve është e qartë: se Kosova ‘nuk duhet të tentojë ta bëjë një gjë të tillë”, me arsyetimin se ‘kjo do të lëndonte rëndë marrëdhëniet e Kosovës me shtetet perëndimore’.

Ishte edhe shkrimi i kryetarit të PDK’së dhe kryeparlamentarit Kadri Veseli, i cili, duke komentuar ‘dramën e Gjykatës Speciale’, përvec që hodhi akuza ndaj partive opozitare në Kosovë, Lidhjes Demokratike të Kosovës dhe Lëvzijes Vetëvendosje, konstatoi se ‘megjithatë, Gjykata Speciale do të ndodh’.

Derisa kanë mbetur pak ditë, kur pritet të rifillojë puna e Kuvendit të Kosovës, Zyra e Bashkimit Evropian në Kosovë, ka lëshuar një deklaratë për media ku shpreh shqetësimin për iniciativën e deputetëve për shfuqizimin e Ligjit për Gjykatën Speciale.

“Çdo përpjekje për të shfuqizuar ose ndryshuar mandatin e Dhomave të Specializuara dëmton seriozisht një angazhim të tillë dhe do të rrezikonte punën e përbashkët të BE-së dhe Kosovës për sundimin e ligjit të bërë vitet e fundit. Kjo do të ndikonte negativisht në marrëdhëniet e Kosovës me BE-në. BE-ja, pra, kërkon që krijuesit e nismës së Parlamentit ta tërheqin atë. Ajo mirëpret deklaratat e fundit publike nga udhëheqësit politikë në mbështetje të respektimit të detyrimeve të Kosovës. BE përgëzon mediat dhe shoqërinë civile për ngritjen e zërit të tyre kundër kësaj iniciative të dëmshme”, thuhet në komunikatën e Zyrës së BE-së në Kosovë.

Shtetet e Bashkuara të Amerikës i kanë bërë thirrje sërish palës kosovare që të heqë dorë përfundimisht nga ideja për shfuqizimin e Gjykatës Speciale.

Para dy ditësh në Kosovë ka ardhur edhe një delegacion franko-gjerman pas shqetësimeve për shfuqizimin e Dhomave të Specializuara. Mirëpo, ndonëse ky delegacion ka zhvilluar vizita me krerët institucionalë (kryeministrin Ramush Haradinajn e presidentin Hashim Thaçin) institucionet përkatëse nuk kanë dhënë detaje se për çka është diskutuar.

Ndërkohë, pos krerëve institucionalë, gjatë ditës së djeshme takim me këtë delegacion kanë zhvilluar edhe dy partitë opozitare, LDK-ja e LVV-ja.

Përderisa LDK-ja ka njoftuar se gjatë takimit me këtë delegacion emisarët kanë shprehur brengosjen e thellë të Berlinit dhe të Parisit për idenë e shfuqizimit të Speciales, nga LVV-ja kanë thënë se atyre u janë përcjellë qëndrimet e këtij subjekti mbi padrejtësinë e kësaj Gjykate./Periskopi/

Lini Një Koment