Albin Tahiri: Jam shumë krenar, Kosova ka edhe atletë tjerë me potencial

Sportisti i parë që e përfaqëson Kosovën në një olimpiadë të Lojërave Olimpike Dimërore, skitari Albin Tahiri, ka thënë se ndihet krenar që përfaqëson shtetin e tij në këto lojëra.

Në një prononcim për Periskopin nga Pyeongchang, Tahiri thotë se do të dëshironte që në Korenë Jugore, ku po mbahen Lojërat Olimpike Dimërore, të kishte edhe atletë nga Kosova.

“Jam shumë krenar që e përfaqësoj shtetin tim dhe që po shkruaj historinë në Lojërat Olimpike Dimërore. Shpresoj gjithashtu se qytetarët e Kosovës mburren për pjesëmarrjen e parë këtu”, tha ai.

Tahiri thotë se ndihet edhe nën presion, për shkak se është pjesëmarrje e parë për Kosovën në këto lojëra.

“Natyrisht se ndihem pak nën presion”, tha Tahiri.

Ai thotë se atletët e Kosovës kanë potencial të madh, duke kërkuar kushte më të mira për ta.

“Do të doja që këtu të kishte edhe të tjerë atletë nga Kosova. Besoj se në Kosovë disa atletë kanë potencial dhe shpresoj se do t’i shoh si pjesëmarrës në Lojërat Olimpike Dimërore vitin e ardhshëm. Atyre duhet t’u sigurohen kushte më të mira”, tha Tahiri për Periskopin.

Skitari kosovar, Albin Tahiri, do të garojë në të gjitha disiplinat alpine olimpike.

Për ta përcjell atë dhe ekipin olimpik kosovar, në Korenë Jugore ishte edhe Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi. /Periskopi/

Lini Një Koment