“Baba i tenderëve” rekrutohet fshehurazi në Ministrinë e Infrastrukturës

E quajtën “Baba të tenderëve”, si i akuzuar për keqpërdorime në këtë fushë, por Nexhat Krasniqi kthehet në vendin e tij të punës si shef i Prokurimit në Ministri të Infrastrukturës.

Ai ishte larguar nga kjo pozitë vite më parë për shkak të dyshimeve dhe aktakuzës se kishte përfituar para nga shumica e tenderëve të dhënë nga kjo ministri, raporton KTV.

Madje, largimi i tij ishte bërë me një urdhër ndalimi për hyrje në objektin e MI-së, pasi kishte vazhduar funksionin edhe pas shumë muajsh suspendimi.

Megjithëse u lirua nga kjo akuzë, mbi Krasniqin rëndon dënimi me kusht prej 1.8 muajsh burgim, i vërtetuar në të gjitha shkallët e gjykatave, duke përfshirë edhe Kushtetuesen, sa ai ishte shef i prokurimit në Ministrinë e Tregtisë dhe Industrisë.

Por, nuk dihet se si ka kaluar Krasniqi nga pozita e drejtorit të Departamentit Koordinues të Këshillit për Komunikacion Rrugor, ku ishte emëruar nga sekretari Nebih Shatri në tetorin e kaluar, në atë të shefit të prokurimit.

Bazuar në proceset e tenderimit që ka hapur Ministria e Infrastrukturës gjatë këtij muaji, Krasniqi del të jetë shef i prokurimit të saj.

Madje për këtë i është nënshtruar testit të ricertifikimit për procese të prokurimit më 13 shkurt të këtij viti.

Komisioni Rregullativ i Prokurimit Publik e pranon se Krasniqi së shpejti do të pajiset me certifikatën profesionale për prokurim, por thotë se nuk është detyrë e tyre konfirmimi i të dhënave nëse ai kishte abuzuar me pozitën zyrtare në të kaluarën.

Sipas KRPP-së, aplikacioni i Krasniqit ka ardhur i kompletuar nga Zyra e Autoritetit Kontraktues të Ministrisë së Infrastrukturës.

Por kabineti i ministrit Pal Lekaj e heq përgjegjësinë nga vetja.

Argjend Zenaj, këshilltar i ministrit, i ka thënë KTV-së se mënyra e rekrutimit të stafit civil është ekskluzivisht e drejtë e Sekretarit të Përgjithshëm të Ministrisë dhe se përgjigjet për rekrutimin e Krasniqit në prokurimin e MI-së duhet dhënë ai.

Kohavisioni ka provuar të flasë me ushtruesin e detyrës së sekretarit të Ministrisë së Infrastrukturës, Nehbi Shatrin, por ai ka qenë i paqasshëm.

Në zyrën e tij kanë thënë se ai nuk gjendet në ministri, derisa nuk është përgjigjur as në pyetjet e dërguara përmes postës elektronike.

Për shoqërinë civile, ky fakt tregon ndikimin e grupeve politike të interesit që të vënë njerëz të tyre në prokurim të ministrisë.

Sipas Ligjit për Shërbyesit Civilë, çdo zyrtar në pozitë të lartë drejtuese iu nënshtrohet masave disiplinore nëse është i dënuar për vepër penale me gjashtë ose më shumë muaj burgim.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme