Çfarë fshihet pas tre grupeve kriminale në Elbasan, aktivitetin e vijojnë, do u nxihet jeta?

Ministri i Brendshëm Fatmir Xhafaj zgjodhi Elbasanin për të përmendur se nisma “Forca e Ligjit” po funksionon më së miri dhe grupeve kriminale do u nxihet jeta nga policia. Po pse pikërisht në Elbasan?

Është qyteti ku të paktën tre grupe të strukturuara kriminale përveçse janë në konflikt mes tyre, kanë sfiduar hapur edhe policinë.

Kjo e fundit në shumë raste i ka pasur duart e lidhura, pasi grupet kriminale nuk janë “banda lagjesh”, por të strukturuara mirë që punojnë me kupolë drejtuese brenda tyre dhe kanë lidhje të forta edhe politike.

“Shteti është shumë më i fortë se çdo lloj krimi, për secilin nga këta duhet të jetë shumë e qartë se policia do ua nxijë jetën në mënyrë që veprimtaria e tyre kriminale të mund të përballet me drejtësinë.

Veprimtaria e tyre kriminale të ndëshkohet në formën e saj më të arshpër sepse krijojnë shqetësime për sigurinë rendin dhe jetën e qytetarëve, ekonominë e pasurinë.

Dhe këtu jemi në një betejë pa kompromis. Jemi të vendosur ti shkojmë deri në fund me çfarëdo lloj sakrifice që mund të përballemi sepse jemi të bindur se po bëjmë detyrën që na ngarkon Kushtetuta e Ligji”,- deklaroi Xhafaj.

Dy nga këta grupe janë përqëndruar kryesisht në qendër të qytetit dhe kanë thuajse çdo aktivitet privat të madh që zhvillohet në këtë zonë.

Një tjetër grup i strukturuar, vepron në periferi, por që “punon” në llogari të saj, duke mbajtur lidhje miqësore më një nga grupet që vepron në qytet.

Burime konfidenciale pranë strukturave të rendit shprehen se kanë grumbulluar materiale të dobishme prej më shumë se dy muajsh, por ende nuk janë në fazën për të kryer ndërhyrjen.

Pritet që edhe pas mësymjes në pranga të përfundojnë “ushtarët e vegjël” të këtyre tre grupeve. Mësohet se drejtuesit e tyre janë larguar prej disa kohësh jashtë vendit dhe më shumë se për t’i shpëtuar policisë, po qëndrojnë në “arrati të përkohëshme”,- si një masë për tu ruajtuar nga grupi rival.

Gjithashtu ka të dhëna që ata vijojnë të ushtrojnë veprimtari të paligjshme, kryesisht në trafikimin e lëndëve narkotike jashtë vendit, ku janë të përqëndruar veçanërisht në Itali dhe Holandë.

Nga ana tjetër, për të tre këto grupe ka nisur prej katër muajsh një hetim pasuror ku në listë janë rreth 70 persona. Deri më tani janë siguruar të dhëna në rrugë zyrtare përsa i përket pronave të regjistruara në Hipotekë, dokumente të Zyrës së Tatimeve dhe të dhëna të tjera nga qendra e regjistrimit të biznesit.

Është fakt se më shumë se gjysma e biznesit të rëndësishëm që ka aktivitet në këtë zonë, zotërohet nga tre grupet kriminale. Pasuritë janë kryesisht në objekte shërbimi, pika karburanti, servise, kompani transporti dhe  tregjet e shitjes më shumicë e pakicë. 

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme