Clinton kërkon që Trumpi t’i zbulojë lidhjet me Rusinë

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Kandidatja demokrate për presidente amerikane, Hillary Clinton, thotë se Donald Trump duhet t’i zbulojë lidhjet që ai mund t’i ketë me Kremlinin ose me “bashkëpunëtorët” e tij, duke sugjeruar se ato mund të jenë të ndërlidhura me atë që shërbimet e inteligjencës së Shteteve të Bashkuara e kanë quajtur ndërhyrje ruse në zgjedhjet amerikane.

Në përpjekjen e saj më të re për ta paraqitur rivalin e saj si zgjedhje e presidencës së Rusisë për Shtëpinë e Bardhë, zonja Clinton i tha turmës në shtetin Ohajo – ku demokratët dhe republikanët pothuajse kanë mbështetje të barabartë – se presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, po “përpiqet që Donald Trump të jetë i zgjedhur”.

Ajo është shprehur se ka dyshime se Kremlini ka urdhëruar sulme kibernetike kundër caqeve të Shteteve të Bashkuara, për ta ndihmuar Trumpin, duke sugjeruar se mund të jetë i motivuar nga ajo që Clinton e ka quajtur “politika pro Kremlinit” të Trumpit ose “ndoshta për shkak të marrëdhënieve të gjëra biznesore me oligarkët rusë që kanë lidhje me Putinin”.

Kandidatja demokrate për presidente nuk ka specifikuar se kush janë “oligarkët rusë”, të cilëve ajo u referohej.

Clinton e përkujtoi të kaluarën e presidentit të Rusisë, Vladimir Putin.

“Putin është oficer i stërvitur i KGB-së së vjetër. Ai e din se si mund të përdorë lajka që Donaldin ta bëjë kukull të Kremlinit. Dhe duket se kjo po funksionon. Donaldi ka sinjalizuar te Putini, se ai do ta lejojë Rusinë të bëjë çka të dëshirojë, prej Ukrainës deri te Siria, e mëtutje”, tha mbrëmë Hillary Clinton, para mbështetësve të saj në Kent të Ohajos.

Zoti Trump në mënyrë të përsëritur i ka hedhur poshtë akuzat e zonjës Clinton se Kremlini e sheh atë si “kukull” potenciale.

Moska, po ashtu, i ka hedhur poshtë akuzat se po përpiqet të ndikojë në zgjedhje dhe e ka akuzuar Hillary Clintonin për nxitje të “histerisë” anti-ruse në fushatën e saj.

A ka Trumpi lidhje biznesore me Rusinë?

Megjithatë, mbetet e paqartë nëse ekziston çfarëdo marrëveshje biznesore e Donald Trumpit me Rusinë.

Ai e ka shkelur protokollin e zgjedhjeve presidenciale amerikane, pasi për shumë vite të kaluara nuk e ka publikuar deklaratën tatimore të tij, duke e cituar një audit nga Shërbimi i Brendshëm i të Ardhurave.

Në muajin korrik, në rrjetin Twitter, ai ka shkruar se ka “investime zero” në Rusi.

Lidhur me çështjen e taksave të Trumpit, rivalja e tij, Hillary Clinton, ka theksuar:

“Prej se Donaldi nuk dëshiron ta publikojë deklaratën tatimore të tij, ne nuk e dijmë shtrirjen e plotë të marrëdhënieve të tij biznesore në Rusi. Por, ajo për të cilën ne kemi njohuri është shqetësuese. Ne kemi të bëjmë me diçka të paprecedent në historinë e vendit tonë. Një armik i jashtëm (Rusia) përpiqet të ndikojë në zgjedhjet tona presidenciale. Kjo duhet ta frikësojë çdokend: demokratët, republikanët dhe të pavarurit”, tha Hillary Clinton.

Zoti Trump ka bërë biznes me personin, Aras Agalarov, një pasanaik nga Azerbajxhani, i lindur në Rusi, i cili në vitin 2013 garën për bukuroshe “Miss Universe” të zotit Trump e kishte sjellur në Moskë. Agalarov ka deklaruar se do të dëshironte ta shihte zotin Putin duke e udhëhequr Rusinë gjatë “gjithë jetës”.

Trump e kritikon Clintonin për emaila

Gjatë një fushate mbrëmë vonë në Miçigen, kandidati presidencial republikan, Donald Trump, e ka kritikuar zonjën Clinton, lidhur me çështjen e emailave.

“Ne do të ballafaqohemi me mundësi të krizës kushtetuese me shumë dimensione dhe pasoja të dëmshme, nëse sekretarja Clinton fiton në këto zgjedhje. Me fjalë të tjera, ne do të jemi të lidhur në gjykatë gjatë gjithë jetës sonë për këtë çështje. Ajo nuk do t’i fitojë zgjedhjet, por unë vetëm po them”, tha Donald Trump.

Çështja e emailave është shqetësuese për zonjën Clinton, por ajo vazhdon të udhëheq në pjesën më të madhe të hulumtimit të opinioneve në përmasa kombëtare.

Javën e kaluar, presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, i ka përgënjeshtruar akuzat se ai po përpiqet të anojë në zgjedhjet amerikane në favor të Trumpit.

Gjatë takimit me një grup të akademikëve të jashtëm, Putin tha se Trump po sillet në mënyrë “ekstravagante” gjatë fushatës, pasi ai i përfaqëson votuesit e zakonshëm dhe dëshiron që tek ata ta dërgojë mesazhin e tij.

“Ai ka zgjedhur metodën për të arritur te zemrat e votuesve”, tha Putin.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme