“Damasku në ekzil” ringjall artin sirian

E hënë, 31 Tetor 2016 – Sakte.net

Në “Rosa-Luxemburg Strasse” në Berlin, “Goethe Institut” ka krijuar një hapësirë të shkëmbimeve kulturore që quhet “Damasku në ekzil”, ku artistët gjermanë e ata sirianë kanë mundësi të takohen për dy javë rresht.

“Nëpërmjet ‘The Goethe Institute’ jam njohur me kulturën gjermane”, ka thënë Rania Mleihi. Në këtë qendër regjisorja ka mësuar gjermanisht, ka takuar artistë gjermanë, ka parë filma gjermanë dhe ka lexuar libra në këtë gjuhë.

“Ju jeni me kohën, jeni duke shkuar përpara”, thekson ajo, duke shtuar se me të vërtetë ka rënë në dashuri me Gjermaninë. ”Historia, letërsia, arti dhe mënyra e veshjes, të gjitha këto për mua janë kulturë gjermane”, ka thënë ajo, transmeton sot “Koha Ditore” shkrimin e DW.

Mleihi (33) ish-regjisorja dhe producentja e Teatrit Kombëtar të Sirisë në Damask, tash kryeson një platformë për artistët në ekzil, “Ansamblin e kufijve të hapur” në teatrin “Kammerspiele” në Munich.

Rania Mleihi, grupi i së cilës së fundmi ka inskenuar një shfaqje refugjatësh të nobelistit austriak Elfriede Jelinek, ka thënë se tashmë ka arritur të integrohet plotësisht në Gjermani. Është edhe një tjetër refugjate të cilën njerëzit e marrin si model.

Zoya Massud është një arkitekte e re siriane, pjesëmarrëse në projektin “Multaqa”, që është një iniciativë e trajnimit të refugjatëve sirianë e irakianë të cilët mund t’i shoqërojnë në muze vizitorët që flasin gjuhën arabe. Ajo ka rënë në dashuri me këtë projekt.

“Të jesh refugjate nuk është stigmë”, argumenton e reja me flokë të gjatë e sy të zinj. Ajo shpjegon se refugjatët vijnë nga vende të ndryshme dhe kanë të kaluar shumëdimensionale, duke sjellë me vete shumë eksperienca. “Nuk janë njerëz që thjesht e kanë lënë vendin e tyre. Ata kanë diçka që mund ta ofrojnë dhe të kontribuojnë në shoqërinë gjermane. Është situatë ku të dyja palët janë përfituese”, ka thënë Zoya Massud.

“Është dialog midis artistëve sirianë dhe atyre gjermanë”, ka thënë Johannes Ebert, kreu i “Goethe Institut”. Ai ka kaluar një vit në kryeqytetin sirian dhe më pas ka shërbyer si drejtor i “Goethe Institut” në Kajro të Egjiptit. Në vitin 2012, dega e këtij instituti në Damask është mbyllur sherri i pasigurisë për punonjësit. Katër vjet më vonë përmes projektit “Damasku në ekzil” çon përpara kuriozitetet si: aventurat, ku janë surprizë brenda dhomës që nuk ka asgjë tjetër pos librave me fotografi të Arabisë, një skenë të vogël, zmadhues zëri dhe një mikrofon. Por për dallim nga Siria, programi me debate, filma e orë leximi nuk ka nevojë të aprovohet nga Ministria e Kulturës. Arti sirian është duke jetuar. Diana el Jeiroudi është krenare që dy prej filmave të saj janë të përfshirë në programin berlinez. Aty është edhe bashkëprodhimi gjermano-sirian, “Return to Homs”. Dokumentari i vitit 2013 për “Sirianin që sfidon gjithçka dhe gjithkënd” përderisa kërkon lirinë ishte dhënë premierë në “Sundance Film Festival” dhe fitoi Çmimin e jurisë. Kineastja 39- vjeçare që ka krijuar festivalin e dokumentarëve “DOX BOX” në Damask në vitin 2007, në tre vjetët e fundit ka jetuar në Berlin.

“Ne duhej të iknim pasi lufta civile nisi të acarohej”, ka thënë ajo. Ka thënë se mund të vazhdojë të punojë në profesionin e saj në Gjermani deri në ditën kur vendit të saj do t’i kthehet paqja.

Sipas Muriel Asseburg, eksperte në Institutin gjerman për siguri ndërkombëtare, Siria në një kohë ka pasur skenë të gjallë kulturore. Argumenton se edhe tash ajo ende vazhdon të jetë e tillë qoftë në Siri apo jashtë saj. Vendi është i rrënuar, por kultura e tij jo.

“Revolucioni ka bërë që të shpërthejë edhe kreativiteti”, shpjegon ajo tek radhit shumë gjëra në mes të cilave edhe një kukull që portretizon presidentin Bashar al-Assad, dhe posterët me shumë ngjyra që përdoren gjatë protestave. Ajo thotë se “kultura nuk është rrugë njëdrejtimëshe”. Asseburg dhe Rania Mleihi janë të kënaqura me projektin “Damasku në ekzil”, që u dedikohet më shumë shkëmbimeve kulturore sesa integrimit të azilantëve. Për këtë pajtohen edhe analistët politikë e regjisorja. “Ne ndërtojmë ura. Secili që vjen bën një hap përpara dhe ne takohemi ballë për ballë”, ka thënë Rania Mleihi.

Lini Një Koment