Del në ankand limuzina e Adolf Hitlerit (Foto)

Më 17 janar do të shitet në ankand në SHBA një nga limuzinat e Adolf Hitlerit, me të cilat ai shfaqej në parada.

Në shtetin amerikan të Arizonës ofrohet në ankand limuzina e Hitlerit, e prodhuar në firmën Daimler-Benz në Sindelfingen në periudhën 1938 – 1939. Fakti që automjeti që Hitleri përdorte në parada ofrohet tani për shitje në gjendje shumë të mirë, konsiderohet vërtet si një sensacion – dhe për këtë shitje në ankand po diskutohet po aq shumë sa edhe për gjërat e tjera që lidhen me diktatorin gjerman.
Historia e automjetit me targën 1A 148461 është dokumentuar në mënyrë të përpiktë. Shoferi i Hitlerit, SS-Obershturmbanfyhreri Erich Kempka, është kujdesur personalisht për porositjen e makinës, e cila u dorëzua në fund të korrikut 1939, pak para fillimit të luftës.

Një automjet superlativ

Baza për limuzinën e fyhrerit ishte modeli 770 K “Mercedes i Madh”. Automjeti qe gjashtë metra i gjatë dhe ofronte vend për deri në tetë vetë. Ai kishte një motor me tetë cilindra. Makinës së Hitlerit iu shtuan një sërë elementesh sigurie. Sipas dokumenteve dritaret përbëheshin prej xhami antiplumb 40 mm të trashë, karroceria ishte prej çeliku të blinduar 18 milimetrësh.Për shkak të blindimit pesha e makinës qe pothuajse pesë ton, dhe ajo harxhonte 38 litra për 100 kilometra, gjë që sot duket e pabesueshme. Me një kapacitet prej 300 litrash, ajo mund të përshkonte megjithatë me një mbushje distanca të gjata.

Ndryshime pronarësh

Hitleri e përdori Mercedesin si makinë kryesore për paradat, si ajo në vitin 1940, kur u festua fitorja mbi Francën, ose gjatë vizitës së diktatorit italian Benito Musolini, kur të dy u shfaqën krah për krah nëpër rrugët e Mynihut. Mercedes i Hitlerit ishte një simbol propagandistik i nazistëve dhe prandaj është i pranishëm në shumë filma dhe foto bashkëkohore.

Por kur fati i luftës së Hitlerit mori fund, më së voni në vitin 1942, nuk u zhvilluan më parada me makina. Në përfundim të luftës limuzina u sekuestrua nga forcat amerikane në Francë, por ushtarët nuk dinin asgjë për pronarin e asaj makine. Pas luftës makina qe shkurtimisht pronë e një belgu, më pas u shit në SHBA, ku ndryshoi disa herë pronarët e pastaj u kthye prapë në Evropë. Shoqëria e ankandit nuk e ka bërë publike se cili është për momentin i zoti i makinës.
Dhjetë për qind e të ardhurave nga shitja e makinës së Hitlerit do të rrjedhin në projekte për historinë e nazizimit dhe të holokaustit./DW
  

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme