Demi: Më mirë të paguajmë dëmin e prishjes së kontratës për “Kosovën e Re” se tarifat më të larta të rrymës

Agron Demi nga instituti GAP thotë se termocentrali Kosova e Re do të rëndojë shumë xhepin e qytetarëve dhe bizneseve, pasi, sipas një analize të këtij instituti, çmimi pritet të rritet për 44 për qind në krahasim me çmimin aktual.

Në “Express Intervistë” në KTV, ai ka thënë se më mirë do të ishte që qeveria e Kosovës të prishte kontratën me “Contour Global” dhe të paguante dëmin e paraparë prej 19 milionë eurosh për dëmtim, sesa që qytetarët të përballeshin me tarifat e larta të rrymës.

“Sikur të publikohej më herët kontrata, sigurisht ne qytetarët do të interesoheshim më herët e nuk do të lejonim të përmbyllej kjo kontratë e dëmshme. E dimë që nëse nuk respektohet kontrata, dëmshpërblimi i parë do të ishte 19 milionë euro. Ne ndoshta do të dalim me rekomandim që më mirë do të ishte të paguhej ky kompensim, sesa përballja me tarifat e larta”, është shprehur Demi.

Sipas tij, më së shumti do të vuajnë familjet që jetojnë nën kufirin e varfërisë.

Demi: Nga planet për punësim të 10 mijë punëtorëve, “Kosova e Re” mund të ndikojë në largim të punëtorëve

Sipas Demit, përpos ndikimit në rritjen e çmimit, ndërtimi i atij termocentrali, sipas kontratës aktuale, mund të çojë edhe në humbjen e vendeve të punës.

Ai thotë se rritja e çmimit mund të bëjë që bizneset të largojnë punëtorët e tyre për shkak se nuk arrijnë të mbulojnë shpenzimet për fatura.

“Projekti që po thuhet se do të punësojë 10 mijë punëtorë, mund të përfundojë në projekt që sjell më pak punësim e madje edhe largim të punëtorëve”, ka thënë Demi. “Nga një projekt që po thotë qeveria se do të ndikojë në të mirën ekonomike te qytetarët dhe bizneset, do të bëjë të kundërtën. Kemi marrë shembull Sharcemin dhe Feronikelin. Për to do të rritet automatikisht çmimi i energjisë dhe do të çojë në largim të punëtorëve, ose në mbyllje totale. Kësisoj krejt ekonomia do të përballet me vështirësi më të mëdha”.

Lini Një Koment