Drecun: Para Serbisë janë ditë të vështira

Gazeta e Beogradit “veçernje novosti” edhe sot vazhdon të merret me atë që ajo e quan “pako e re për Kosovën” e që vjen nga SHBA-ja, transmeton Koha.net.

Kjo pako, sipas kësaj gazete, do të mund të gjendet para zyrtarëve serbë të mërkurën, kur në Beograd do të jetë Wess Mitchell, emisar i Trumpit dhe ajo do ta vërë në një pozitë shumë delikate kryetarin e Serbisë Aleksandar Vuçiq: Si të lëvizë nga “pika e vdekjes” zgjidhja e çështjes së Kosovës e të evitohet gracka e fshehtë potenciale e Washingtonit para zgjidhjes SHBA-ja ose Rusia.

Kështu e kanë komentuar bashkëbisedues të kësaj gazete tekstin e punës të administratës së Trumpit në katër pika: Që Asociacioni i Komunave Serbe të marrë kompetenca të gjëra ekzekutive, të jetë institucionalisht i lidhur me zëvendëskryeministrin (që duhet të jetë serb), që Beogradi të mundësojë anëtarësimin e Prishtinës në organizatat ndërkombëtare dhe që për kompensim Serbia t’i ketë dyert e hapura për në BE dhe ndihmën ekonomike dhe politike të SHBA-së në skenën ndërkombëtare.

Milovan Drecun, kryetar i Këshillit për Kosovën në Kuvendin e Serbisë, ka thënë për këtë gazetë se në dokumentin amerikan Serbisë nuk i ofrohet asgjë e re dhe asgjë konkrete dhe se prapa tij fshihet përpjekja që të ajo të përcaktohet për njërën palë në luftën gjeopolitike ndërmjet SHBA-së e Rusisë.

“Para Serbisë janë ditë të vështira. Ne e kemi rrugën tonë drejt BE-së, por kjo nuk do të thotë se do të heqim dorë nga Kosova. Më duket se Washingtoni tash kërkon që ne të pranojmë që Prishtina të hyjë në OKB e si kompensim të mos ofrojë asgjë. Po ashtu edhe oferta me kompetenca të zgjeruara ekzekutive të AKS-së nuk është gjë e re, sepse ajo është paraparë me marrëveshjen që është nënshkruar para pesë vjetësh e Prishtina po e bllokon zbatimin e saj. Qasje shumë më serioze do të ishte sikur Amerika përfundimisht ta shtynte Prishtinën të ulet në tryezë dhe të fillojë me formimin e AKS-së”, ka thënë Drecun.

Për analistin nga Serbia Dragomir Angjelkoviq është i papranueshëm propozimi që Serbia ta zhbllokojë anëtarësimin e Kosovës në OKB. Kjo, sepse siç thotë ai, Serbia me heqje dorë nga Kosova nuk ka pse të anëtarësohet në një organizëm politik i cili edhe mund të mos ekzistojë.

Lini Një Koment