Elita e shoqërisë së mosdijes

Qarku vicioz i një qeverisjeje: fëmijët kosovarë nuk kuptojnë atë që lexojnë e elita intelektuale nuk kupton atë që shkruan

1.

Veton Surroi është racist, sepse thotë se ekzistojnë racat, ani pse ato nuk ekzistojnë, por Drenica është racë, sepse ai është racist. Njërit prej kësaj race i shkroi: “A e keni të lindur apo të mësuar paaftësinë e të folurit mirë shqip”. Ndërkohë raca e Drenicës dhe Vetoni kanë një gjë të përbashkët: Enver Hoxha dhe Tito i shtyri të flasin e të shkruajnë gjuhën letrare, andaj raca e Drenicës nuk di të flasë mirë, ndërsa Vetoni shkruan libra që nuk shiten.

Kështu thotë, në formë të përmbledhur, një shkrim i dr.Blerim Latifit, profesor i filozofisë dhe ish- këshilltar i kryetarit të PDK-së, Kadri Veseli. Një përmbledhje e këtillë nuk më hyn në punë për të këmbyer mendime apo për të polemizuar; do të ishte e kotë përpëlitja me një thes të pafund paragjykimesh. Por një përmbledhje e këtillë më hyn në punë për ta identifikuar një periudhë politike. Blerim Latifi është profesor i filozofisë në UP dhe ish-këshilltar politik i kryetarit të PDK-së, dhe si i këtillë përfaqëson një gjeneratë të re intelektuale e lidhur me pushtetin e PDK-së. Në fakt, ai përfaqëson ajkën intelektuale të PDK-së dhe si i këtillë në perspektivën historike krahasuese të Kosovës do të ishte për Kosovën e pushtetit të PDK-së atë që, për shembull, ishin Gazmend Zajmi, Rexhep Qosja apo Fehmi Agani për Kosovën e autonomisë shtetndërtuese të viteve gjashtëdhjetë e shtatëdhjetë të shekullit të kaluar.

Nëse elita intelektuale e pushtetit të PDK-së përfytyrohet kështu, atëherë mund të mbërrij kësi përfundimi: në shtetin e kapur nga një organizatë që merret edhe me politikë, ku për shkak të sistemit klientelist që përjashton konkurrencën dhe tregun e lirë të punës nuk ekziston as konkurrenca në arsim, fëmijët kosovarë nuk kuptojnë atë që lexojnë e elita intelektuale e kësaj partie, siç është rasti me B.Latifin, nuk kupton atë që shkruan.

2.

Në librin tim të fundit “Gorillat që s’i pamë”, një gjendje të këtillë të arsimit në Kosovë e përshkrova me termin tashmë në përdorim nga shkencat kognitive, iluzioni i dijes. Pra, gjendja ku mendojmë se fëmijët tanë po mësojnë dhe mësimdhënësit japin njohuri është iluzioni kolektiv i yni i dijes. Rezultatet e PISA-s tregojnë gjendjen e mjerimit në të cilin gjenden fëmijët tanë, ndërsa ky këmbim me dr. Latifin më tregon për gjendjen jo shumë më të ngritur të elitës intelektuale të cilën e ka krijuar partia në pushtet.

Por këtu nuk përfundon iluzioni i dijes. Ai është pjesë e rrathëve koncentrikë. Në rrethin e dytë koncentrik iluzioni i dijes formulohet me bindjen se është një pushtet (ministri, parti, Qeveri) që ka për obligim që të merret me këtë punë, se fëmijët tanë nuk mund të vazhdojnë të jenë në fund të pusit. Por, ndonëse ky iluzion mbështetet në formalitet (po, ekziston një Ministri e Arsimit, dhe po, në çdo parti është dikush që di diçka për arsim, dhe po, Qeveria e ka caktuar tashmë ministrin e Arsimit), fati i fëmijëve tanë që nuk kuptojnë se çka lexojnë është i varur prej një ngjarjeje dytësore, mënyrës së ndarjes së posteve në Qeveri në bazë të mënyrës së formimit të koalicionit. Në shtetin e kapur të Kosovës posti i ministrit i takoi një kontabilisti, sepse ashtu e deshi fati. Po t’i kishte rënë një partie tjetër, do t’i binte një personi me profesion tjetër, ndërsa kontabilisti do të mundë të bëhej ministër i Mbrojtjes apo i Drejtësisë.

Shpëtimi i nxënësit kosovar nga humnera e padijes nuk ka qenë arsyeja për formimin e Qeverisë së Kosovës; arsyeja për formimin e Qeverisë së Kosovës ka qenë shpërndarja e pushtetit mes partive që formuan koalicionin.

Dhe, këtu është rrethi i tretë koncentrik i iluzionit të dijes: supozimi se ekzistenca e Qeverisë rrjedh nga obligimi për të përmbushur nevojat e qytetarëve. Në fakt jo: ekzistenca e Qeverisë – e lënë pa kontroll, dhe e këtillë është në një shtet të kapur – rrjedh nga obligimi për të përmbushur nevojat e atyre që marrin pushtetin.

Dhe kjo nuk është gjë e re, kjo natyrë e shtetit quhet ekstraktive – pra shërben për të nxjerrë përfitime për forcat në pushtet.

3.

Natyrisht, rrathët koncentrikë nuk përfundojnë me kaq dhe këtë e di mirë ministri i Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Ndonëse inovacioni është dikaster i ri në Qeveri, ky ministër në Qeveritë e kaluara ka treguar inovacion sa u përket dëmeve ekonomike që mund t’i bëhen vendit, dhe motivi për këtë mund të ketë qenë ndoshta aftësia e tij ndërmarrëse. Ky person qe përgjegjës për shitjen e KEDS-it për një çmim jashtëzakonisht të vogël e me një dhuratë të pazbuluar për opinionin, katër hidrocentrale. Pastaj dëshmoi inovacion dhe ndërmarrësi në përpjekjen për shitjen me “aksham pazar” të PTK-së një fondi investiv të mbuluar me hije e të quajtur “Axos”.

Është iluzion i dijes mendimi se dikush do të merrej me këto raste eklatante të dëmit të drejtpërdrejtë me kundërmim të thellë korruptues dhe se ky person nuk do të ishte ministër. Në të njëjtin fjalim ku kryeministri i ri i vendit thotë se njëri prej problemeve themelore është korrupsioni endemik, bëhet edhe propozimi i këtij personi për ministër të Inovacionit dhe Ndërmarrësisë. Me këtë cementohet iluzioni ynë i dijes, dhe rrjedhimisht kuptohet se jetojmë në shtetin e mosdijes.

Sepse vetëm mosdija është e gatshme ta riciklojë veten, që të prodhojë më shumë nxënës që nuk kuptojnë çka lexojnë, profesorë që nuk kuptojnë çka shkruajnë dhe që për kompetencë në Inovacion të shpallet zhdërvjelltësia në korrupsion.

4.

Në librin tim të përmendur kam dhënë kutin e thjeshtë me të cilin mendoj se do të duhej ta masnim vendin tonë: “Shoqëri e dijes, nën qeverisje të mirë, me barazi gjinore, me inkuadrim produktiv në rrjedhat evropiane e botërore”.

Hapi i parë për këtë është dëshira për shoqëri të dijes. Dhe ajo ende nuk po shpërfaqet.

© KOHA Ditore

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme