Fotot e rralla: Një legjendë urbane zbulohet në arka municionesh

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

60 vjet fshehur në arka municionesh dhe negativë në valixhe të vjetër, gjenden dhe shpëtojnë nga zhdukja fotot e rralla të Dhimitër Vangjelit, të cilat ekspozohen për herë të parë. Një histori antropologjike e fotografit shëtitës që ktheu dyqanin e tij të ëmbëltores në studio, duke dokumentuar ngjarjet e para urbane të shek. XX

Në një valixhe druri, në gjendje shumë të keqe, “rronin” 400 negativë për të cilët askush nuk kishte dijeni, e jo më të ishin në inventar e regjistër të pasurisë kulturore.

Pas kësaj, u gjet edhe një arkë e vjetër e madhe municionesh, që askush nuk e kishte hapur nga frika. Thuhej se kishte 60 vjet që mbahej pa lëvizur. U desh angazhimi i Bashkisë që të dërgonte oficerë policie për ta hapur arkën. Kjo pasuri ndodhej në muzeun e Ersekës, ku mendohet të jenë rreth 1000 negativë, të cilët janë ende në proces inventarizimi.

Autori i tyre ishte Dhimitër Vangjeli, nga Kolonja. Një fotograf i cili brenda një kohe të shkurtër e ktheu dyqanin e tij në një laborator fotografik, por jo ekzakt një studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-s.

Ky arkiv, një thesar i vogël, por që dokumenton vlera të rralla historiko-kulturore është konsideruar në ekspozimin për herë të parë të albumit “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit, gjysma e parë e shek. XX”. Fotot e realizuara nga negativë në xham janë dokumentuar dhe kataloguar tashmë në Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore. Mendohet se rëndësia e këtyre fotove shkon pas Marubit, duke e identifikuar Kolonjën në rite, zakone, familje të pasura e të varfra, gjeneralë, banda muzikore, zanatçinj, portrete të ndryshme – një jetë e shekullit të kaluar, të cilat u ekspozuan dje në qytetin e Ersekës. Me pasionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjitha fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe te ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Në një vështrim të përgjithshëm të negativëve xham të këtij fondi të vyer, prej afërsisht 1300 të tillë aq sa kanë mundur t’i shpëtojnë kohës, sipas specialist të inventarizimit pasqyrohen në mënyrë domethënëse ndoshta gati unikale portrete individuale e familjare, çifte të sapomartuara, grupe njerëzish, vajza e djem, të rinj e të moshuar, ceremoni nga festat tradicionale të vitit për të dyja ritet ortodoks e bektashinj, ceremoni dasmash e mortore, foto të kishave e teqeve shoqëruar me klerikët e tyre, shkolla me nxënësit e mësuesit, dhe manifestime me qindra njerëz duke festuar evente të festave kombëtare, luftëtarë të armatosur vendës dhe të huaj, peizazhe etj.

Të gjithë diapozitivat në negativ xhami francez që i blinte në Korçë e Selanik, të sistemuara në kuti kartoni të cilat shprehin origjinalitetin edhe sot, i ruajti si gjënë më të shtrenjtë në shtëpinë e tij në fshatin Prodan.

Ky thesar pothuaj ishte destinuar për t’u zhdukur apo harruar ashtu të fshehura në arkën e municioneve. Në fakt emri i Dhimitër Vangjelit është pothuajse i panjohur në historinë e fotografisë shqiptare megjithëse fotot e tij i gjejmë të pasqyruara që në vitet ’20 në botimet më të rëndësishme, por mjerisht pa përmendur autorin. Në regjistrat tregtarë të fillimshekullit XX, Kolonja nuk rezulton të ketë patur ndonjë fotograf dhe Dhimitër Vangjeli ishte i regjistruar si sheqerxhi. Megjithatë në një foto të ruajtur, jo nga fondi i negativëve, por e ristampuar, gjendet tabela e dyqanit të tij, ku shkruhet: hëmbëltore, orëndreqës dhe fotografia, Dimitër K. Vangjeli. Sipas të dhënave që jep Qendra e Inventarizimit të Pasurisë Kulturore, profesionin e fundit fotografi e ushtroi prej disa dekadash, u kujdes dhe ruajti çdo foto duke e lënë si trashëgimi. Qendra Kombëtare e Inventarizimit të Pasurive Kulturore (QKIPK) kishte të dhëna se në fondin e Muzeut Historik Ersekë, në fundin e viteve ’60 të shekullit të kaluar, ishin depozituar për ruajtje rreth 1300 negativë në xham të arkivit të fotografit kolonjar Dhimitër Vangjeli. Fondi i negativëve u ishte blerë familjarëve të fotografit dhe ishte marrë në ruajtje nga Bashkia Kolonjë pasi rrezikonte shkatërrimin pas vdekjes së Dhimitër Vangjelit.

“Megjithatë ai asnjëherë nuk u regjistrua si fond në inventarët e muzeut apo bashkisë,

askush nuk e vlerësoi apo studioi, por mbeti i mbyllur në një valixhe të vjetër dhe arkë municionesh duke u njohur vetëm nga një grup i vogël njerëzish. Kaloi aq shumë kohë sa u përhapën legjenda nëse ekzistonte vërtet ky arkiv i çmuar apo jo”, sqarojnë specialistët e qendrës së inventarizimit të pasurisë kulturore.

Tashmë mund të thuhet se ky fond është i shpëtuar, i sigurt dhe i përcillet publikut jo më si një legjendë urbane. Albumi “Kolonja përmes fotografisë së Dhimitër Vangjelit”, përmban fotografinë si dokument, duke ofruar informacione të shumta pa marrë parasysh boshllëqet e kufizimet që i mbart me vete. E pandarë nga ambienti, individi dhe ngjarja, fotografia paraqet një udhëtim vizual të llojit të vet, nëpër kohë dhe hapësirë. Në fotot e albumit përfshihen një kategori e gjerë ngjarjesh si edhe individësh nga shtresa të ndryshme social-ekonomike. Për herë të paraqiten foto nga negativët origjinalë në xham të këtij koleksioni unik, të cilat i paraqesin popullit të Kolonjës e më gjerë imazhet e jetës urbane e rurale të kësaj zone në fillim të shekullit të 20-të. “Ky botimi iu hap rrugën më tej studiuesve për të hulumtuar më gjerë lidhur me të dhënat e këtij emri të ri të artit të fotografisë për ta vendosur në vendin e munguar të historisë së fotografisë shqiptare të fillimshekullit të 20-të. Shumë thesare të trashëgimisë dhe fotografisë shqiptare kanë humbur, por ende ka shumë të tjera me rëndësi të veçantë, të fshehura diku e që nuk u dihet fati. Trashëgimia kulturore është kodi gjenetik i një populli, është ajo që na përcakton se cilët jemi si komb. Nëse nuk e dokumentojmë dhe ta ruajmë, atë e kërcënon rreziku që të zhduket. Për këtë arsye përballja me këtë dukuri përbën një sfidë dhe përgjegjësi të madhe për secilin nga ne”, thuhet në raportimin e QKIPK, në punën me këtë thesar./V.M

 

Bio

Dhimitër Kristo Vangjeli, lindi më 8.9.1872 në fshatin Prodan të rrethit Kolonjë. Në moshë të re, u largua nga fshati për të jetuar për disa kohë në Athinë. Atje punoi e mësoi disa profesione. Kur u kthye në vendlindje hapi një dyqan të vogël në qytetin e Ersekës, mbi portën e të cilit vendosi një tabelë ku shkruhej: Hëmbëltore, Orëndreqës e Fotograf.

Në saje të pasionit të tij për fotografinë, ai brenda një kohe të shkurtër e shndërroi dyqanin në një laborator fotografik por jo studio, që sipas trashëgimtarëve e ka zanafillën që në fillimet e 1900-s. Me pasionin e vizionin e fotografit dhe si njeri që e dashuronte punën e profesionin që kishte përzgjedhur, Vangjeli me aparatin fotografik në krah shëtiti në të gjitha fshatrat e Kolonjës duke u shndërruar në një person të njohur e të dashur për bashkëkohësit e tij. Si fotograf shëtitës, është ndër të paktët që ka në qendër të fotografisë jetën e pothuajse gjithë fshatrave me të gjitha ciklet e jetës, që nga lindja, pagëzimi, martesa deri edhe te ceremonitë mortore. Fotot e tij janë pasqyrim i saktë i gjendjes së Kolonjës në gjysmën e parë të shek. XX.

Dhimitri ndërroi jetë në Prodan, më 1 prill të vitin 1957 në moshën 85-vjeçare. Pa më të voglin dyshim pasioni i tij i fotografit është një vlerë e shtuar për Kolonjën dhe Kolonjarët. Me anë të fotove të tij, qartas ky album do tregojë dhe flasë me gjuhën e fotografisë për ato vlera të jashtëzakonshme që mbart krahina e Kolonjës.

Lini Një Koment