Goditet keq PDK. Zejnullahu e Rexhepi refuzojnë të jenë deputet të kësaj partie

E mërkurë, 02 Nentor 2016  –  Sakte.net

Partia Demokratike e Kosovës, ka marrë dy goditje brenda ditës. Dy ish kandidat të kësaj partie për deputet të Kuvendit të Kosovës, po refuzojnë qe të pranojnë postin e deputetit në këtë parti.

Bajram Zejnullahu dhe Bajram Rexhepi edhe pse kanë konkurruar para dy viteve për deputet tani nuk po pranojnë qe të jenë pjesë e legjislativit.

Zejnullahu, i cili në zgjedhjet e 8 qershorit ka marrë 8,086 vota ka thënë për ‘Indeksonline’, se ka hequr dorë nga mundësia e të qenit deputet.

“Nuk e kam pranuar pozitën. Unë para një viti jam emëruar anëtar i bordit në Agjensinë Kosovare të Privatizimit dhe jam deklaruar para opinionit se jam apolitik. Tash me u kthy deputet po dal jo serioz edhe para votuesve edhe para opinionit publik. Dua të vazhdoj në AKP”, ka thënë Zejnullahu.

Tutje, Zejnullahu ka pasur kritika për të gjithë deputetët e Kuvendit të Kosovës, të cilët sipas tij, nuk janë duke e kryer punën për të cilën e kanë marrë mandatin e deputetit.

“Ata po merren me akuza ndaj njëri tjetrit me qëllim qe me i zgjedhe problemet personale, por jo edhe të qytetarëve për të cilën janë zotuar gjatë fushatës, por dhe kur e kanë dhënë betimin në Kuvend”, ka shtuar Zejnullahu.

Me refuzimin e Zejnullahut, mundësia për t’u bërë deputet i është ofruar, ish kryeministrit të Kosovës, Bajram Rexhepi. Mirëpo, edhe ky i fundit ka refuzuar qe të bëhet deputet i PDK-së me pretekstin se nuk dëshiron të kthehet më në politikë.

Ish ministri i Punëve të Brendshme në qeverinë e kaluar, kishte marrë 7372 vota në zgjedhjet e 8 qershorit.

Ndryshe, Grupi Parlamentar i PDK-së ka pësuar disa ndryshime. Rrustem Mustafa, Latif Gashi, Azem Syla, Fadil Demaku, Gëzim Kelmendi, Margarita Kadriu dhe Ramiz Kelmendi edhe pse u zgjodhën deputet të kësaj partie, asnjëri nga ta nuk janë pjesë e Grupit Parlamentar të PDK-së. Deri të ky vendim disa nga ta kanë ardhur si rezultat i përballjes me drejtësisë e disa të tjerë më nuk janë pjesë e PDK-së./Indeksonline/

Lini Një Koment