Gorani: Shtetësia e Kosovës është projekt entuziast, por i pasigurt!

Të martën mbrëma Kosova bëri debutim historik në arenën ndërkombëtare të futbollit. Visar Ymeri, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, as nuk e përkrahu dhe as nuk e uroi. Pak çaste më vonë, shpërtheu debati në Kosovë: shteti apo kombi? Përgjigjen fillestare e kërkuam nga anëtari i kryesisë i Lëvizjes Vetëvendosje.

Gorani: Polemikë e madhe u shkaktua pas deklaratës së Visar Ymerit, kryetarit të Lëvizjes Vetëvendosje. E shoh si të kuptueshme dhe të pritshme. Mes tjerash, bëhet fjalë për lindjen e debatit rreth identitetit shtetëror dhe atij kombëtar/etnik – dhe të implikimeve që ka në statusin tonë të paqartë politik.

Të qartësojmë diçka, në fillim. Lëvizja Vetëvendosje e sheh shtetësinë e Kosovës si një projekt entuziast porse të pasigurt, marrë parasysh kontekstin historik brenda të cilit u krijua. Ne kosovarët jetojmë në një konstruksion të brishtë, të pasigurt dhe të pafuqishëm: është ky një fakt i pakëndshëm – por fakt, megjithatë.

Lëvizja Vetëvendosje e synon një Republikë të drejtësisë sociale dhe të barazisë ligjore në Kosovë – një kontratë të re mes qytetarit dhe shtetit. Atë e projekton si shtet funksional, edhe pse e vetëdijshme se gjasat për qëndrueshmëri ekonomike dhe politike të tij po vështirësohen skajshëm, nëse merren parasysh zhvillimet brengosëse në Ballkan por edhe në Bashkimin Evropian. Është tërësisht i kuptueshëm entuziazmi i shqiptarëve të Kosovës për një shtet të pavarur dhe sovran; tekefundit, edhe vet bëj pjesë në atë korpus popullor. Mirëpo, sentimenti është një gjë kurse faktet politike janë diçka krejt tjetër.

Kështu siç po rrjedhin zhvillimet në Ballkan, kam frikë se shtetësia e Kosovës po imponohet vetëm si status kalimtar në procesin e krijimit të një shteti të bashkuar shqiptar. Mbase, kjo nuk është ajo që e mendonim më 1999, mirëpo përkeqësimet e vazhdueshme të situatës sonë ndodhën pavarësisht dëshirave tona. Bota nuk është më ajo që ishte më 1999 – e me të as Ballkani, BE, Evropa Lindore apo edhe Lindja e Mesme. Sot, statusi i Kosovës vazhdon të mbetet në mëshirë të proceseve të ndërlikuara botërore dhe rajonale; diçka e përafërt me Palestinën, ndonëse në një kontekst tjetërfare politik dhe të sigurisë.

Andaj, dilemat identitare që morën për shkas futbollin i shoh si kategori fluide dhe dinamike. Ato varen dhe formësohen nga rrethanat në të cilat jetojmë. Nuk janë koncepte të ngurta, statike dhe të pandryshueshme. Çka nëse nuk mund t’ia dalim të mbijetojmë si shtet i pavarur në një Ballkan të trazuar? Çfarë do të bëjmë? Ta braktisim Kosovën? Të vajtojmë? Apo, të përpiqemi për mbijetesë duke e konsideruar bashkimin në një shtet shqiptar si përpjekje gjithëpopullore?…

Periskopi: A nuk është kundërthënës synimi për ‘Republikë të Tretë’ të Kosovës dhe për ‘Shqipëri të Bashkuar’?

Gorani: Natyrisht që ka kundërthënie dhe paradokse. Ato janë shpërfaqje e jetesës së brishtë politike dhe të rrugëtimit të ndërlikuar historik të shqiptarëve të Kosovës. Ato i gjeni tek çdo shqiptar në Kosovë. Tek ne, të gjithë flasin për shtetësi dhe pavarësi dhe të gjithë e këndojnë me mall ‘Thërret Prizreni Mori Shkodër’. Në anën tjetër, ka shumë të tillë që njëkohësisht e sulmojnë Vetëvendosjen për ‘qasje anti-shtetërore’ saherë që përmend bashkimin kombëtar.

Këto paradokse janë të ngulitura brenda nesh tash e së paku 100 vjet: ai që është shqiptar i Kosovës e kupton për çfarë po flas. Pa dyshim, bëhet fjalë për një ‘disonancë kognitive’ të cilën e shoh normale dhe krejtësisht të kuptueshme për një shoqëri si ne. Nuk e di përse në opinionin publik në Kosovë është duke u popullarizuar qasja përjashtuese ‘ose-ose’ – e një kundërshtimi ekstrem binar në të gjykuar. Pra, ose jeni për shtet të pavarur, ose për ‘Shqipëri të Madhe’; ose jeni shqiptar, ose jeni kosovar; ose jeni me Amerikë, ose jeni kundër saj… Këtë farsë për një ‘esencializëm identitar’ e shoh fëmijërore por edhe ngatërrimtare, nëse përdoret pa kujdes.

Një digresion: tema e ‘Periskopit’ aludon për një proces shumëvjeçar në historinë politike të (një pjese të) qytetërimit perëndimor – ku edhe u farkua koncepti i kombit, i shtetit dhe i shtetit kombëtar. Ky model vendos shenjë barazimi mes shtetit dhe kombit (shembull, Franca e prodhon francezin, e jo anasjelltas).  Mirëpo, modelet ballkanike të shtetit e refuzojnë idenë e kombit civil/politik që e promovon formalisht kjo kulturë politike perëndimore. Në Ballkan, kombi i dalë nga shtetësia konsiderohet fyerje. Përkundër armiqësive dhe mosdurimit, në Jugosllavinë e dikurshme të gjitha kombet pajtoheshin për diçka: nuk kishte dhe nuk mund të kishte komb jugosllav. ‘Jugosllav’ ishte përkatësi shtetërore – jo etnike/kombëtare. Për më tepër, kombet e ish-Jugosllavisë janë të shumtën etno-religjioze; aty ndërlidhja e etnisë dhe fesë përcakton përkatësinë kombëtare: kroat/katolik, serb/ortodoks, boshnjak/mysliman, maqedon/ortodoks, etj. Ky unitarizëm etno-religjioz i bën ato shtete funksionale, ose të dështuara. Telashet e Bosnjes dhe të Maqedonisë në periudhën post-jugosllave duhet të analizohen brenda këtij konteksti – të dështimit të krijimit të kombit nga ana e shtetit. E sidomos, nga ana e projekteve ndërkombëtare çfarë ishin Daytoni, Ohri e mbase edhe Ahtisaari.

Pra, deri sot, në Ballkan dhe ish-Jugosllavi, shteti nuk ia doli ta prodhojë kombin. Në fakt, rregullisht ndodhi e kundërta: kombi krijonte shtetin – madje, edhe përmes spastrimeve etnike siç është rasti i Serbisë.

Nëse kjo gjendje është e mirë ose e keqe, është dilemë koti. Ky është një fakt ballkanik – dhe duhet ta kuptojmë si të tillë. Hapësira ish-jugosllave nuk po toleron kombe politike, shtete multi-kulturore e multi-etnike. Deklarimet e liderëve ballkanikë për integrime evro-atlantike janë qyfte dhe dokrra vagabondësh. Që të gjithë me rend janë etnonacionalistë të sojit më primitiv – të atij etno-religjioz. Shteti i vogël i Kosovës do ta ketë tejet të vështirë që në këso ambienti tërësisht armiqësor ndaj idealit perëndimor të ‘kombit si vullnet’ ta promovojë përbashkimin multi-etnik e multi-kulturor. Mendoj se do ta ketë të pamundur që në këso rrethi ta prodhojë ‘kosovarin’ mbi-etnik, sado kosmopolite dhe bashkëkohore të tingëllojë kjo. Dhe, kjo s’është faj i Kosovës, as i qytetarëve të saj – e as i Vetëvendosjes. Është taksirati i të jetuarit në Ballkan.

Tash, të kthehemi në temë: Lëvizja Vetëvendosje e synon një Republikë të Kosovës si shtet funksional me shumicë shqiptare – porse është e detyruar që atë ta sheh si gjendje kalimtare drejt bashkimit kombëtar. Këtë, pra, për shkak të traumave të së kaluarës, rrënimit të sotëm nga zhvatja e korrupsioni dhe për shkak të drojës për të ardhmen e shqiptarëve të Kosovës në këso Ballkani. Lëvizja Vetëvendosje shpreh brengë të madhe për mënyrën se si është konstruktuar dhe – veçanërisht – se si është menaxhuar deri sot shtetësia e Kosovës, si nga brenda ashtu edhe nga jashtë. Përgjithësisht mendoj se është e drejtë e LVV t’i ketë bindjet e veta; personalisht, mendoj se ka bindje të drejta.

Kosova vazhdon të jetë shoqëri e varfër dhe e paditur politikisht. Jemi të zënë peng nga grupe zhvatëse të cilave ua besuam qeverisjen pikërisht për shkak të entuziazmit shtet-formues, duke rënë në grackën e diskursit të tyre mashtrues për ‘pavarësi, institucionalizëm dhe partneritet me bashkësinë ndërkombëtare’. Lëvizja Vetëvendosje duhet ta shihet brenda këtij konteksti: si pasojë e shkaktuar nga dëshpërimi, mashtrimi dhe keqpërdorimi masiv me shpresat e shqiptarëve në Kosovë. Shembull, sa do të mund t’i besohej një shteti të Kosovës në të ardhmen nëse ai do të vazhdonte të qeverisej nga po kjo kastë politikanësh edhe për 16 vite të tjera?

Dilemat identitare të shqiptarëve të Kosovës janë pasojë e traumave historike dhe qeverisjes së papërgjegjshme të pasluftës. Për momentin nuk e shoh tragjike këtë ‘skizofreni identitare’, mirëpo ajo mund të shkaktojë tragjedi nëse çimentohet në kulturë të komunikimit politik në vend. Këto ditë, me pikëllim po e vërej tendencën publike për ta demonizuar Lëvizjen Vetëvendosje, veçanërisht nga ato qarqe shoqërore që formalisht e kundërshtojnë keq-qeverisjen e sotme të vendit.

Me gjithë pezmin radikal që shfaq ndaj jetesës së padrejtë në Kosovë, Lëvizja Vetëvendosje nuk është përgjegjëse për situatën tonë të mjerë sot. Këtë faj s’mund t’ia mveshë askush, pavarësisht përpjekjeve të parreshtura. Sado dihotomike që mund të tingëllojnë, synimet e saja për një republikë të ndershme dhe bashkim kombëtar nuk e shkaktojnë mizerien e përditshme të qytetarit në Kosovë. Ajo mizerie shkaktohet nga qeverisja e keqe dhe bandat në pushtet, jo nga synimet ideologjike të LVV.

Madje, mendoj se janë pikërisht partitë pa kurrfarë agjende të strukturuar ideologjike e morale ato që prodhojnë pakënaqësitë sociale dhe krizat politike në vend. Së paku, republika e zhvillimit dhe bashkimi kombëtar qenkan synimet tona ideologjike. Pa më thuani se cilat janë ato të pushtetit aktual, sot? Mos ndoshta dokrrat mbi ‘partneritetin me bashkësinë ndërkombëtare’, ‘institucionalizmin’ dhe ‘integrimet euro-atlantike’? Mirë, atëherë – pse po ajo bashkësi ndërkombëtare po e refuzon partneritetin me Kosovën? Mos për shkak të synimeve ideologjike të Lëvizjes Vetëvendosje? Apo për shkak të shkallës së paparë të korrupsionit shtetëror e publik që e zhvillon po ky pushtet, tash e sa vjet?

Të gjithë e dijmë përgjigjen në këtë. Por, kjo nuk po e ndalon një pjesë të shoqërisë që ta drejtojë qortimin e vet kah Lëvizja Vetëvendosje – të shumtën, meqë është shënjestra më e lehtë. Është lehtë ta mallkoni një organizatë idealistësh opozitarë për të gjitha telashet e përditshme që i keni gjatë jetës në Kosovë. Është e lehtë, por jo edhe saktë. Mbi të gjitha, është e padrejtë – ligjërisht dhe moralisht.

Krejt në fund: çfarëdo që të jetë, Lëvizja Vetëvendosje i bën publike qëndrimet e saja. Mund ta përkrahni, ose jo. Ta votoni, ose jo.Mirëpo, mallkimet dhe ofendimet ndaj saj janë të kota meqë nuk është në pushtet. Tekefundit, nëse jeni kundër këtij pushteti dhe nuk ju përshtatet Vetëvendosja apo partitë tjera, themeloni një subjekt tuajin. Mbi të gjitha, politika është veprim dhe angazhim, e jo komentim./Periskopi.com

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme