‘Gylenistët’ e Maqedonisë tremben nga Erdogani

Publikimi i një liste të zezë të Turqisë, ku jepen emrat e disa agjencive, shkollave dhe kompanive në Maqedoni të etiketuar si ‘gylenistë’, ka shkaktuar shqetësime të thella te anëtarët e tyre.

“Sapo kaloni dyqanin në hyrje të pazarit turk, në anën e djathtë, do të lexoni një tabelë të madhe ku shkruhet ‘Bashak’”.

Kjo është mënyra se si sekretaria e kompanisë shpjegoi vendndodhjen e një agjencie turistike në pjesën e vjetër të Shkupit, që së fundmi e ka gjetur veten në listën e zezë të të dyshuarve si “gylenistë”.

Ankaraja pretendon se mbështetësit e klerikut mysliman me bazë në SHBA, Fetullah Gylen ishin pas grushtit të dështuar të shtetit në Turqi në korrik.

Disa turq në Shkup mund të bëjnë shaka se agjencia turistike është një vend mjaft i përshtatshëm për një qelizë terroriste.

Megjithatë nuk ekziston humor për presionin e Ankarasë mbi Maqedoninë për të vepruar kundër mbështetësve të vërtetë ose të dyshuar të Gylen.

Anëtarët e organizatave të lidhura me klerikun në Maqedoni tani kanë frikë se do të lidhen me grushtin e dështuar të shtetit dhe do të paragjykohen.

Ata gjithashtu shqetësohen se autoritetet maqedonase mund të përmbushin kërkesat e presidentit turk Erdogan për t’i përndjekur ata.

Në fund të korrikut, Turqia dërgoi kërkesa në disa vende të Ballkanit duke u kërkuar atyre të mbyllin shkollat dhe organizatat e tjera që mendohet se janë të lidhura me lëvizjen e Gylenit.

I pyetur nëse Maqedonia do të mbyllë shkollat dhe organizatat e tjera që dyshohet se janë të lidhura me Gylenin, sipas kërkesave të Ankarasë, ministrin i jashtëm i Maqedonisë, Nikola Poposki, dha një përgjigje të tërthortë.

Maqedonia mbështet autoritetet turke të zgjedhura në mënyrë legjitime, tha ai në Shkup më 24 gusht, pa saktësuar nëse do të ketë mbyllje.

“Ne do të bashkëpunojmë me qeverinë në Ankara për ta ndihmuar të arrijë qëllimet e saj, sigurisht në përputhje me ligjet tona”, shtoi Poposki.

“Lidhur me vendimet e qeverisë… çdo vendim do të jetë në përputhje me ligjet dhe interesat tona kombëtare,” vazhdoi ai.

Jo të gjitha vendet e Ballkanit janë dorëzuar ndaj presionit që vjen nga Ankaraja.

Dy nga fqinjët e Maqedonisë, Kosova dhe Shqipëria, kanë refuzuar kërkesat e Turqisë për të marrë masa të ashpra ndaj gylenistëve, ndërsa në Bosnjë dhe Hercegovinë po mbahet një debat i nxehtë në lidhje me këtë çështje.

Edhe pse nuk ka asnjë konfirmim zyrtar se Turqia ka dërguar kërkesa të ngjashme në Bullgari, e përjavshmja bullgare Capital dhe Deutsche Welle Bullgaria thanë se Ankaraja po ushtron presion mbi Bullgarinë për të mbyllur dy shkolla, si dhe botimin lokal të gazetës Zaman.

Më 10 gusht, Bullgaria dorëzoi shtetasin turk Abdullah Buyuk, mbështetës të Gylen, edhe pse ai kishte kërkuar azil politik në Bullgari.

Dy gjykata bullgare e bllokuan fillimisht ekstradimin e tij. Dorëzimi i tij ka provokuar zemërim në Bullgari, dhe madje edhe kryeministri Bojko Borisov pranoi se është kryer “në kufi të ligjit”. Ky veprim u mirëprit në Turqi.

Në korrik, ndërkohë, agjencia e lajmeve Anadolu e Turqisë publikoi një listë të shkollave dhe kompanive në Maqedoni që dyshoheshin për lidhje me Gylenin. Agjencia turistike Bashak është emëruar si një bastion i “organizatës terroriste” të Gylenit.

Përveç kësaj, lista veçoi zinxhirin e shkollave Jahja Kemal, të përjavshmen Zaman në Maqedoni, si dhe disa organizata dhe kompani të tjera si Sedef, Shafak dhe Tolerans, grupi i marketeve Evar dhe kompania e transportit Rainbow.

Besimi varet te sovraniteti i Maqedonisë

Shkup. Foto: BIRN
Shkup. Foto: BIRN

Semi Shahin, 33-vjeçari që drejton Bashak, tha për BIRN se ai shpreson që Maqedonia nuk do të heqë dorë nga pavarësia e saj. “Ky është vendi im. Kam lindur dhe jam rritur në pazar,” tha ai.

“Nuk mund ta imagjinoni se si është si kur dikush vjen nga jashtë dhe na persekuton në atdheun tonë. Shpresoj që Maqedonia të mbështesë sundimin e ligjit dhe të [ketë parasysh] se sovraniteti është thesari ynë më i madh.”

E gjithë familja e tij, duke filluar nga stërgjyshi, ka lindur dhe ka jetuar në Shkup. Babai i tij njihej në qytet për shitjen e çantave në pazar.

Një nga shefat e tij, një shtetas turk, Umar Farouk Alp – një nga pesë pronarët e Bashak – tha nuk e di përse kompania e tij është lidhur me puçistët turq.

“Unë dhe partnerët e mi nuk do të mund të ngrinim dorën kundër askujt,” tha ai. “Nuk e di se si u futëm në atë listë”.

“Ndoshta dikush në Turqi, dikush i afërt me qeverinë, do të na marrë biznesin,” vazhdoi Shahin, duke i përkthyer fjalët nga turqishtja të shefit të tij që flet pak maqedonisht.

Bashak operon në Maqedoni që nga viti 2006. Sipas Shahin, është një agjenci udhëtimi me reputacion, e licencuar për të punuar në të gjitha fushat e sektorit turistik, madje edhe për të organizuar fluturime çarter.

Shumë qytetarë të Shkupit përdorin Bashak për pushimet e tyre jashtë vendit. Megjithatë, agjencia është gjithashtu e mirënjohur për tërheqjen e turistëve të huaj në vend, kryesisht turq që vizitojnë Maqedoninë, Shqipërinë dhe Kosovën.

Kompania thotë se biznesi nuk është prekur ende nga përfshirja në listën e zezë të qeverisë turke për shkak se turet e tyre kryesore nga Turqia organizohen në pranverë dhe në vjeshtë.

Agjencia gjithashtu shton se, deri më tani, autoritetet maqedonase nuk i kanë kontaktuar ata pavarësisht listës së publikuar nga Anadolu.

Edhe pse kemi dëgjuar disa thashetheme, nuk mund të themi se dikush na ka kërcënuar akoma; njerëzit na njohin mbi të gjitha,” tha Shahin.

Duke folur për organizatat dhe kompanitë e tjera në Maqedoni të përfshira në listën e zezë, Shahin tha për BIRN se ndërsa ata e kanë përdorur Rainboë si kompaninë e tyre të transportit, lidhja e tyre e vetme me shkollat e Jahja Kemal ishte një ekskursion i organizuar për nxënësit në Europë.

Krahasime me Zjarrin Reishtag

Ahmet Osmani, zv.redaktor i të përjavshmes Zaman në Maqedoni tha për BIRN nëpërmjet emailit se ata janë zënë në befasi nga përfshirja në listën e zezë të qeverisë turke.

“Jemi të shokuar dhe të zemëruar sepse po na fajësojnë neve për grushtin e shtetit dhe po na barazojnë me terroristët,” shkroi ai.

“Gazetaria është punë e pavarur dhe gjithçka që kemi publikuar në këto 22 vitet e fundit, gjithçka është e aksesueshme,” shtoi ai.

“Nuk kemi pasur as edhe një proces litigimi në Maqedoni; nuk kemi marrë asnjë gjobë dhe nuk kemi keqtrajtuar askënd,” vazhdoi ai.

“Jemi vlerësuar gjithnjë për shkak se botimet tona bashkojnë grupe të ndryshme etnike në vend”.

Ashtu si punonjësit e Bashak, ai beson se Maqedonia është një shtet i pavarur, sovran.

Osmani këmbënguli se Gylen nuk ishte pronar, sponsor ose menaxher i gazetës, edhe tha se ai pranon lirisht se e admiron predikuesin.

“Me frymëzimin e këtij njeriu, shumë biznesmenë kanë zgjedhur të ndjekin rrugën e paqes universale nëpërmjet edukimit, shkencave sociale, atyre humane dhe medias në 170 vende,” tha ai.

Osmani gjithashtu tha se gazetarët nuk duhet të paguajnë për grushtin e dështuar të shtetit në Turqi.

Në vend që të zbulojnë prova të forta për grusht shteti, gjithnjë e më shumë pikëpyetje po ngrihen për ngjarjet e korrikut, pretendoi ai.

“Ky është grushti më i çuditshëm i shtetit në histori dhe shumë intelektualë nga e gjithë bota po e krahasojnë atë me zjarrin e Reishtagut [në Berlin në 1933], që Hitleri e insekti për të shkatërruar opozitën në Gjermani,” tha ai.

Përndjekja e hapur e kundërshtarëve të Erdoganit, shtoi ai, ka çuar në mbyllje të botimit francez dhe belg të gazetës Zaman, pas marrjes së kërcënimeve me vdekje nga mbështetësit e autoriteteve turke në këto vende.

Raportet e medias thonë se, disa javë më parë, Azerbajxhani ka mbyllur një stacion televiziv, sepse planifikonte transmetimin e një interviste me Gylenin.

Shkollat Jahja Kemal ndjejnë problemin

Shkolla Jahja Kemal në Maqedoni. Foto: BIRN
Shkolla Jahja Kemal në Maqedoni. Foto: BIRN

Zinxhiri i shkollave Jahja Kemal në Maqedoni është gjithashtu në listën e zezë të Anadolu për organizatat që dyshohen për lidhje me Gylen.

Një zëdhënëse e shkollave, Surija Tauk, i tha BIRN se kishin marrë njoftim informal se Ministria e Arsimit e Maqedonisë mendon se shkollat veprojnë në kuadër të ligjit maqedonas dhe nuk rrezikojnë të mbyllen.

“Njëzet vjet më parë, nuk kishte asnjë person kundër punës sonë dhe tani kemi mbështetjen e shumë njerëzve,” theksoi Tauk.

Jahja Kemal ka operuar në Maqedoni për 20 vjet dhe disa mijëra nxënës studiuojnë në tetë shkolla fillore dhe të mesme në Shkup, Gostivar, Tetovë, Strugë dhe Strumicë.

Pronarët e shkollave janë shtatë persona, një nga Maqedonia, një nga Gjermania dhe pesë nga Turqia.

Punonjësit e Jahja Kemal i thanë BIRN se pronarët nuk donin të etiketoheshin si gylenistë dhe se nuk kishin lidhje financiare me klerikun.

Megjithatë, ata nuk mohuan se ndjekin disa nga idetë e tij, sidomos moton e tij se “Vetëm edukimi mund të pakësojë varfërinë dhe të kontribuojë për paqen”.

Kjo nuk i ka ndaluar mbështetësit e Ankarasë të protestojnë kundër shkollave në Maqedoni.

Në një protestë të mbajtur muajin e kaluar në mbështetje të presidentit Erdogan, një grup të rinjsh grisën diplomat e tyre nga Jahja Kemal përballë ndërtesës së shkollës.

Organizatori i protestës, Tahsin Ibrahim, tha se protesta ishte vetëm fillimi. “Shumë diploma të tjera do të grisen gjithashtu,” tha ai për BIRN në atë kohë.

Lini Një Koment