Hahn në mes të Beogradit e kushtëzon Serbinë për Kosovën

Komisionari për zgjerim i Bashkimit Evropian, Johannes Hahn i bëri thirrje Serbisë që të forcojë sundimin e ligjit, të punojë për një treg të përbashkët rajonal dhe të vazhdojë bisedimet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, në mënyrë që të përparojë drejt anëtarësimit në Bashkimin Evropian.

Komisionari Hahn i cili qëndroi të premten në Beograd, mirëpriti nismën e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, për hapjen e dialogut brenda serb për të ardhmen e marrëdhënieve me Kosovën.

Kosova e cila shpalli pavarësinë e saj në shkurt të vitit 2008 nga shumë serb shihet “djepi i Serbisë” dhe Beogradi i mbështetur nga Moska vazhdon të kundërshtojë pavarësinë e saj.

 

Por, Serbia u përfshi në një proces bisedimesh me Kosovën që i mundësuan hapjen e negociatave për anëtarësim, ndërsa Kosovës i siguruan marrëveshjen e stabilizim asocimit me BE-në. Udhëheqësit serb besojnë se viti 2025 mund të jetë periudhë e anëtarësimit në Bashkimin Evropian. Komisionari Hahn tha se bisedimet për anëtarësim duhet të përfundojnë dy vjet para vet datës së anëtarësimit.

Beogradi e sheh si pjesën më të vështirë të këtyre bisedimeve kapitullin 35 që ka të bëjë me Kosovën.

Bashkimi Evropian nuk i ka kërkuar drejtpërdrejt Beogradit njohjen e pavarësisë së Kosovës, por kërkon një marrëveshje gjithëpërfshirëse për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet të dyja palëve.

“Bashkimi Evropian duhet të shohë një normalizim përfundimtar, detyrues të qëndrueshëm dhe të pakthyeshëm të marrëdhënieve ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, para anëtarësimit të Serbisë. Të jem tërësisht i sinqertë, nuk duam ta importojmë atë problem nëpër derën tonë të prapme”, tha komisionari Hahn.

Ai vuri theksin edhe tek harmonizimi i politikës së jashtme dhe të sigurisë me Bashkimin Evropian.

Serbia një aleate tradicionale e Rusisë synon të anëtarësohet në Bashkimin Evropian, por ecën në vijën e ngushtë ndërmjet Rusisë dhe perëndimit dhe ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve euro-amerikane kundër Moskës për shkak të veprimeve të saj në Ukrainë. /VOA/

Lini Një Koment