Haradinaj pas takimit me Mitchell: Dialogu duhet të përmbyllet me njohje reciproke

Kryeministri Ramush Haradinaj është takuar me ndihmës sekretarin e Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Ëess Mitchell, i cili po qëndron për vizitë zyrtare në Kosovë.

Në fokus të bisedës ishin zhvillimet politike në vend, mbështetja që SHBA-të po japin në ndërtimin dhe konsolidimin e Kosovës, si dhe thellimi i bashkëpunimit ndërmjet dy vendeve.

Haradinaj në takim tha se Qeveria që ai drejton është e fokusuar në zbatim dhe prioritet e ka zhvillimin ekonomik të vendit.

Në këtë takim, po ashtu u fol për krijimin e ushtrisë së Kosovës përmes një procesi kushtetues dhe ligjor, si dhe për dialogun me Serbinë, për të cilin kryeministri tha se duhet të përmbyllet me njohje reciproke.

Ndihmës Sekretari i Shtetit të SHBA-ve për Çështje Evropiane dhe Evroaziatike, Wess Mitchell, rikonfirmoi mbështetjen e Shteteve të Bashkuara ndaj Kosovës në të gjitha fushat, duke inkurajuar që të punohet më shumë në forcimin e sundimit të ligjit, por edhe në rritjen ekonomike.

Në takim të pranishëm ishin zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli, zëvendëskryeministrat Enver Hoxhaj dhe Dalibor Jevtiq, zëvendës ambasadorja amerikane  në Kosovë, Colleen Hyland dhe ambasadorja e Kosovës në SHBA, Vlora Çitaku.

Lini Një Koment