Historia e Raz Halilit, shqiptarit- shpëtimtarit; Ja çfarë bëri ai gjatë përmbytjeve në Teksas!

Raz Halili është bërë shqiptari më i kërkuar në rrjetet sociale. Pas ndihmës së madhe që dha për të përmbyturit nga uragani Harvey, në Teksas, të gjithë pyesin dhe kërkojnë për “shpëtimtarin”. Një vajzë shkruajti në Facebook, se ishte dashuruar me të dhe se do ta gjente. Pas intervistës për Dailymail, Raz flet për herë të parë për një gazetë shqiptare. Ai tregon për Dritare.net, jetën, suksesin dhe dashurinë për njerëzit, teksa jep edhe një mesazh për të rinjtë shqiptarë.


Historia e këtij 31 vjeçari, që jeton në San Leon të Hjustonit, është shumë e veçantë.
Raz nuk është njeri i zakonshëm. Ai është drejtues i Prestige Oyster Inc, një nga kompanitë më të mëdha në SHBA. Është drejtues i biznesit që krijoi babai i tij shqiptar dhe nëna amerikane.

Kjo është nga ato histori që tregon më së miri, pse shqiptarët e duan kaq shumë atë vend. Sepse është vendi që të lë ta prekësh ëndrrën tënde. Pavarësisht kush je dhe nga vjen, rëndësi ka të duash dhe të punosh fort për ta bërë ëndrrën- realitet.

Babai i Raz, Johnny Halili u largua nga Vushtrria e Kosovës në vitin 1976. Shkoi në Çikago dhe punoi si larës makinash. Pasi një miku i tij i tha se ishin hapur vende pune, shkoi në Luiziana dhe filloi të punonte në një anije peshkimi. Punoi gjatë dhe shumë, duke u bërë punëtori më i mirë. Më pas bleu anijen e tij, u njoh me dashurinë e jetës, Lizën dhe prej këtej filloi historia e suksesit.
Sukses që u shtua dita-ditës, pasi Razi vendosi të drejtonte biznesin e familjes. Ai e ngriti kompaninë në një nivel më të lartë. Nga tregtarë të gocave të detit, ata u bënë edhe përpunuesit e saj. Falë përdorimit të një teknologjie të zhvilluar, sot janë më të fuqishmit dhe më të kërkuarit në treg.

Përveçse një biznesmen i mirë, Raz tregoi se është njeri i mirë. Në ditët më të vështira për amerikanët, tregoi mirënjohjen e tij të thellë. I ktheu Amerikës, nderin që i ka bërë babait të tij, Kosovës dhe gjithë shqiptarëve.


Raz mori një motoskaf dhe shkoi në shtëpitë e të përmbyturve, duke i nxjerrë prej andej. Ai përdori varkat dhe kamionët e kompanisë për të çuar ushqime dhe ujë në qendrat ku strehoheshin të pastrehët.

“Është e vërtetë që i ndihmova amerikanët, pasi shteti i tyre i dha lirinë Kosovës. Por, mbi të gjitha ishte një reagim i natyrshëm. Doja të ndihmoja dhe mora shumë kënaqësi nga kjo që bëra”, – thotë Raz për Dritare.net, duke treguar pasojat katastrofike që la pas Harvey.

“Ishte përmbytja më e madhe në historinë e SHBA. Qindra mijëra shtëpi dhe biznese u shkatërruan. Fatmirësisht unë nuk pata dëmtime në banesë, por u dëmtua biznesi dhe humba dy ndërtesa,”- tregon ai, për Dritare.net.

Pavarësisht se ka lindur dhe jeton në SHBA, Raz ka një marrëdhënie të veçantë me vendin e të parëve, Kosovën. Babai i tij e ka njohur me të dhe familjarët që janë aty, prandaj Raz shkon çdo verë. “Kam shumë familjarë dhe miq. Më pëlqen të kaloj kohën atje dhe mes tyre”.
Nuk është nga emigrantët që nuk e di çfarë bëhet me vendin e tij. Ai i njeh arritjet e shqiptarëve dhe ndjehet krenarë për ta. “Unë e admiroj rininë shqiptare, kemi disa njerëz të talentuar, këngëtarë, futbollistë etj. Është bukur të shohësh suksesin e popullit tënd.”

Raz dhe babai i tij ia dolën. Krijuan një ëndërr të madhe dhe sot po jetojnë një realitet me sukses. Raz nuk e ka harruar historinë e babait. E ka kthyer në motiv jete dhe falë saj, ka zbuluar çelësin e suksesit. Për të gjithë të rinjtë shqiptarë, ai jep nëpërmjet Dritare.net, mesazhin e fuqishëm, sesi mund t’i arrijnë majat dhe të bëjnë atë që duan.

“Ju keni fuqinë për të përcaktuar jetën tuaj. Thurni ëndrra të mëdha, punoni shumë dhe kurrë mos harroni nga vini dhe kush ju ndihmoi gjatë rrugë së ngjitjes. Ndiqni zemrën tuaj.

Jetojeni jetën me dashuri, lërini frikërat dhe ëndrrat tuaja më të egra do të bëhen të vërteta”./Dritare.net

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme