Hoxhaj: Jemi të shqetësuar nga afrimi i Tiranës me Beogradin

Vizita e Edi Ramës në Beograd dhe deklaratat e bëra prej tij atje u pritën përgjithësisht mirë në Kosovë, por para se kjo vizitë të ndodhte, pati një deklaratë të ministrit të Jashtëm të Kosovës, Enver Hoxhaj.

“Për sa i takon normalizimit të raporteve Kosovë-Serbi, këtu vetëm Kosova është aktor politik, ndërsa Shqipëria besoj se e ka pasur të qartë historikisht këtë proces dhe besoj se edhe në të ardhmen do ta ketë të qartë. Kosova është shtet i pavarur, sikurse çdo shtet tjetër në rajon, ndërsa Shqipëria nuk është një aktor global, sikurse SHBA-të apo BE-ja. Prandaj, në raportet mes Kosovës dhe Serbisë, ne natyrisht që kërkojmë mbështetjen amerikane dhe atë europiane, meqë këta kanë edhe instrumente që të ushtrojnë ndikim. Çdo bashkëpunim që mund të ketë Shqipëria në rrafshin ekonomik është çështje dypalëshe mes Shqipërisë dhe Serbisë” ka deklaruar Hoxhaj për televizionin ART në Maqedoni.

Kjo deklaratë e tij shkaktoi reagime të shumta si në Tiranë, ashtu edhe në Prishtinë. Por cila ishte domethënia e kësaj deklarate? Vetë ministri Hoxhaj ishte këtë të enjte në Top Story me gazetarin Sokol Balla për të shpjeguar edhe më tej këtë deklaratë.

Ai thotë se i qëndron deklaratës së bërë, megjithëse shton se ajo është keqinterpretuar në Prishtinë dhe Tiranë.

“Thelbi ka qenë për rolin e Shqipërisë në normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë. Kam thënë që raportet tona janë aq komplekse saqë vetëm SHBA dhe BE kanë instrumente që ta kushtëzojnë Serbinë deri në njohjen e ndërsjelltë. E kam përshëndetur bashkëpunimin Shqipëri-Serbi, por qëndrimi im ka qenë që të tregojë që SHBA dhe BE janë kushtëzues të Serbisë. Ky është një realitet gjeopolitik në raport me shtetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Hoxhaj thotë se shqetësimi kryesor i diplomacisë së Kosovës është fakti sesi mund të lexohet në Beograd afrimi kaq i shpejtë i Shqipërisë me Serbinë, nisur edhe nga fakti që qeveria e Serbisë bëri publik planin e ri që flet për dialog shqiptaro-serb, duke mos përmendur Kosovën.

“Kemi shqetësim sesi Beogradi mund ta interpretojë afrimin e Shqipërisë me shpejtësinë që po ndodh kjo nga Kryeministri Rama. Serbia është e interesuar që të ketë një dialog shqiptaro-serb, kurrë nuk ka qenë e interesuar që të ketë një dialog mes Serbisë dhe Kosovës. Deklarata ime ka qenë edhe një porosi për Beogradin dhe për partnerët tanë që politikën e kushtëzimeve ta vazhdojnë”, deklaroi Hoxhaj.

Ministri shtoi se Shqipëria ka dhënë dhe po jep një ndihmë të vyer për Kosovën dhe se marrëdhëniet mes dy vendeve janë në të shkëlqyera./tch

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme