I burgosuri për prostitucion në Shkodër apel Ramës dhe Metës: Jam i pafajshëm, më ndihmoni

Prej katër muajsh Kastriot Musa qëndron në burgun e Shën Kollit në pritje të një vendimi për të.  Ai u arrestua në operacionin “Balerina” në kuadër të “Forca e Ligjit” duke u akuzuar për shfrytëzim prostitucioni dhe si një grup i strukturuar kriminal. Kastriot Musa u arrestua bashkë me kushëririn e tij Frederik Tota dhe pesë vajza të tjera, të gjithë të akuzuar si pjesë e një rrjeti prostitucioni.

Pas katër muajsh nga burg  i Shën Kollit Kastriot Musa deklaron se prokuroria nuk ka asnjë provë për të dhe kushëririn e tij Frederik Tota. Shkodrani i akuzuar thotë se është i pafajshëm ndërsa ndaj tij po zhvillohet një proces gjyqësor i paragjykuar. Musa shprehet në një bisedë telefonike për “Panorama” se nuk është marrë kurrë me prostitucion dhe se nuk ka asnjë lidhje për çfarë akuzohet as ai dhe as kushëriri i tij.

Kastriot Musa kërkon nga drejtësia që të lihen familjarët e tij të marrin pjesë në gjyqe dhe po ashtu të lejohen edhe mediat, pra të bëhet një gjyq publik për të mësuar të vërtetën që pretendon i akuzuari. Kastriot Musa ka një thirrje për Presidentin Meta, kryeministrin Rama, ministrin e Drejtësisë, avokatin e popullit, Komitetin Shqiptar të Helsinkit, mediat dhe këdo tjetër që ta shohin këtë çështje dhe ndaj tij të ketë vetëm drejtësi dhe asgjë më shumë.

Lini Një Koment