Intervistë me Lutfi Hazirin: Në qershor pres zgjedhje. Qeveria të zgjedh si të shkojë!

Kryetari ju është kthyer, sa do të ndikojë prania fizike e z.Mustafa në proceset politike që ju si LDK i keni paralajmëruar?

Lutfi Haziri: Natyrsisht që kthimi i tij në Prishtinë, i kryetarti të LDK’së pas një periudhe kritike të rehabilitimit fizik në Gjermani e ndihmon dhe lehtëson vendimarrajen në parti. Meqë ka qenë në vazhdimësi i koordinuar dhe vendimmarrës edhe në proceset gjatë këtyre tre muajve të fundit. Por, tash është fizikisht në Prishinë, prandaj ndjeshëmrinë dhe problemin e menaxhimit të proceseve e ka krejt ndryshe, përkundër që ka nevojë për rehabilitim fizik edhe më tutje, por do të shohim shumë shpejt që do të kthejë shëndetin dhe kështu do të ndihmojë dhe lehtësojë vendimmarrjet në parti.

Gazeta:Për një periudhë të caktuar ka qëndruar fizikisht larg familjes, mendoni se tash në këtë periudhë kur ju parashihni zhvillime të shpejta politike, ai nuk mund të jetë edhe aq aktiv për shkak se kuptohet, ndjen nevojën të jetë një kohë afër familjes?

Lutfi Haziri: Natyrisht, mbi të gjitha është shëndeti i tij, edhe për ne, jo vetëm për familjen e tij…

Gazeta : Por, kjo nevojë me qenë afër familjes mendoni se mund ta pengojë të jetë më aktiv?

Lutfi Haziri: Jo, nuk besoj se do ta pengojnë definitivisht. Unë e kam takuar dje (e mërkurë). Kemi pasur një takim dhe një bisedë jashtëzakonisht të gjatë dhe nuk e pengon në asnjë mënyrë për të qenë aktiv ne realizimin e këtij angazhimi. Ndërsa, mbi baza ditore, natyrisht që nënkryetarët do të jenë bartës të procesit. Menaxhimi ditor do të vazhdojë edhe më tutje në të njëjtën formulë, nënkryetarët do të koordinojnë punën e Kryesisë, të strukturës së degëve, por, vendimarrja si e tillë, natyrisht se u takon organeve, ku rolin e vet e ka edhe Isa Mustafa.

Gazeta : A mund të na tregoni diçka rreth takimit, meqenëse ju thatë se ka qenë një takim i gjatë. Cilat kanë qenë temat kryesore të diskutimit?

Lutfi Haziri: Natyrisht që, në radhë të parë, ka qenë takim në aspektin, pjesën njerëzore. Ne e kemi njoftuar edhe për të gjitha zhvillimet për kohën sa ka qëndruar në klinikë në Gjermani. Kuptohet që, po ashtu, e kemi vizituar edhe sa ka qëndruar atje. Zhvillimet e fundit, natyrisht, sidomos me humbjen e shumicës politike të Qeverisë, raportet e ndryshuara mes partive të koalicionit me Listën Serbe, aksioni me deportimin e gjashtë qytetarëve turq nga Kosova, “deportimi” i Marko i Gjuriqit nga Kosova në Serbi.., krejt këto veprime çojnë kah një vlerësim i domosdoshëm për stabilitet. Kosova ka humbur legjitimitetin e përfaqësimit për shkak të humbjes së shumicës parlamentare politike. Edhe ashtu kjo Qeveri nuk e ka pasur shumicën politike shqiptare në Kuvend. Kështu që është hendikep i dyfishtë dhe me një Qeveri të dobët, në kuptimin politik, e dobët në kuptimin e mosarritjes së 61-62 deputëtevë, vështirëson seriozisht punën.

Gazeta : Gjatë këtij takimi, a e keni ideuar ndonjë plan aksional si të veproni ndaj zhvillimeve të fundit dhe proceseve që ju i paralajmëroni si: mocioni dhe zgjedhjet e reja?

Lutfi Haziri: Në fakt kemi qenë gjithmonë të koordinuar, edhe më herët, për gjetjen e një rruge. LDK ka propozuar një tryezë politike, që nënkupton dialog i brendshëm, që po i mungon Kosovës. Një dialog i brendshëm i instaluar ku partitë politike komunikojnë mbi baza të rregullta sipas agjenave dhe prioriteteve, jo vetëm kur dikush shkakton kriza duhet ulur. Ne kemi propozuar këtë tryezë për t’i diskutuar çështjet që janë prioritet dhe interes për Republikën tonë, cila është agjenda e cila duhet të shtjerret bashkërisht me një konsensus sa më të gjerë politik, ose pse jo me një konsensus politik, por nëse nuk pajtohemi deri në fund, së paku të jetë sa më i gjerë politik dhe ta përfundojmë me një datë të përbashkët zgjedhore. Kurdo që është ajo datë, nëse arrijmë bashkërisht të pajtohemi për të caktuar një periudhë kohore. E cila çon vendin në zgjedhje të programuara, të organizuara, ku do t’i japim kohë edhe KQZ’së të përgatitet mirë. Kur nuk i pengojmë prioritetet e vendit, cilado qofshin ato dhe kur të gjithë përgatitemi gradualisht për një proces zgjedhor. Edhe ashtu do të ndodhë, por pse duhet të na ndodhë për 40 ditë, nën masa emergjente.

Gazeta : E keni vërejtur te subjektet tjera opozitare të njëjtin disponim?

Lutfi Haziri: Përshtypja ime është që numri më i madh i subjekteve nuk kanë disponim për zgjedhje. Për arsye të thjeshta të brendshme politike. Ndoshta edhe për shkak që Kosova për gjashtë muajt e viti të kaluar e ka kaluar në zgjedhje, tri palë zgjedhje, ato parlamentare dhe dyhere lokalet. Është energji e madhe dhe shpenzim i madh për Kosovën, në të njëjtën kohë. Por, nuk po flasim për organizim të zgjedhjeve brenda javës ose  brenda 10 ditëve, as për 40 ditë me masa të jashtëzakonshme. Po flasim për një periudhë kohore e cila i lejon të gjitha partitë të përgatiten. Edhe ata që kanë nevojë për organizim të brendshëm le të përgatiten, edhe ata që kanë nevojë për konsolidim të brendshëm  le të konsolidohen. Por, dialogu, përmes një tryeze politike, është i domosdoshëm, e cila kalon një periudhë tranziziocioni dhe i zgjedhim disa nga problemet kryesore që i ka vendi si dhe kemi një datë – për të cilën përgatitemi të gjithë për zgjedhje.

Gazeta : Funksionalizon ndoshta edhe Parlamentin ndërkohë..?

Lutfi Haziri: Njëqindpërqind Parlamenti funskionalizohet, edhe Qeveria si ekzekutiv. Normalizohet procesi i dialogut, sepse edhe dialogu është në lëkundje të lehtë, nuk ka qëndrueshëmri, nuk ka qartësi në këtë proces, lehtësohet edhe çështja e statutit të Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe, qartësohet edhe problemi i planeve të domosdoshme që Kosova duhet t’i ketë eventualisht për situatën që do të sjellë Gjykata Speciale me ngritjen e aktakuzave të para apo numrit të aktakuzave që pritet të publikohen.

Gazeta : Si subjekti më i madh opozitar, keni formuar grupe kontaktuese apo caktuar ndonjë person për të mbajtur kontakte të rregullta me subjektet tjera opozitare për të arritur një pajtim rreth caktimit të datës së zgjedhje që mandej ta propozoni si subjekte opozitare?

Lutfi Haziri: LDK nuk ka agjenda të fshehura. Ne u kemi bërë ftesën për dialog të brendshëm të gjitha subjekteve politike, në radhë të parë, atyre të shumicës, por në tavolinë do të ftohen të gjitha subjektet politike, edhe të pakicave. Ky është opcioni i parë i LDK’së. Opcioni B, natyrisht që çon në një tryezë vetëm të opozitës, e cila mandej shtron çështjen krejt në mënyrë tjetër. Agjenda edhe tryeza edhe dialogu i opozitës, mandej koncentrohet në masa për ta kundërshtuar  mënyrën e qeverisjes dhe formën se si po qeveriset, më tepër sesa me u marrë me çështje tjera. Kështu që mocioni mbetet mekanizëm i hapur. Një mocion, i cili mund të aktivizohet. Ende po flitet për numra të pamjaftueshëm, por, t’i referohemi rastit të fundit, mocionit kundër LDK’së. NISMA e vogël, por me zemër të madhe, e ka organizuar në mënyrë të tillë, duke mbajtur takime prej Prishtinës, Skënderaj, e deri në Durrës dhe, në fund, takimi i Mitrovicës, e ka bindur edhe Listën Serbe që të nënshkruajë mocionin kundër Isa Mustafës…

Gazeta : E keni fjalën për takimin me Milan Radojçiqin?

Lutfi Haziri: Definitivisht. Kështu që një koalicion qeverisës me 87 vota, është votuar mandej në një mocion nga të gjitha subjektet politike për ta rrëzuar. Krijohet ambienti politik, mirëpo nuk është zgjidhje shumëherë vetëm nënshkrimet e mocionit. Por të arrihet një zgjidhje e qëndrueshme dhe të dakorduar mes palëve, që procesi zgjedhor të zhvillohet sa më mirë.

Gazeta : Cilin opsion e besoni si më të realizueshëm, gjetjen e mirëkuptimit të përbashkët për caktimin e një date për zgjedhjet, apo rrëzimin e Qeverisë nëpërmjet mocionit?

Luti Haziri: Unë personalisht besoj që ka ende kohë të reagojmë për tryezën për dialog. Mirëpo, nuk jam duke parë vullnet te partitë qeverisëse.

Gazeta : Për ju si parti, kur do të ishte koha më e pershtatshme për mbajtjen e zgjedhjeve?

Lutfi Haziri: Varet nga prioritete që vendosen nga partitë. Të themi, për mua, reforma zgjedhore është e domosdoshme, është diçka që na bashkon krejt partive dhe që mundemi ta realizojmë bashkë. Reforma zgjedhore e para, çështja e Forcave të Armatosura, , e cila tashmë po  shihet që  mund të aktivizohet mekanizmi i ligjit në vend të Kushtetutës, sipas zhvillimeve të fundit në Kosovë. Mandej, Asociacioni i Komunave me Shumicë Serbe. Janë disa çështje që determinojnë edhe kohën. Sa më përket mua, besoj që  qershori është 12 mujori i parë i zgjedhjeve parlamentare, kështu, për mua do të jetë i pritshmë për zgjedhje.

Gazeta : Ju e thatë më herët se nuk ka një disponim të subjekteve tjera për zgjedhje, në anën tjetër, për mocionin ju duhen, praktikisht, edhe dy vota në Parlament. A keni menduar ndonjë kalkulim të ngjashëm si ndodhi me rastin e sigurimit të votave për demarkacionin kur nevojiteshim vetëm edhe dy vota, që ju t’i siguroni po ashtu nga këta dy deputetë për mocionin? Keni biseduar me Slobodan Petroviçin dhe  Adem Hoxhën?

Lutfi Haziri: Nuk kemi folur me Listën Serbe. Nuk besojmë se ata duhet të përzihen…

Gazeta : Megjitatë, të dytë u diferencuan nga Lista Serbe në rastin e demarkacionit?

Lutfi Haziri: Definitivisht ata u diferencuan për demarkacionin, por LDK nuk duhet t’i japë hapësirë Listës Serbe të vendos për të ardhmen e një Qeverie. As për me ardhe as për me ra një Qeveri në këso situata. Ne besojmë që nëse shumica poltike shqiptare bashkohet, hapi tjetër me minoritete do të jetë më i lehtë për bashkëpunim. Ne, edhe më tutje po e shohim se shumica politike shqiptare që janë 58 deputetë të tri subjekteve, tregon qartë se ende ka mosbesim politik dhe ende ka nevojë të punohet për t’u koordinuar  në agjendën opozitare.

Gazeta : Nëse mungon disponimi, si u tha, nëse ka vështirësi të sigurimit të votave për mocionin, si do të veprojë LDK?

Lutfi Haziri: Nëse nuk ka zhvillime tjera, kjo Qeveri, të jeni të sigurt që do të bie si pasojë e edhe e veprimit të PDK’së. Sepse, çmimin e kësaj qeverisje, për të mirë, i atribuohet AAK’së. Por, në situata më të vështira, ne e dimë që AAK është një grupim i vogël politik, kryeministri është një përfaqësues vetëm i dhjetë përqindëshit. Kështu që çdo pengesë serioze që del në Qeverii atribuohet PDK’së. PDK ka një rol dhe përgjegjësi të madhe në këtë proces. Besoj shumë që PDK, ashtu si e njohim të gjithë ne,reagon më ngadalë, por më tinëzisht politikisht sesa të tjerët, kështu që kur e kanë atë natën e famshme të reagimit – do të dal shumë shpejt.

Gazeta : Jeni të sigurt se PDK nuk do të pajtohet të vazhdojë të jetë pjesë e një qeverisje të tillë, për të gjitha arsyet që shpjeguat?

Lutfi Haziri: Është non-sens të pajtohet me diçqka që quhet gërryerje politike e përditshme.

Gazeta : Pra, ju jeni te sigurt se zgjedhjet e parakoshme janë të pashmangshme?

Lutfi Haziri: Definitivisht vendi po hyn në këtë proces, nëse nuk ka marrëveshje politike, po i referohem prapë dialogut, prioriteteve, që unë favorizoj këtë zgjidhje, me të cilën ne si partia më e madhe politike, jemi duke treguar me këtë qëndrim toleracë të madhe politike, ne, jemi duke ftuar dhe ofruar, kështu që nëse përjashtohet kjo, atëherë, kjo Qeveri nuk mund të qëndrojë në këmbë të qelqit.

Gazeta : Kjo siguri juaja edhe si subjekt se zgjedhjet janë të paevitueshme, a ka ngjallur ambiciet brenda partisë suaj për kandidaturat për kryeministër nga radhët e LDK’së. A është biseduar, qoftë jo zyrtarisht, brenda partisë për kanidaturat e mundshme për kandidaturën e kryeministrit?

Lutfi Haziri: Duke e njohur Gazmend Muhaxherin,  edhe si njeri edhe si qyetar të Pejës, besoj që ai i ka atributet e një njeriu të mirë dhe udhëheqësi të mirë. Nuk besoj që se ka shpallur kandidaturën, më shumë e shoh si deklaratë politike, si reagim ndaj zhvillimeve plitike, sepse, LDK e ka kryetarin dhe nuk e ka hapur këtë proces. përkundrazi, ne jemi dakorduar që të ruhet kalendari zgjedhor i LDK’së. Kjo është primare. Kalendarin zgjedhor të LDK’së e kemi ruajtur që 28 vjet dhe asnjë kryetar i LDK’së nuk e ka thyer as ndryshuar, edhe kësaj here, marrëveshja është parimore brenda lidershipit të partisë është  që të ruhet kalendari zgjedhor.

Gazeta : Është përfolur shumë se kandidatë potencial për kryeministër nga LDK do të jenë nënkryetarët e partisë. Megjithatë, nisur nga shembulli i kandidimit të Abdullah Hotit në zgjedhjet e fundit, mund të nëkuptohet se sërish mund të ketë kandidaturë tjetër që mund të mos vije nga posti i nënkryetarit të partisë?

Lutfi Haziri: Mundet, sigurisht. Isa Mustafa ka qenë vetëm Kryetar i Prishtinës. Mandej ka kandiduar dhe është bërë Kryetar i partisë. Por, ka qenë një lloj konkurence meqë ka qenë kundërkandidat i Fatmir Sejdiut, por është bërë në një proces konkurimi me vota të fshehta dhe, natyrisht me mbështetje politike. Por, herën e kaluar ne kemi mbështetur një listë ku është tërhequr kryetari i LDK’së nga kandidaturat, meqë u rrëzua si kryeministër. Për të qenë në parimin e kontiunitetit të qeverisjes, është përzgjedhur z.Hoti, si Ministër i Financave. Dhe, në prag të zgjedhjeve lokale, ku ne patëm vendos të hyjmë në gara zgjedhore komunale, ka qenë e kuptueshme që të ndërtohet një listë sa më e gjerë, sa më e hapur, sa më koncensuale. Por, koalicionet që i kemi pasur na kanë shkaktuar, natyrisht, ngushtim të hapësirës sonë politike, sepse na është dashur të japim 46 vende partive tjera në listën zgjedhore. Dy subjekteve dhe një iniciativë. Kurse PDK, 22 partive u ka dhënë afër 50 vende, në listën e tyre zgjedhore. Kjo nuk do të ndodhë më në LDK. Në proces zgjedhor, besoj secili mundet të jetë kandidat, por, disa rregulla natyrisht janë më të fuqishme në kandidatura. Unë jam për ta ruajtur kalendarin, kohën kur mund të kandidohet dhe mënyra si të kandidohet dhe forma si do të kandidohet. Jam për çdo marrëveshje politike. Duke ruajtur dhe zhvilluar demokracinë e brendshme, një marrëveshje poltike ndihmon shumë për dalje nga ky proces që LDK e ka pasur viteve të fundit dhe fuizon LDK’në për zgjedhjet e ardhshme.

Gazeta : E kuptoj se nuk dëshironi të përfolni emra, por, numerikisht, sa kandidatë mendoni do të garojnë nga LDK për postin e kryeministrit?

Lutfi Haziri: Unë besoj se, definitivisht, gara e ardhshme do të zhvillohet mes dy kandidatëve. Nuk besoj se do të jenë më shumë

Presidenti po përfiton nga kriza politike

Gazeta : Të ktehemi te situata aktuale qeverisëse, që sipas jush, në këto rrethana të krijuara politike ka humbur arsyen e vazhdimit. Konsideroni se kjo nuk ëshë një Qeveri përfaqësuese, duke pasur parasysh se nuk ka as shumicën parlamentare as shumicën shqiptare?

Lutfi Haziri: Natyrisht. Nuk e ka pasur shumicën politike shqiptare, tash nuk e ka as shumicën politik, shumicën parlamentare, kështu që është jashtëzakonisht e vështirë duke e parë konstilacionin e forcave në Kosovë. Praktikisht kemi një raport, pak a shumë të ngjashëm   edhe në Kosovë për herë të parë ndoshta, kemi një Qeveri të dobët përkundër një Presidenti të fuqishëm.

Gazeta : Mendoni se kjo, në një formë, ka ndikuar edhe në pasivitetin e Parlamentit?

Lutfi Haziri: Definitivisht Parlamenti mbyllet, do të mbetet pa agjendë. Përkundër që LDK e mbështet legjislacionin evropian apo legjislacionin, i cili është pjesë e procesit të reformës evropiane; programit ‘ERA’  ose të programit reformues që e kemi. Ne nuk i pengojmë proceset reformuese t Kosovës dhe integrimin sa më afër proceseve në BE, por, Kuvendi mbetet pa agjendë. Legjislacioni është i varur kryekëput nga Qeveria, Qeveria nëse nuk mundet të procesojë në Kuvend ligje sepse nuk ka vendimarrje dhe, natyrshëm, nuk procesohet asnjë ligj kur nuk ka vendimarrje. Kështu që Kuvendi do të mbetet në pauzë të detyrueshme, ndërsa Qeveria do të merret me detyra rutinë, ajo që quhet manxhim ditor po shkakton zbraztësira sepse kjo është krizë politike. Në këso situata, qeveritë dhe institucionet identifikohen me krizë politike, e cila duhet të tejkalohet. Duhet të gjendet rruga dalëse nga kjo krizë politike, sepse ne tani jemi duke e ndje ngërçin e parë politik. Pavarësisht se partitë e koalicionit nuk po e quajnë krizë, nuk e kualifikojnë si të tillë, megjithatë, de-fakto, Kosova ka hyrë në një krizë politike , e cila duhet të ketë zgjidhje politike dhe të mos i lihet kohës për me i zgjidh problemet, sepse koha nuk i zgjidhë.

Gazeta : Ju thatë se gjendemi në një ngërç politik. Vërehet mungesa e efikasitetit të Qeverisë dhe Kuvendit. Sipas jush, kush është duke përfituar nga kjo situatë politike? Konsideroni se është Presidenti, ai i cili po provon të marrë primatin e agjendave politike?

Lutfi Haziri: Definitivisht. Unë e formulova më herët, pak a shumë në këtë kuptim. Kosova ka filluar t’i ngjajë vendeve në regjion me Qeveri të dobëta karshi një Presidenti të fortë.., dhe në forcim e sipër, në kuptimin e ushtrimit të detyrës kushtetuese dhe kegjitimitetit kushteutes. Kështu që Qeveria është e hendikipuar për shkak të mungesës së dyfishtë, që u përmend më herët, ndërsa Presidenti vazhdon ta ushtrojë detyrën dhe me i mbulu boshllëqet e mungesës institucionale…

Gazeta : Kjo situatë e krijuar politike, mendoni se i ka krijuar Presidentit komoditetin që të marrë vendime edhe përtej kompetencave kushtetuese, pra vendime që i takojnë ekzekutivit, si është komentuar në opinion lidhur me rolin e tij në rastet e fundit?

Lutfi Haziri: Sikur edhe në jetë, edhe në politikë nuk ka vakume. Por, ai që ka aftësinë edhe peshën specifike e zë hapësirën gjithmonë. Kështu që  do të jetë budallaki e llojit të vet të mendosh që ka vakum institucional  në Kosovë. Mungesa e efikasitetit gjithmonë  krijon ambient politik që dikush tjetër të shtyjë procese dhe agjenda politike…

Gazeta : Presidenti Thaçi, mendoni se ka talentin t’i shfrytëzojë situatat e tilla politike?

Lutfi Haziri: Thaçi, ka arritur të zgjidhet si president me shumicë parlamentare. Pjesë e votimit ka qenë edhe LDK në kuadër të marrëveshjes politike të qeverisjes së kaluar, e cila marrëveshje mandej është shkelur nga PDK. Por, ai ka peshën dhe legjitimitetin institucional dhe kushtetues…

Gazeta : Por, a është duke i tejkaluar, sipas jush, këto kompetenca kushtetuese..?

Lutfi Haziri: Të themi se i ushtron më fortë dhe më fuqishëm sesa presin të tjerët, apo të themi sesa janë mësuar kryeministrat ta shohin rolin e presidenti në Kosovë. Kosova është vend parlamentar dhe, natyrisht, kryeministrat kanë pasur një rol  udhëheqës në politikat në Kosovë.

Gazeta : Atëherë, si i vlerësoni kritikat që vijnë nga partitë e koalicionit ndaj veprimeve e vendimeve të Thaçit, nëse, si thoni ju, Qeveria është jopërfaqësuese e Kuvendi pasiv, kjo nënkupton se vetë koalicioni i ka krijuar presidentit këtë hapësirë veprimi?

Lutfi Haziri: Është parë një koordinim ndërmjet tyre. Shihet një koordinim politik mes institucioneve e kolegëve politik në këto institucione dhe kjo eliminon dyshimin e një jokoordinimi mes vete. Kështu që nuk qëndrojnë për mua  këto kritika…

Gazeta : Si po e kuptoj, ju doni të thoni se ekziston një pajtim mes koalicionit qeverisës e presidentit që ky i fundit të mbulojë këtë hapësirë politike, të cilën koalicioni nuk po mundet ta mbulojë për arsyet që i shpjeguat më parë?

Lutfi Haziri: Mendoj se në heshtje është lejuar ushtrimi më i fortë i detyrës dhe i kompetencave të Presidentit të Kosovës sesa është pritur, apo edhe në raste të caktuar i lejohet me Kushtetutë. Gazeta Blic

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme