Jubileu i shpresave dhe zhgënjimeve

Që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt të vitit 2008 e deri më sot, pritjet e qytetarëve të saj nuk janë realizuar dhe gjendja e tanishme nuk është e mirë, vlerësojnë njohës të zhvillimeve politike dhe sociale, si dhe qytetarë të vendit.

Kjo sipas tyre ka bërë që në prag të shënimit të dhjetëvjetorit të shpalljes së shtetit të Kosovës, qytetarët të mos tregojnë ndonjë entuziazëm të madh lidhur me shënimin e këtij jubileu.

Politologu Ramush Tahiri duke folur për Radion Evropa e Lirë, shpreh mendimin se përkushtimi i qytetarëve të Kosovës ndaj shtetit të tyre ka qenë dhe mbetet i madh, madje edhe me sakrifica dhe durim që shërben si shembull, me besimin e plotë te garniturat udhëheqëse të Kosovës dhe te faktorët ndërkombëtarë.

Por, sipas tij, qytetarët janë zhgënjyer, sidomos me elitat politike dhe strukturat udhëheqëse, të cilat nuk kanë arritur të krijojnë një platformë të mirëfilltë për kapërcimin e gjendjes së rëndë dhe për prosperitetin e shtetit dhe të shoqërisë së Kosovës.

“Parakushti themelor që Kosova është një shtet i lirë, është realizuar. Por, kjo nuk është e mjaftueshme që qytetarët të jenë të kënaqur me këtë shtet, sepse gjendja ekonomike është e keqe, paperspektiva e njerëzve është madhe dhe gjithashtu, njerëzit nuk mendojnë që është realizuar ideali i tyre për një shoqëri demokratike, prosperuese , ku secili i ka kushtet e mira për të jetuar, për të punuar dhe për t’u shkolluar”, tha politologu Tahiri.

Sociologu Ismajl Hasani thotë për Radion Evropa e Lirë se përgatitjet shpirtërore të qytetarëve të Kosovës për të kremtuar 10-vjetorin e pavarësisë së vendit, duhet shikuar në aspektin individual dhe shoqëror. Në aspektin individual sipas tij, qytetarët kanë kënaqësinë për jubileun e shpalljes së shtetit të pavarur. Por, në aspektin shoqëror, ata janë të zhgënjyer.

“Në qoftë se shikojmë kontekstin shoqëror, ka një indiferencë, do të thosha, madje që shkon deri te zhgënjimi, për sa i takon mospërmbushjes së aspiratave të qytetarëve të Kosovës në raport me gjërat e përditshme, që janë të lidhura me zhvillimin ekonomik, me prosperitetin e vendit, shkalla e lartë e korrupsionit, e nepotizmit, papunësia e madhe, problemi i mungesës së lëvizjes së lirë, e cila ka mbetur peng për fajin e lidershipit kosovar”.

Por, cilat janë përshtypjet e qytetarëve në vigjilje të shënimit të 10-vjetorit të pavarësisë së Kosovës?

Antigona Paçuku nga Prishtina, thotë se pritjet e qytetarëve 10 vjet më parë dhe realiteti i sotëm janë krejtësisht të ndryshme.

“Është shumë më zbehtë kësaj radhe, për shkak se pritjet kanë qenë shumë më të mëdha. Tash, gjithkund, në cilëndo sferë që të shikojmë, jemi më prapa se që kemi pritur. Viti i parë ka qenë vit entuziast, ndërkaq që tash është e tepërt të flasim. Cilado Qeveri që po vjen, ne presim gjithmonë diçka më mirë, mirëpo kurrfarë ndryshimesh nuk po shihen”, thotë ajo.

Mendim të ngjashëm ka edhe Florent Spahiu nga Peja. Siç thotë ai, jo vetëm që pritjet e qytetarëve nuk janë realizuar as pas 10 vjetësh, por sipas tij, situata ka degraduar edhe më shumë.

“Qytetarët e Kosovës, për 10 vjet kanë pritur që do të ketë më shumë ndryshime e rrjedhimisht do të ketë edhe luftë kundër korrupsionit, se do të jetë Kosova e hapur karshi botës dhe se do të mund të lëvizë lirshëm qytetarët e saj. Normalisht që për 10 vjet ka pasur vetëm premtime boshe, asgjë e realizuar. Korrupsioni është në nivelin më të lartë të mundshëm. Të gjitha studimet e bëra nga organizatat joqeveritare, por edhe nga organizatat tjera botërore, tregojnë se niveli i korrupsionit në Kosovë është shumë i lartë, sidomos në sektorin qeveritar dhe në sektorët tjerë që ndërlidhen me Qeverinë”.

Politologu Tahiri thotë se dështimi i elitave politike ka rezultuar me humbjen e besimit të qytetarëve për një perspektivë të mirë.

“E kanë humbur besimin tek mekanizmat demokratikë të kontrollit të pushtetit, por edhe të ardhjes në pushtet. Njerëzit ndjehen të pafuqishëm, janë të mbyllur në strukturën e vetë individuale dhe familjare. Nuk kanë shpresë që Kosova do të bëhet një shtet i përparuar”.

Sociologu Hasani shpreh mendimin se megjithatë qytetarët e Kosovës kanë dashuri dhe krenari, madje edhe të papërmbajtur për vendin. Por, në të njëjtën kohë, sipas tij, ata ndjejnë neveri ndaj nomenklaturave politike, posaçërisht ndaj atyre që kanë udhëhequr vendin pas pavarësimit.

“Qytetarët e Kosovës kanë ndjenjë të theksuar patriotike dhe janë tepër entuziast për shtetin. Por, përjashto disa raste, asnjëherë nuk kanë qenë entuziast me nomenklaturën politike, për faktin se asnjë legjislaturë, asnjë Qeveri deri më tani, nuk kanë arritur që t’i përmbushin kushtet elementare të mirëqenies së qytetarëve në Republikën e Kosovës”.

Sidoqoftë, 10 vjet pas shpalljes së pavarësisë, Kosova mbetet ndër vendet më të varfra të Evropës, ndërkaq vazhdon të jetë vendi i vetëm i Ballkanit Perëndimor që nuk ka marrë liberalizimin e vizave. Deri më tash, Kosovën e kanë njohur 115 shtete.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme