Kadri Veseli fillon largimin e njerëzve të Thaçit. Kush e ka radhën pas Bekim Collakut?

Kryeparlamentari i Kosovës, Kadri Veseli siç duket nuk e ka ndërmend të mbetet vetëm formalisht kryetar i PDK’së nën hijen e pararendësit të tij, Hashim Thaçit. Burime të mirëinformuara të portalit Sakte.net bëjnë të ditur se njerëzit e afërt dhe të besueshëm të Kadri Veselit tashmë kanë filluar të zënë pozitat e rëndësishme në PDK, por edhe në Qeveri.

“Kryetari Veseli dëshiron ta reformojë partinë, por edhe të sjellë një frymë të re në qeverisje. Dhe këtë nuk e ka ndërmend ta bëjë me figurat e deritanishme të cilat pos që janë konsumuar në publik, po ashtu edhe nuk gëzojnë reputacion të mirë. Ai (Veseli) është i interesuar që njerëz të rinj të vijnë në shprehje dhe duket se e ka edhe fuqinë që ta bëjë këtë”, deklaron për portalin Sakte.net burimi ynë në kushte anonimiteti.

Përndryshe, në opinion janë vërejtur edhe lëvizjet e para në këtë drejtim. Nënkryetar i PDK’së tashmë është emëruar Uran Ismaili, ish shef i kabinetit të Kadri Veselit, ndërsa ministre e re e Drejtësisë është caktuar Dhurata Hoxha e cila po ashtu ka qenë bashkëpunëtore e ngushtë dhe këshilltare e Kadri Veselit.

Dorëheqja e paralajmëruar e ministrit të integrimeve Bekim Collaku dhe kalimi i tij në stafin e presidentit Hashim Thaçi është edhe një indikacion se Kadri Veseli përgjegjësitë qeverisëse dëshiron tua ngarkojë njerëzve të tij. Po ashtu, ka qenë autoriteti i Kadri Veselit që ka detyruar ish shefin e grupit parlamentar Adem Grabovcin që të tërhiqet nga kjo pozitë, ndërsa emra të tjerë të përfshirë në përgjime siç është rasti i ish sekretarit të MPB – së, Ilhami Gashi tashmë janë larguar nga partia.

Portali Sakte.net mëson se riformatimi eventual qeverisës midis partnerëve do të sillte edhe ndryshime të mëdha, veçanërisht në dikasteret e drejtuara nga PDK./Sakte.net

Lini Një Koment