Koha për t’i zhdukur mitet rreth Turqisë. Evropa nuk mund të bëjë pa Turqinë

Mevlüt Çavuşoğlu

Disa mite urbane kanë krijuar në Evropë debate publike rreth Turqisë. Njerëzit duhet të qëndrojnë në to dhe duhet t’i sqarojnë disa prej tyre. Më lejoni që unë ta bëj këtë për pesë çështje kyçe:

Siria: Turqia po provon çdo rrugë për t’i arritur tri objektiva.

Së pari, Turqia është në ballë të përpjekjeve për t’i ndaluar vuajtjet njerëzore. Numri i refugjatëve sirianë është më shumë se 5.500.00 (pesëfishi i numrit të popullsisë së qytetit të Birmingamit) dhe shumica e tyre janë strehuar në Turqi. Për frymë të popullsisë jemi vendi që shpenzon më shumë për ndihma humanitare në botë.

Së dyti, ne jemi duke marrë iniciativën për të mos u lejuar asnjë mundësi grupimeve terroriste në Siri. Duke qenë e vëmendshme dhe e ndjeshme që civilët të mos pësojnë asnjë dëmtim, Turqia është duke përdorur forcën edhe kundër terroristëve të PKK/YPG, edhe kundër organizatës terroriste DEASH.

Ne do të vazhdojmë të demaskojmë propagandën obskurantiste që synon të orientojë gabimisht opinionin publik lidhur me rolin e Turqisë në Siri. Gjithashtu kemi demaskuar veprimtarinë e terroristëve të PKK/YPG, të cilët hiqen sikur luftojnë kundër DEASH-it, por në të vërtetë lejojnë lëvizjen e lirë të tyre, si dhe lidhjet midis rrjeteve terroriste.

Së treti, Turqia po bën përpjekje intensive për të gjetur një zgjidhje politike. Që nga bisedimet në Astana në kongresin në Soçi, në bisedimet e Gjenevës nën drejtimin e Kombeve të Bashkuara Turqia ka qenë në favor të një zgjidhjeje politike të mbështetur në tërësinë territoriale të Sirisë dhe që pasqyron vullnetin e popullit sirian. Operacioni “Dega e Ullirit”, që ka nisur Turqia, mbron shtetasit tanë nga terroristët dhe duke kaluar në veprime kundër kërcënimit të grupeve terroriste ndaj tërësisë territoriale të Sirisë synon të hapë rrugën që shkon drejt paqes. Lufta kundër DEASH-it nuk do të thotë që ne nuk luftojmë kundër terroristëve të tjerë. Ne kërkojmë që SHBA dhe të tjerët të heqin dorë nga armatosja e PKK/YPG-së.

Lindja e Mesme: Ky rajon është afër Evropës dhe kërkon urgjentisht arritjen e një kompromisi të shumanshëm. Paqja në Evropë është siguruar kur në mesin e viteve 1970 në Helsinki kemi njohur paprekshmërinë e kufijve në Evropë dhe kur kemi premtuar për respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut. Vendosja e paqes në Lindjen e Mesme bën të nevojshme më shumë se kurdoherë një marrëveshje të tillë të ngjashme.

Shtetet kombe po u ekspozohen sulmeve të forcave transnacionale disa herë të paefektshme, por disa herë tepër të dëmshme si separatizmi, sektarizmi dhe terrorizmi. Përballë këtyre forcave të dëmshme duhet të forcohet qëndresa e shteteve kombe. Kjo është formula që do të mundësojë sigurinë dhe mirëqenien për të gjithë në rajon dhe më gjerë. Formula nuk është copëtimi pa fund i shteteve. Rajoni ka nevojë për një rend që pranon kufijtë ekzistues ashtu siç janë tani, duke përfshirë edhe ekzistencën e një shteti për palestinezët, i cili ishte vënë si kusht nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara shtatëdhjetë vjet më parë.

Orientimi bazë i Turqisë: Turqia është një aleat i fuqishëm, i vendosur dhe aktiv i NATO-s dhe një demokraci që është filtruar nëpërmjet rreziqeve të shumta dhe të mëdha, që para se këto të arrinin në Evropë. Për këtë arsye Turqia është një pjesë e rëndësishme e Evropës dhe e strukturës transatlantike. Është e vërtetë që populli ynë nuk është i kënaqur nga një varg qëndrimesh që mbajnë aleatët tanë. Ne duhet të ndalojnë para se diversiteti të kalojë në mosmarrëveshje dhe duhet të kemi një solidaritet reciprok (jo të njëanshëm).

Anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian: Anëtarësimi i Turqisë në Bashkimin Evropian është në interesin e të gjithëve, ndërsa shpejtësia e hapave drejt anëtarësimit nuk është e kontrolluar nga Turqia, por nga Bashkimi Evropian. Por perspektivën tonë ta vendosim në një optikë të saktë: Një Evropë pa Turqinë do të mbesë pa mbrojtje. Me ekonominë e saj që rritet në nivele që do t’i dëshironte çdo vend evropian Turqia është një vlerë edhe në kuptimin ekonomik. Për këtë arsye është absolutisht i gabuar mendimi se Turqia do të jetë barrë për Bashkimin Evropian.

Përgatitja e popujve tanë për faktin se anëtarësimi i Turqisë do të japë rezultate pozitive, do të jetë shumë më e përshtatshme sesa përkulja përballë ekstremizmave që kërcënojnë ripërkufizimin e qendrave politike në shumë vende të Evropës. Ruajtja e demokracisë, e paqes dhe e mirëqenies në Evropë do të jetë në varësi të luftës që do të zhvillojë Evropa kundër ekstremizmave dhe Turqia është pjesë e zgjidhjes. Hapi i parë i nevojshëm është liberalizimi i vizave.

Demokracia në Turqi: Vetëm njëzet muaj më parë një grup fanatik u përpoq për të eliminuar me dhunë demokracinë në Turqi. Me një sfidë legjendare populli turk dhe shteti turk e shkatërruan këtë ndërmarrje të realizuar nga një organizatë e re terroriste e quajtur FETO. Populli turk dëshiron të jetojë në një vend demokratik.

Ne po kalojmë një proces të detyruar, ku duhet të jemi të sigurt se elementët e FETO-s, duke përfshirë edhe celulat e fjetura, janë larguar nga pozicionet e fuqishme në organet shtetërore, në medie, në qarqet e biznesit dhe akademike. Ky është një proces me dhimbje, por absolutisht duhet të veprojmë brenda kufijve të ligjit.

Janë në fuqi mekanizmat për rishikimin e vendimeve. Në të njëjtën kohë po luftojmë edhe kundër terroristëve të tjerë përtej kufirit. Gjendja e jashtëzakonshme do të marrë fund kur nuk do të jetë e nevojshme dhe për këtë më shumë se kushdo e kënaqur do të jetë qeveria jonë.

Informacioni dhe disinformacioni, të cilët në ditët tona dhe në epokën tonë po përhapen në të gjitha drejtimet me një intensitet të paparë, po krijojnë pështjellim edhe te njerëzit më të zgjuar. Por për të parandaluar këtë pështjellim të mendjeve është koha që të gjithë të intensifikojmë sërish kontaktet dhe proceset në të gjitha nivelet midis Turqisë dhe Bashkimit Evropian dhe të shprehim solidaritetin reciprok.  (The Telegraph)

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme