Krasniqi: Deputetët nuk duhet ta miratojnë demarkacionin

Ish-kryetari i Kuvendit të Kosovës, Jakup Krasniqi, ka thënë se nga ajo që po sheh, politika e Kosovës nuk është duke i marrë masat e duhura për t’i dhënë vendit orientimin e duhur.

“Kjo politikë që vendin e ka sjellë në ketë gjendje, vështirë që mund ta sjellë ndryshimin e duhur për kombin e shtetin”, ka shkruar Krasniqi në llogarinë e tij në Facebook.

Ai ka folur për dy marrëveshjet, të cilat i ka quajtur të këqija.

“Marrëveshja për Demarkacionin kështu si është, është një e keqe e madhe për Republikën e Kosovës, por në ketë fatkeqësi mund të ketë vetëm një fat?! Fati është vetëm nëse Deputetët e Kuvendit të Kosovës i thonë Jo Ratifikimit të kësaj Marrëveshje”, ka thënë Krasniqi.

“Marrëveshja e dytë është më e keqe se e para dhe kjo është Marrëveshja e 19 prillit 2013 e arritur në Bruksel në mes të Kosovës dhe Serbisë e cila për çdo ditë të kaluar, shtetin e Kosovës po e bënë jo funksional. Ky jo funksionalitet, sigurisht jo vetëm me fajin e asaj marrëveshje, po e dërgon shtetin tonë drejtë falimentimit dhe ky fakt është tepër i dhimbshëm”, ka shkruar ai.

Sipas Krasniqit, faji i këtyre marrëveshjeve të këqija është i adresuar te të dy qeveritë e kaluara.

Lini Një Koment