Kryeinfermierja e Spitalit Regjional të Gjilanit dyshohet se ka kryer vetëvrasje

Në komunën e Gjilanit në orët e para të mëngjesit është gjetur e vdekur kryeinfermierja e Spitalit Regjional të Gjilanit, Xhylie Hajdari, e cila dyshohet se ka kryer vetëvrasje.

Policia nuk ka dhënë detaje vetëm se e ka konfirmuar rastin për Kohën Ditore.

“Një femër shtetase e Republikës së Kosovës, dyshohet se ka kryer vetëvrasje”, ka thënë Ismet Hashani, zëdhënës i Policisë Rajonale në Gjilan.

Gazeta ka kontaktuar edhe me Spitalin Rajonal të Gjilanit të cilët kanë deklaruar se nuk kanë informata të detajuara për rastin në fjalë mirëpo e kanë konfirmuar se bëhet fjalë për kryeinfermieren kryesore të Spitalit.

Nisret Hajrullahu, drejtor i spitalit të Gjilanit ka deklaruar se e ndjera ishte një punëtore e palodhur në punën e saj.

“Ajo nuk është sjellë në Spitalin Regjional të Gjilanit pra në Emergjencë dhe në vendin e ngjarjes kanë shkuar Qendra e Mjekësisë Familjare edhe për ma tutje nuk e di. Është motër kryesore e Emergjencës dhe kjo është informata që kemi. Ka qenë një motër e cila ka qenë një organizatore e mirë e punës dhe e cila ka punuar me zell kurse për detajet tjera ne nuk dimë se çfarë ka ndodhur”, ka thënë ai.

Ndërsa Fejzullah Berisha, drejtor i Qendrës së Mjekësisë Familjare në Gjilan thotë se ekipi i ndihmës së shpejti i është përgjigjur rastit në fjalë mirëpo e ndjera është gjetur e vdekur.

“Ka shkuar ekipa dhe është gjetur e varur në shtëpinë e saj në lagjen “Arbëria” dhe ora ka qenë 5 e 30 e mëngjesit”, ka thënë ai.

Ndryshe e ndjera Xhylie Hajdari ishte sekretare organizative e gruas së AAK-së në Gjilan.

Lini Një Koment