Kur të zë e mira!

Shkruan: Xhevdet POZHARI

Njeriu sikur të dinte ta çmojë dhe vlerësojë të mirën që i është dhënë, do ta kuptonte mbase se ankesat dhe prirjet për të rrënkuar edhe atëherë kur nuk i dhemb asgjë nuk janë gjithaq reale sa vijnë ngaqë i është mjegulluar shikimi dhe nuk e sheh se sa pak mjafton të jetë i lumtur, – shëndeti dhe bindja se është në rrugë të drejtë atëherë kur ndjehet i plotë dhe i sigurtë në hapat që hedh, pavarësisht se arritjet mund të jenë në shpërputhje me pritshmëritë, për të mos thënë edhe me vrazhdë, me aftësitë.

Sikur njeriu ta stërviste vetveten që të mësohet t’u gëzohet me kohë të mirave që ka dhe të jetë mirënjohës për ato, mbase edhe zhgënjimet do të kishin dimension tjetër, edhe pritshmëritë do të ishin më racionale, por edhe arsyetimet dhe “vajtimet” do të ishin më të pakta, më të pazëshme.

Rëndom jo rrallë ndodh që të paaftët të kenë më shumë ambicie dhe sukses – ngaqë as që harxhojnë energji për të numëruar dhe analizuar dështimet, e ata që kanë një zotësi të caktuar thuajse e kanë të varur mbi qafë disfatin që një jetë ta çojnë duke hezituar, e që në fund të përfundojnë me rrënkime të cilat nisin me fjalinë “ah sikur…” dhe përfundojnë me … “nuk ishte e shkruar”! E, midis këtyre dy fjalive që pasqyrojnë musguximin dhe dorëzimin, ekzistojnë shumë të mira që na rrethojnë nëse arrijmë me kohë ta kuptojmë se nuk ekziston lumturia e plotë, por ka veç grimca lumturie, çaste që na bëjnë të ndjehemi se kemi jetuar një jetë të mbushur me të gjitha ngjyrat e saj, edhe atëherë kur më dominante ka qenë e bardha dhe e zeza…

Edhe sot kur bie shi, mos e ndjej mungesën e ditëve të verës, as mos iu trishto ardhjes së dimrit. Shiu është pastrim për tokën. Është mundësi që të jesh më gjatë me vetveten dhe të kujtohesh se në këtë jetë kemi ardhur ta arsyetojmë lindjen dhe ta meritojmë vdekjen. Shiu dikuj mund t’ia kujtojë ndonjë puthje që i ka ndryshuar jetën, derisa ti mund të nervozohesh me rrëmujën që e shkakton në komunikacion. Një ditë me shi ndokujt mund t’ia ketë përmbysur jetën duke e ndarë përgjithmonë nga një njeri i familjes, i zemrës, pa shkaktuar vërshime, por duke përmbytur ndjesi.

Andaj, ndjehu me fat nëse pikat e tij mund t’i shohësh prapa xhamit dhe të lëshohesh në kujtimet që mbushin jetën e cila do të ishte e zbrazët nëse nuk do të kishim për çka të ëndërronim dhe nuk do të ishte e plotë nëse s’do ta njihnim edhe shijen e humbjes. Kështu e mbrojmë vetën edhe mos të na “zë e mira” dhe të kujtohemi për ato që kishim vetëm pasi t’i humbasim që më pas një jetë ta çojmë me “ah sikur” dhe “nuk ishte e shkruar”.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme