Lëvizja BESA: E mbështesim kandidatin shqiptar në Kërçovë, por jo edhe koalicionin LSDM-BDI

Lëvizja BESA përmes një komunikate ka përgënjeshtruar akuzat e BDI-së se BESA është kundër kandidatit të partisë së Ahmetit për Komunën e Kërçovës. Nga Lëvizja BESA thonë se i mbështesin shqiptarët, or jo edhe koalicionin LSDM-BDI.

“Pas një publikimi tendencioz të partisë së Maxhar Telekomit, BDI, se gjoja Lëvizja BESA qenka kundër kandidatit të kësaj partie për Komunën e Kërçovës, ku – si rëndom tashmë – janë radhitur edhe një sërë shpifjesh të stilit enverist për përbaltjen e “armiqve të popullit”, Lëvizja BESA dëshiron të sqarojë për opinionin se ne i mbështesim shqiptarët, por jo edhe koalicionin LSDM-BDI. Ky parim vlen edhe për Komunën e Kërçovës”, thuhet në komunikatë.

Nga BESA shtuan se e kanë pranuar ofertën e mërgatës kërçovare për një kandidat të përbashkët dhe, madje, kanë propozuar që ai kandidat të jetë i propozuar nga mërgata dhe të jetë apartiak, por siç thuhet në komunikatë, “BDI-ja – si parti e kapur keq nga forca të tjera – e injoroi propozimin tonë dhe pa asnjë konsultim e propozoi kryetarin e deritanishëm të Komunës së Kërçovës për kandidat edhe në këtë këto zgjedhje. Dhe, pasi që vendosën kokë më vete, pasi që janë bashkuar me LSDM-në kundër partive shqiptare, pasi që nuk e respektuan mërgatën kërçovare, pasi që nuk e morën në konsideratë propozimin tonë, pasi që nuk na konsultuan a jemi edhe ne dakord për propozimin e bërë, pasi që nuk kanë kërkuar mbështetje për këtë kandidat, përsëri dalin si qyqarë e shpifin se BESA nuk e mbështet kandidatin shqiptar. Tipar tipik i agjitpropit enverist. Sidoqoftë, Lëvizja BESA e sqaron opinionin se ajo e mbështet kandidatin shqiptar edhe në Kërçovë dhe shpreh keqardhjen e saj për shkallën e ligësisë në të cilën ka arritur kjo parti”.

Lini Një Koment