LOGOS – A shpërndan 30 mijë libra për mësimdhënësit

LOGOS-A SHPËRNDAN 30.000 LIBRA PËR DITËN E MËSUESIT

Të nderuar përfaqësues të mediave,

Jemi sot këtu para jush për të shpalosur një aktivitet kulturor, i cili realizohet përkitazi me Ditën e Mësuesit Shqiptar – 7 Marsi.

Në të vërtetë, prej nesër do të fillojmë me aktivitetin e shpërndarjes së librave për arsimtarët dhe shkollat shqipe në Maqedoni.

Është SHB “Logos-A” nga Shkup e cila ka vendosur që të gjithë arsimtarëve shqiptarë në Maqedoni t’u dhurojë nga një libër: arsimtarëve shqiptarë ua dhuron dramën e pabotuar deri më tani të Sami Frashërit “Ndërgjegjja”, ndërkaq arsimtareve shqiptare ua dhuron librin “Gratë”, po ashtu nga Sami Frashëri. E bashkë me këto libra SHB “Logos-A” të gjitha shkollave fillore me mësim në gjuhën shqipe ua dhuron edhe nga 150 libra të tjera për bibliotekat e tyre, ku janë përzgjedhur lektyra shkollore, atlase, libra të ilustruara dhe libra të tjera për fëmijë, që në total përbëjnë 30.000 kopje.

Përveç kësaj, edhe Shtëpi Botuese “Shkupi” bën dhurimin e librave për bibliotekat shkollore të 13 shkollave të mesme në gjuhën shqipe në Shkup, kjo nën moton “Shkupi” për Shkupin!”, duke dhuruar me këtë rast 150 libra për secilën bibliotekë shkollore, ndërkaq gjimnazeve të Shkupit nga 300 kopje librash.

Pala e tretë, që ndihmon zhvillimin e këtij aktiviteti, është Lidhja e Arsimtarëve Shqiptarë. Meqë bëhet fjalë për një projekt shpërndarës jo edhe të vogël, dhurimi do të fillojë më 7 Mars dhe do të përfundojë deri në fund të muajit mars! Për shkak të simbolikës, fushata dhuruese e Shtëpisë Botuese “Logos-A” do të fillojë nga Shkolla Fillore “Liria” në Shkup më 7 Mars në orën 9.00, ndërsa fushata dhuruese e Shtëpisë Botuese “Shkupi” fillon po ashtu me 7 Mars, por në orën 17.00, dhe në Gjimnazin “Zef Lush Marku” në Shkup.

Me këtë rast, organizatorët e këtij aktiviteti përfitojnë nga rasti të që të gjithë arsimtarëve shqiptarë t’ua urojnë 7 Marsin dhe t’u dëshirojnë punë të mbarë, duke qenë të bindur se puna e tyre është një mision i lartë kombëtar, për të cilin të gjithë ne si shoqëri u detyrohemi atyre.

Shkup, 06.03.2018

– Nuhi Dardhishta, kryetar i Lidhjes së Arsimtarëve Shqiptarë në Maqedoni
– Adnan Ismaili, drejtor i SHB “Logos-A” – Shkup
– Azam Dauti, drejtor i SHB “Shkupi” – Shkup

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme