Mesiq: Millorad Dodik, Sllobodan Millosheviqi i ri

Sakte.net /e enjte, 08 Shtator 2016  / 17:21

Ish-Presidenti i Kroacisë për Presidentin e Republikës Serbe

Presidenti i etnitetit të Republikës Serbe në Bosnje, Millorad Dodik është Sllobodan Millosheviqi i ri, ndërsa porositë e politikanëve në relacionin Zagreb-Beograd janë tejet të rrezikshme, edhe pse janë rezultat i fushatës parazgjedhore, deklaroi sot ish-Presidenti i Kroacisë, Stipe Mesiq.

Në një intervistë për gazetën beogradase, Allo, Mesiq tha se të gjitha gjërat që ka pasur për ti thënë për Dodikun i ka thënë që moti dhe se prapa atij qëndrimi mbetet edhe sot.
Gazeta vuri në pah se Mesiq më herët ka thënë se Dodiku është Sllobodan Millosheviqi i ri në Ballkan dhe se bashkësia ndërkombëtare nuk duhet të pranojë që Presidenti i Republikës Serbe ekzistencën e Bosnjës ta vë në vazhdimësi në pikëpyetje me kërcënimin nga ana e tij se do të organizojë referendumin për shkëputje të etnitetit të tij nga Bosnja.
I pyetur se a janë mosmarrëveshjet aktuale në relacionin Zagreb-Beograd rezultat i fushatës parazgjedhore, Mesiq konstatoi se ato janë rezultat i fushatës, por shtoi se deklaratat e politikanëve serbë dhe kroatë janë tejet të rrezikshme.

Ai më tutje shtoi se këto mosmarrëveshje janë pjesërisht edhe rezultat i mungesës së gatishmërisë nga ana e politikanëve kryesor për të kuptuar se sa është e rrezikshme prishja afatgjate e marrëdhënieve mes dy vendeve.

Mesiq më tutje tha se nuk beson se Kroacia do të bllokojë rrugëtimin e Serbisë drejtë anëtarësimit në Bashkimin Evropian, duke qartësuar se një bllokadë e tillë nuk do të ishte në interes të Kroacisë./21Media

Lini Një Koment