Mustafa: Më 11 Shtator u sulmua bota demokratike

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, në përvjetorin e 15-të, ka përkujtuar viktimat e sulmeve terroriste në SHBA, të cilat morën jetën e mijëra njerëzve dhe shkaktuan pasoja të tjera të mëdha, njofton kumtesa nga Kryeministria.

Kryeministri Mustafa tha se më 11 shtator 2001 në Nju Jork, në objektin e Pentagonit dhe në Pensilvani, u sulmua bota demokratike dhe vlerat më kulmore të saj.

“Nga atëherë, vende të ndryshme të botës ishin cak i sulmeve terroriste dhe viktima të shumta të pafajshme pësuan nga këto akte barbare. Por, koha po e dëshmon se bota demokratike në krye me SHBA-të, e prirë nga vlerat më të larta humane, është sot më e fortë dhe më e vendosur në përballje me këtë të keqe globale. SHBA-të, populli i saj dhe të gjithë njerëzit e vullnetit të mirë në mbarë botën, përkundër dhimbjes së pamasë, nuk u gjunjëzuan më 11 shtator dhe janë sot më të përkushtuar se kurrë në fuqizimin e vlerave të lirisë, të demokracisë e të mirëqenies, anekënd globit”, ka thënë kryeministri.

Duke shprehur nderimin dhe duke përkujtuar të gjithë viktimat e 11 shtatorit, kryeministri Isa Mustafa, po ashtu, theksoi përkushtimin e plotë të Qeverisë dhe të popullit të Kosovës për të qenë pjesë e angazhimeve të përbashkëta globale, të udhëhequra nga SHBA-të, në luftën kundër terrorizmit dhe të gjitha formave të ekstremizmit të dhunshëm.

Lini Një Koment