Mustafa: Projektligji për Buxhetin procedohet në Kuvend më 31 tetor

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, ka bërë me dije se Qeveria, më 31 tetor, do të procedoj me Projektligjin për buxhetin për vitin 2017, ndërsa thekson se është paraparë një buxhet zhvillimor prej 2 miliardë e një milion euro.

Sipas Mustafës, të hyrat tatimore dhe jotatimore parashihen të jenë 1,725 milion euro, që janë më të mëdha për 91 milionë euro në krahasim me vitin 2016, ose për 380 milionë euro më shumë, në krahasim me fundin e vitit 2014, kur kjo qeveria e koalicionit e filloi qeverisjen.

“Me rëndësi të veçantë është se shpenzimet për investime kapitale parashihen të rriten nga 500 milionë euro sa ishin në vitin 2016 në 750 milionë në vitin 2017, ose për 50%. Këto shpenzime përpos nga buxheti i Kosovës do të financohen edhe nga burimet e jashtme, nga huazimet e brendshme, nga klauzula e investimeve dhe nga mjetet e likuidimit. Këto të hyra do të planifikohen si mundësi e zhvillimit, ndërkaq fillimi i projekteve të caktuara do të ndodhë në momentin kur lirohen, përkatësisht sigurohen mjetet sipas pozicioneve të caktuara”; ka thënë Mustafa, raporton Koha.net.

Kryeministri ka potencuar se ky është buxhet zhvillimor, “që është në harmoni me Programin tonë të përbashkët qeverisës dhe rezultat i një pune të rëndësishme të ministrive të Republikës së Kosovës dhe të Kuvendit”.

Ai u deklaruar se Qeveria do të bëjë përpjekje të mëdha për të përkrahur edhe zhvillimin ekonomik lokal, si dhe infrastrukturën lokale, duke siguruar shpërndarje maksimalisht të drejtë të buxhetit nëpër komuna.

“Ky buxhet zhvillimor vjen si rezultat i konsultave mjaftë të gjata dhe substanciale me Fondin Monetar Ndërkombëtar”, theksoi kryeministri Isa Mustafa në fund.

Lini Një Koment