Njihuni me të gjithë kandidatët e Lëvizjes BESA, nga Bilall Kasami deri tek Asaf Ademi

Kryetari i Lëvizjes BESA, Bilall Kasami do t’i prijë betejës elektorale për zgjedhjet lokale duke e përfaqësuar këtë subjekt politik jo vetëm si njeriu që do të ketë barrën më të rëndë mbi supe lidhur me rezultatet, por do të jetë edhe kandidati i subjektit politik shqiptar më të madh opozitar në Maqedoni për komunën e Tetovës. Në këtë komunë ku përllogaritet të jetojnë rreth 180 mijë banorë, 70% e tyre janë shqiptarë, ndërsa Kasami në sondazhe të ndryshme është favoriti kryesor për ta fituar betejën në këtë komunë kundër kryetares në detyrë, Teuta Arifi nga radhët e BDI – së.

Garë e ashpër pritet të zhvillohet edhe në komunën Çair të Shkupit ku nga Lëvizja BESA beteja i është besuar nënkryetarit të kësaj partie, Zeqirija Ibrahimit. Në këto zgjedhje ky subjekt politik garon për herë të parë, ndërsa Bashkimi Demokratik për Integrim tenton ta fitojë mandatin e katërt me Visar Ganiun. Kjo komunë përllogaritet të ketë rreth 65 mijë banorë, prej të cilëve 57% janë shqiptarë.

Për komunën e Teracës Lëvizja BESA ka zgjedhur të garojë me zëdhënësin e kësaj partie, njëherit mjekun e ri, Amir Elezi. Elezi brenda një kohë të shkurtër me paraqitjet dhe përgatitjen e tij ka përvetësuar baorët e kësaj ane, ndërsa llogaritet si favorit në këtë garë në të cilën llogaritet të jetojnë rreth 24 mijë banorë.

Për komunën e Haraçinës, Lëvizja BESA garën ia ka besuar ekspertit të tekonoligjisë informative, Ali Ismailit, njëherit drejtor i Departamentit të Administratës në këtë subjekt politik. Që tani, në këtë komunë ku përllogaritet se jetojnë rreth 15 mijë banorë, është duke u zhvilluar garë e ashpër midis Ismailit dhe përfaqësueses shqiptare nga radhët e LSDM’së, parti kjo që u imponua në këto treva shqiptare shkaku i dështimeve të shumta të qeverisjes së BDI-së.

Në komunën e Studeniçanit, në krye të garës do të jetë një tjetër mjek nga radhët e Lëvizjes BESA, Rexhep Memeti. Në këtë komunë, me rreth 17 mijë banorë Mehmeti do të sfidojë veten me planprogram të ri për zhvillimin e kësaj komune.

Një prej garave më të nxehta pritet të zhvillohet edhe në komunën e Likovës e cila numëron rreth 27 mijë banorë. Në këtë komunë, Lëvizja BESA garon me anëtarin e kryesisë, Shaban Zendelin.

Gara në Dibër i është besuar Xhemail Çupit i cili brenda një kohe rekord ka mobilizuar dibranët besatarë, ndërsa në komunën e Sarajit, Lëvizja BESA ka përzgjedhur Bashkim Bakiun i cili konsiderohet si njëri prej favoritëve kryesor për të fituar garën në komunën e cila numëron rreth 36 mijë banorë me shumicë dërmuese shqiptare.

Juristi Blerim Sejdiu do të jetë në krye të garës për komunën e Zhelinës, Minur Asani do të garojë në komunën e Bogovinës, Selatin Jusufi në Bërvenicë, Rexhep Rexhepi në Vrapçishtë, Naser Curri në komunën e Butelit, Ismet Qamili në Dollnen, Driton Sulejmani në Kumanovë, Muhamed Curri në Shuto Orizare ndërsa Lavdrim Elmazi është kandidat i Lëvizjes BESA në Strugë.

Një prej befasive që deri më tani ka thyer parashikimet në bazë të matjeve të opinionit është edhe kandidatura e Asaf Ademit në Gostivar, i cili ka dalë të jetë më i pëlqyer se dy kundër kandidatët e tjerë, Nevzat Bejta i BDI – së dhe Arben Travari nga Aleanca për Shqiptarët. Ademi njihet si një prej ekspertëve më të mirë të sektorit të zhvillimit ekonomik lokal, ishte një prej ambasadorëve më të suksesshëm në Maqedoni si dhe kishte udhëhequr me ndërmarrje të rëndësishme dhe të suksesshme./Sakte.net

Lini Një Koment