Olluri: Përgjimet shpërfaqin skenarin e organizuar të PDK’së për të kontrolluar miliona euro

“Rasti i përgjimeve nuk është rast individual sepse shihet që qëndron prapa tij (Adem Grabovcit). Nuk është Thaçi ai që me largimin nga pozita e të parit të PDK’së amnistohet në një farë forme nga veprimet që kanë ndodhur gjatë qeverisjes së tij. Por, nuk është as Veseli ai që mundet të thotë se në atë kohë nuk kam qenë kryetar i PDK’së sepse shihet qartë se qysh një parti e tërë ka qenë mirë e organizuar në kryerjen e punëve për interesa të veta. Grabovci e ka thënë në Kuvend deklaratën e tij sarkastike që “ka hap vende të reja pune”. Por, aty shihet që nuk hapen vende të reja pune, por delegohen njerëz në borde të ndërmarrjeve publike”, shprehet Parim Olluri drejtor i Insajderit derisa argumenton publikimin e përgjimeve në interes publik.

“Në një prej përgjimeve tregohet qartë se si një person i tregon Grabovcit se kjo ndërmarrje i ka tre milionë euro dhe “filan fisteku” nëse dërgohet në këtë pozitë, do ta përcjellë gjendjen financiare. Kjo tregon qartazi se interesi është kontrollimi i miliona eurove dhe kjo nuk ka të bëjë me punësim të militantëve sepse shpeshherë e kanë interpretuar si punësim të miilitantëve që është gjë shumë më e vogël, më e lehtë. Këtu ka të bëjë me një skenar të organizuar partiak të kontrollimit të miliona eurove të ndërmarrjeve publike”, deklaron Olluri.

Sa i përket mundësisë së ndryshimit pushtetit, ai ka thënë se moskonsolidimi i partive opozitare lë pak për të shpresuar, ndërsa është shprehur se krijimi i një partie të re me individë të rinj, mund të jetë një mundësi e mirë.

Olluri, gjithashtu, ka pohuar se së shpejti do të fillojë publikimi i disa përgjimeve të reja të një tjetër zyrtari të lartë dhe të rëndësishëm./Sakte.net

Lini Një Koment