Pacolli takon Bashën dhe Berishën

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme i Republikës së Kosovës,  Behgjet Pacolli, në kuadër të vizitës së tij në Republikën e Shqipërisë ka takuar kryetarin e Parisë Demokratike dhe njëherësh lider i  opozitës,  Lulzim Basha  dhe ish-kryeministrin Sali Berisha.

Në të dyja këto takime është diskutuar lidhur me progresin e arritur në marrëdhëniet  në mes dy vendeve tona, si dhe lidhur me intensifikimin e përpjekjeve të reja nga të dyja anët për të avancuar edhe më tej fuqizimin e marrëdhënieve.

Basha ka shprehur gatishmërinë për të kontribuar në të gjitha proceset nëpër të cilat po kalon Kosova.

Ai gjithashtu, ka theksuar nevojën e thellimit të bashkëpunimit ekonomik mes Kosovës dhe Shqipërisë, si dhe ka kërkuar heqjen e barrierave tregtare si dhe lehtësimin e lëvizjeve kufitare.

Gjatë takimeve me liderin e Partisë Demokratike, Pacolli e ka përkrahur idenë e thellimit të bashkëpunimit ekonomik përmes krijimit të pikave të përbashkëta doganore, sikurse ajo në Durrës si dhe lehtësimin e lëvizjes së lirë të shtetasve nga të dyja anët.

Ndërsa gjatë takimit me ish-kryeministrin Berisha, ky i fundit i ka uruar sukses zëvendëskryeministrit Pacolli për detyrën e re, duke shprehur besimin që ai dhe qeveria e tij do të kenë sukses, veçanërisht në fushën e njohjeve, në të cilën, sipas tij, në dy vitet e fundit ka pasur stagnim.

Lini Një Koment