Paralajmërohen përgjime të reja dhe një mega aferë korruptive nga drejtori i Insajderit (Video)

Drejtori i portalit Insajderi.com, fituesi i çmimeve të shumta gazetareske, Parim Olluri i ftuar në emisionin “Saktë” është përgjigjur lidhur me zhvillimet e fundit në vend që janë krijuar pas publikimit të “Dosjes së shefave” ku dëgjohen përgjimet e ish shefit të grupit parlamentar të PDK – së dhe eksponentëve të lartë të kësaj partie. Ndikimet në borde, punësimet e jashtëligjshme, kontrolli i plotë që ushtrohet nga partia në pushtet në çdo instancë shtetërore, fillimi i hetimeve ndaj Adem Grabovcit, shantazhet dhe sfidat e ekipit të portalit Insajderi.com janë vetëm disa nga temat që janë diskutuar në intervisten “Saktë”, e cila transmetohet të enjten në ora 22:00 në portalin Sakte.net dhe televizionin First Channel.

Po ashtu, Olluri në këtë intervistë paralajmëron edhe hulumtimet e reja që do të zbardhin afera të tjera korruptive. I pyetur nëse pas përfundimit të epizodeve të “Dosja e shefave”, politikanët e tjerë mund të jenë të qetë ngaqë më nuk do të këtë publikim të ndonjë përgjimi tjetër, Olluri ka paralajmëruar “bomba” të reja që do ta trondisin opinionin publik.

“Së shpejti do të publikohet një hulumtim ku do të prezantohen fakte se si një kompani e një familjari të Adem Grabovcit ka fituar tenderë në vlerë prej 600 mijë eurove nga ish Ministria e Transportit në kohën kur Grabovci ishte zëvendësministër në këtë ministri”, paralajmëron autori i shumë tekstëve hulumtuese i cili ka zbardhur edhe aferën e kryeministrit Mustafa me bizneset e djemve të tij, si dhe shpeshherë ka shkruar për bizneset e dyshimta të familjes së presidentit Hashim Thaçi.

Olluri ka paralajmëruar edhe përgjime të reja për një figurë të njohur publike. “Po do të ketë përgjime të reja për një figurë që ka qenë tepër e rëndësishme”, deklaron drejtori i portalit Insajderi, Parim Olluri në intervistën “Saktë”./Sakte.net

Lini Një Koment