Pavlopulos: Maqedonia të ndryshojë emrin e kushtetutën para marrëveshjes

Së pari duhet të bëhet ndryshimi i Kushtetutës dhe pastaj të nënshkruhet marrëveshja mes dy palëve për emrin e Maqedonisë, deklaroi presidenti i Greqisë, Prokopis Pavlopulos pas një takimi me kolegun e tij portugez, Marselo Rebelo de Souza.

Presidenti grek informoi homologun portugez për tri çështjet e hapura në politikën e jashtme greke që janë marrëdhëniet greko-turke, çështja qipriote dhe ajo me Shkupin për emrin.

Ai sqaroi se marrëveshjes së mundshme mes Maqedonisë dhe Greqisë duhet t’i paraprijë ndryshim kushtetues duke theksuar se kjo nuk ishte kërkesë greke, por kërkesë “që ka të bëjë me Bashkimin Europian, legjislacionin europian dhe atë ndërkombëtar”.

Pavlopulos tha se emri duhet të zgjidhet në mënyrën që të respektojë historinë, të drejtën ndërkombëtare dhe ligjet europiane.

”Greqia përkrah perspektivën europiane dhe euroatlantike të Shkupit, por vetëm nëse zgjidhet çështja me emrin, pasi BE nuk është hapësirë për zgjidhjen e mosmarrëveshjeve”, theksoi presidenti grek.

Lini Një Koment