Perëndimi nuk mund ta lë Ballkanin në dorë të Rusisë

Propozimi për t’i ngritur statujë Sllobodan Millosheviqit në Beograd tregon një lojë më të thellë pushtetesh.

Komisioni për emërtimin e rrugëve dhe shesheve në Beograd pritet të vendosë nëse do ta pranojë propozimin për të ngritur një statujë të Milosheviqit në qytet.

Milosheviqi është ish-presidenti i Serbisë, tashmë i vdekur, që udhëhoqi vendin gjatë rënies së Jugosllavisë dhe gjatë luftërave të viteve 1990 në Bosnje dhe Kosovë.

Ky propozim i sjellë nga Partia Socialiste e Milosheviqit, tashmë bashkëqeverisëse me kabinetin në Beograd, tregon shumë për situatën në Serbi e në të gjithë Ballkanin. Për perëndimin, Milosheviqi (i cili vdiq në vitin 2006, teksa gjykohej në Hagë për krime kundër njerëzimit) ishte një kriminel lufte. Për shumë serbë ka qenë jo vetëm aq, por edhe njeriu që çoi vendin drejt varfërimit, izolimit dhe humbjes së territoreve që dikur kishin shumicë serbe.

Të nderosh një njeri si ai duket si pa kuptim. Por shumë serbë e shohin tani si simbol pozitiv të refuzimit të perëndimit, dhe si personi që luftoi për interesat kombëtare të Serbisë.

Unë e kam njohur Milosheviqin më shumë se shumë të huaj të tjerë. E kam takuar disa herë gjatë negociatave për mbylljen e luftës në Bosnje dhe për të parandaluar atë në Kosovë. Ai ishte vërtet drejtues karizmatik. Por çdo analist i paanshëm e ka shumë të vështirë të thotë se rezultatet e arritura prej tij në Serbi dhe në rajon, janë diçka që meritojnë përjetësim në statuja bronzi. Çfarë po ndodh kështu?

Është krijuar një ndasi në rajon që vazhdon nga Beogradi, Sarajeva, Shkupi, e deri në Budapest dhe Varshavë. Ndasia e re është midis atyre që besojnë se mundësitë më të mëdha për zhvillim janë nëpërmjet integrimit me organizatat ndërkombëtare të BE-së dhe NATO-s, të bazuara në rregullat e përbashkëta, dhe midis atyre që i vendosin shpresat te ruajtja e interesave të ngushta rajonale dhe te një interpretim romantik i të shkuarës.

Grupi i fundit kapet me kushtet e pafundme që vendos BE-ja për shtetet që duan të hyjnë në union dhe preferon elasticitetin që ofron modeli rus: qeveri të udhëhequra nga drejtues me dorë të fortë, të mbështetur nga drejtues të tjerë me dorë të fortë, ku korrupsioni mbahet i heshtur dhe ku popullit i krijohen mënyra se si të mahniten nga shovinizmi.

Natyrisht, Moska ka interes të fuqizojë grupin e dytë. Rusia nuk e fsheh faktin që do të bëjnë çdo gjë që kanë në dorë që vendet Ortodokse të ish-Jugosllavisë të mos bashkohen në NATO, por të qëndrojnë pezull midis Greqisë dhe aleatëve të tjerë të NATO-s në veri të Europës. Kjo fshihet pas komploteve për të vrarë ish-presidentin dhe kryeministrin e Malit të Zi, Milo Gjukanoviq; që ai të mos e fuste vendin në NATO në vitin 2016. Kjo fshihet edhe pas përpjekjeve për të mos e lejuar Zoran Zaevin të marrë pushtetin nga nacionalistët pro-rusë të Maqedonisë në vitin 2017. Kjo fshihet edhe pas vardisjes së pafundme që i bëhet Milorad Dodikut, presidentit nacionalist serb të Bosnjës, në Republikën Serbe, i cili kalon më shumë kohë në Moskë, duke pirë çaj me Putinin, sesa në Banja Luka, ku ka selinë e qeverisë, transmeton TCH.

Edhe Shtëpia e Bardhë ka thënë më 14 Mars: “Rusia shpërfill rendin e ligjeve ndërkombëtare duke minuar sovranitetin dhe sigurinë e vendeve të ndryshme nëpër botë, si dhe përpiqet të diskreditojë institucionet dhe proceset demokratike.”

Vlera që ka Milosheviqi për Moskën nuk ka lidhje me faktin që udhëheqja e tij solli diskreditim dhe shkatërrim të Serbisë, por me faktin që ai i ka bërë ballë perëndimit (edhe pse ata që e njihnin e dinin shumë mirë që Ballkani nuk ka pasur politikan më pro-amerikan e më anti-rus se Milosheviqi). Prandaj, statuja e tij në zemër të Beogradit do të jetë halë në sy për serbët pro BE-së dhe frymëzim për mbështetësit e Moskës. Nuk është habi që mbështetësi më i madh i statujës është ministri i jashtëm dhe ish-zëdhënësi i Milosheviqit, Ivica Daçiq, një rusofil i njohur në kabinetin serb, që u dekorua nga homologu i tij rus me medaljen “Urdhri Rus i Miqësisë”, gjatë një vizite në Beograd. Si përgjigje, Daçiqi rikonfirmoi angazhimin për të mos iu bashkuar kurrë sanksioneve kundër Rusisë apo përpjekjeve për të hyrë në NATO.

Ndryshe nga Rusia, që ofron romancë të ngrohtë e pa kushte në Serbi, perëndimi nuk duket aspak i pranishëm. Bashkimi me BE-në përmendet shpesh si një përbindësh që po zmbrapset e që do të zgjidhte problemet e vendeve kandidate, si rritja e ulët ekonomike, papunësia e lartë dhe largimi i të rinjve në emigrim. Kërkesat e pafundme të BE-së që u kërkojnë kandidatëve reforma të dhimbshme para se t’u jepen rezultate me integrimin, nuk po bindin më njeri. Veç kësaj, BE as nuk duket se ka ndonjë plan për rajonin. Duket sikur e ka braktisur, duke e lënë në dorë të Rusisë.

Forcat liberale, të cilat përpiqen të hapen më shumë ndaj të tjerëve, po fitojnë terren vetëm falë identifikimit si europianë që mbizotëron në rajon, edhe pse Europa rrugën sa vjen dhe ua bën më të vështirë. Karizmatiku Zaev ka fituar mbështetje në Maqedoni falë mesazheve progresive dhe anti-nacionaliste për t’u pajtuar me Greqinë, si dhe zotimeve për t’u futur në NATO dhe BE. Edhe brenda partisë së Daçiqit, Sasha Antiq ka shtyrë fort vizionin e një Serbie progresive e rinore, që mban lidhje të mira me perëndimin. Ky qëndrim i ka dhënë miq edhe mes parlamentarëve britanikë, gjë që u pa gjatë një vizite në Britani muajin e shkuar.

Pyetja është se si do të kishin përparuar këto forca nëse vende si Britania dhe SHBA-të të ishin më pak të hutuara me çështjet e brendshme dhe të gjenin kohë e burime për t’u dhënë mbështetje. Kur kam shërbyer në Beograd, në vitet 1990, ndihmuam që të mbahej ndezur flaka e demokracisë edhe gjatë orëve më të errëta të rajonit pikërisht sepse angazhuam burimet e nevojshme. Uashingtoni dhe Londra po bëjnë gabim të madh që po e braktisin këtë pjesë të Europës duke vënë në rrezik gjithë arritjet e deritanishme dhe investimin që është nisur prej kohës. Do të ishte e çuditshme sikur të përjetësohej në bronz njeriu që përfaqëson gjithçka që ne po përpiqeshim ta ndryshonim, dhe kjo vetëm falë neglizhencës tonë.

Nga Ivor Roberts, The Guardian

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme