Qeveria ndryshon sërish kriteret për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ

Sakte.net /e enjte, 08 Shtator 2016  / 09:00 

Qeveria vendosi dje të ndryshojë kriteret për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it. Pas debatit të hapur qysh në nëntorin e vitit të kaluar  për dhënien e dekoratave ish-persekutorëve të komunizmit, të cilët u zbuluan se ishin pjesë e listës së gjatë të veteranëve të luftës, qeveria dhe Ministria e Mbrojtjes deklaruan se do të rishikonin ligjin dhe procedurat për dhënien e statusit.

Në vendimin e djeshëm, ministria e Mbrojtjes, edhe sipas sqarimeve të bëra nga ky dikaster për “GSH”, i ka propozuar qeverisë që tashmë titulli “veteran i luftës” t’i jepet vetëm atij që e vërteton këtë me vendim gjykate të formës së prerë. Po kështu, komisioni qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it do të duhet të mblidhet të paktën një herë në vit.

Në vendimin e ri, në pikën 3 të tij, përcaktohet: “Komisioni qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar dhe stafi teknik i tij, në përjashtim nga sa është thënë në paragrafët e mësipërm, të vazhdojë veprimtarinë e tij, duke u mbledhur, të paktën një herë në vit, për shqyrtimin e kërkesave të personave që e fitojnë statusin e veteranit ose të drejtën për t’u shqyrtuar nga ky komision me vendim gjykate të formës së prerë.

Këto kërkesa, bashkë me vendimin e gjykatës së formës së prerë, adresohen në Ministrinë e Mbrojtjes. Stafi teknik i komisionit qendror për dhënien e statusit ‘Dëshmor i Atdheut’, i përcaktuar në vendimin nr.151, datë 25.4.2002, “Për statusin ‘Dëshmor i Atdheut’”, të ndryshuar, të shërbejë si staf teknik edhe për komisionin qendror për dhënien e statusit të veteranit të LANÇ-it të popullit shqiptar”.

“Përjashtimisht për vitin 2016, komisioni të ngrihet vetëm për shqyrtimin e kërkesave të personave që u është njohur statusi i veteranit me vendim gjykate të formës së prerë”, – thuhet në këtë vendim.

Ndërkohë, në ligjin e vjetër, të cilit i referohet edhe ky vendim, atij të datës 17.11.1994, “Për statusin e veteranit të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar”, thuhej se:

“Statusin e veteranit të luftës e përfitojnë të gjithë shtetasit shqiptarë dhe të huaj, që luftuan kundër pushtuesve nazifashistë dhe bashkëpunëtorëve të tyre që nga 7 prilli i vitit 1939 deri në ditën e çlirimit të Shqipërisë; luftëtarët e inkuadruar në ato njësi të ushtrisë që luftuan jashtë kufijve të atdheut gjer më 9 maj 1945; ata që kanë zhvilluar veprimtari të organizuar në ilegalitet në prapavijë të armikut e në zona të çliruara; kryefamiljarët e atëhershëm të familjeve të njohura si baza të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë; të burgosurit dhe të internuarit në burgjet dhe në kampet nazifashiste, brenda dhe jashtë vendit, si dhe shtetasit shqiptarë që kanë marrë pjesë aktive në luftë kundër nazi-fashizmit në vende të tjera”.

Më pas, në ligjin e vjetër thuhet se; “qenia veteran i Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar vërtetohet me:

a) Librezën e pensionit, ku tregohet shtesa prej 100 lekësh në muaj për pjesëmarrje në luftë.

b) Dokumentin që vërteton zotërimin të paktën të një dekorate të Luftës kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar.

c) Vërtetimin e degës ushtarake të rrethit, të Ministrisë së Mbrojtjes ose të Ministrisë së Rendit për pjesëmarrjen në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë të popullit shqiptar.

d) Vendimin e ish-komiteteve ekzekutive të rretheve, me të cilin veteranit i është njohur dyfishi i kohës së luftës për vjetërsi në punë.

e) Me çdo dokument tjetër zyrtar që vërteton pjesëmarrjen në Luftën kundër pushtuesve nazifashistë”. Kur mungojnë dokumentet e mësipërme, të qenët veteran i Luftës kundër pushtuesve nazifashistë mund të vërtetohet me vendim të Komisionit pranë Ministrisë së Mbrojtjes. Ndërsa tashmë kërkohet vendimi i gjykatës i formës së prerë./Gazeta shqiptare

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme