Rama, grykësit e Kosovës dhe Angela

E premte, 04 Nentor 2016 – Sakte.net   /

Si Shqipëria ashtu Kosova nuk disponojmë me programe të ekonomisë nacionale. As të veçanta e as të përbashkëta. Serbia i ka disa prej tyre, ndërsa konsumatorët kryesorë i ka shqiptarët. Rama bën ndërmarrje me serbët e shqiptarëve u shpërndanë libra të përkthyer?

Ajo që për një kohë u pandeh si insinuatë analistësh duket të jetë politika reale shqiptaro-serbe. Po doli i vërtetë lajmi i djeshëm se: «Kompania beogradase “Hidroteknika – Hidroenergjetike” dhe “Korporata Shqiptare e Energjisë” ( KESH) do bëjnë një konzorcium i cili do të ndërtojë hidrocentrale mbarë botës», atëherë ndryshon shumëçka, respektivisht zbulohen konturet se me ç’ modeli «tentuaka» Angela Merkel të pajtojë të acaruarët ballkanikë brenda kontinentit. Nëse vërtet kjo është ide e saj, atëherë ajo duket të përdorë precedentin historik të pajtimit gjermano-francez brenda kontekstit ballkanik.

Dy vendet, Franca dhe Gjermania, nëpërmjet themelimit të të ashtuquajturit «Montanindustrie» (EGKS, 23. Korrik 1952) të sajuar në formë ndërmarrjeje dhe të njohur si «Plan i Robert Schuman»-it, synonin pajtimin e dy popujve të armiqësuar me shekuj. Iniciativa e njohur kulmoi edhe me ndërtimin e kësaj BE-je që kemi sot.

Pasi Shqipëria dhe Serbia nuk kanë hekur e qymyr – ato, minierat gjenden në Trepçë – dy shtetet do të ndërtojnë hidrocentrale. Të dyja, vende me probleme energjetike e sidomos Shqipëria. Gjendja e hidrocentraleve në këto dy vende nuk është patjetër mall për ta shitur si model nëpër botë. E me energjinë po si me hidrocentralet si ashtu kanë probleme. Tregu botëror në këtë drejtim tashmë gjendet si ashtu nën presionin e paparë të eko-organizatave, të cilat pengojnë industrinë e rëndë, atë klasike në ndërtimin uzinave të energjisë.

Çka mbetet ende brenda këtij aksioni, është aspekti politik, pra ai i pajtimit shqiptaro serb. Paradoksi: këto dy vende (si shtete) mirëpo qëmoti nuk e kanë vrarë njëri tjetrin, nuk kanë pasur luftë. Për çka duhet të pajtohen? Kjo iniciativë do të kishte kuptim po që se Kosova nuk ishte shtet por krahinë e Shqipërisë ose Serbia ta kishte bërë etnocidin në Shqipëri e jo në territorin e Republikës së sotme të Kosovës?

Gabim i Angela Merkel-it apo fitore e Serbisë?

II. STRETEGJA SERBE

Tentimheqja me dhunë e Gjukanoviç-it nga pushteti, sipas analistëve perëndimorë të EJL, bazohet në këto elemente kryesore të viteve të fundit: Podgorica që nga viti 2012 ka nisur një luftë parandaluese të mëblerjes së tokave dhe bregdetit nga oligarkët rusë. Shumë prej tyre janë dëbuar duke lënë pas gërmadha ndërtesash të pambaruara. Në vend të tyre sheikët ndërtojnë portet kryesore dhe kanë blerë fabrikat e duhanit e të ngjashme. Nëpërmjet disa kontratave lehtësuese mallrat tashmë nuk hyjnë siç deri vonë nga Serbia por nga përtejdetit, nga Italia. Pas ndarjes së Malit të Zi nga Serbia firmat shtetërore postjugosllave (kupto: serbe) por edhe ato private në bregdet u detyruan të ikin ose falimentuan. Serbia sot nuk ka asnjë treg atje as politik e as ekonomik. As rusët.

Të vetmin treg që ka Serbia, nëpërmjet të cilit ajo mban gjallë eksportin e saj, me këtë edhe ekonominë, janë Kosova, Shqipëria dhe një pjesë e Bosnjës. E fundit po aq e vogël dhe jogjeneruese në konsum masiv sa edhe Mali i Zi.

Rajonalisht Serbia vetëm me shqiptarët bën tregti dobiprurëse dhe me askënd tjetër. Kjo është arsyeja se pse Vuçiç është aq i interesuar për një «pajtim shqiptaro-serb». Mundësisht duke anashkaluar Kosovën, të cilën nuk donë ta njohë si shtet. Gjersa ekonominë e mban me «armiqtë», sigurinë, shtetin e forcon me «miqtë», me Rusinë ku vazhdimisht bën kontrata për përforcimin e infrastrukturës ushtarake, gjë që si me blerjet e armatimit ashtu edhe me gazin i sjell dobi jo vetëm vetes por edhe Rusisë – ajo vazhdon të mbetet aleati historik dhe më besnik rus në Ballkan.

Konkretisht: Serbia ka arritur që të shndërrohet në bankë absorbuese e subvencioneve europiane dhe tregut rajonal jo në favor të integrimit në BE, por për të përforcuar pozitat e saja dhe të Rusisë në gadishull.

III. PERSPEKTIVA EUROPIANE

BE vetë sa më shumë merr trajtën e një konsorciumi neoliberal për shpëtimin e bankave-shtete nga falimentimet. Politikisht ajo, sidomos me shuarjen e intensitetit pjesëmarrës të britanikëve dhe me Obamën në krye të SHBA-ve, ka nisur të veprojë si një ndërmarrje për menaxhimin dhe hekurosjen e aksioneve politike në favor të shteteve të veçanta e jo si implementuese e ideve të saja bazike tek anëtarët dhe kandidatet e saja. I vetmi kriter i mbijetuar i saj ka mbetur ruajtja e paqes me çdo kusht dhe atë pa marrë parasysh se ajo, paqja, mund të shfrytëzohet si urë për sabotimin e pikërisht të saj nëpërmjet primatëve grykës e luftarakë të Ballkanit.

Nëse vërtet ideja për krijimin e «Montanindustrie»-ve të përbashkëta ballkanike vjen nga BE, respektivisht Angela Merkel atëherë ajo do të ketë shkaktuar paradoksin. Ç’ kuptim do të kishte për raportet franko-gjermane sikur Plani i Shumanit të bëhej nga austriakët dhe francezët apo kombinime të llojit? Pasojat e planit janë edhe më dramatike kur kihet parasysh se Serbia ushtron politikë njëdimensionale për interesa të një pakti krejtësisht tjetër e armiqësor ndaj BE-së.

Kosova vazhdon të mbetet nyje e pazgjidhshme e gadishullit? Po, mirëpo kësaj radhe më shumë për shkaqe të paaftësisë së shteteve shqiptare se sa për fajin e «zylyfgjatëve europianë që dhurojnë tokat e tyre».

IV. EUTANAZIA SHQIPTARE     

Nëpërmjet distributorëve si Devolli, Elkos dhe Gllareva dhe plotë firma tjera të mesme Serbia mban në dorë gjithë tregun kosovar dhe pjesërisht atë shqiptar. Dihet botërisht se Serbia edhe rigjenerimin e depove ushtarake të grurit për kohë lufte e bën duke eksportuar të vjetrat drejt tokave dhe tregjeve shqiptare. Dy shtetet shqiptare nuk japin shenja të disponojnë me programe ekonomish nacionale. Të përbashkëta edhe më hiç. Në këtë drejtim mbledhjet e përbashkëta dalin «dokrra hiri» për «libra humoristikë» për Luginë e Maqedoni.

Programe dhe strategji të tilla si Kroacia, Sllovenia dhe Mali i Zi, i cili orientoi ndërmarrjet e vendit drejt tregjeve tjera, duke i lehtësuar me tatime minimale për shkak transportit më të shtrenjtë që ato bëjnë duke anashkaluar tregun serb, shtetet shqiptare nuk kanë dhe nuk e kanë ndërmend t’i bëjnë. Me përpjekje minimale dhe nëpërmjet Shqipërisë ndërmarrjet kosovare – po mos të ishin prona oligarkësh grykës – do të mundeshin pa problemin më të vogël të lidheshin me Kroacinë, Italinë e nëpërmjet tyre me gjithë botën.

Do të ishte ky acarim dhe izolim i qëllimtë i Serbisë? Po. Por i drejtë dhe i lidhur me kushtin që të njoh shtetin e Kosovës, pa të cilin akt ço paqe është e pamundshme. Do të ishte njëkohësisht edhe detyrimi i Serbisë që mos të mendojë më për raketa dhe pakte ruso – serbe duke ëndërruar në ditën e madhe të rikthimit të Kosovës. Shqiptarët nuk e kanë asnjë arsye të bëhen viktima të shpëtimit të atyre që nuk duan. Më së paku të atyre që i vranë.  Dhe më absurdja: këtë as që ua kërkon kush. E më hiç Angela Merkel. Ajo përdoret si alibi. E bëjnë vetë. Ndoshta se nuk dinë apo nuk duan ndryshe?

Situata kështu siç është dhe del, ideja për krijimin e ndërmarrjeve të përbashkëta mund të jetë edhe e Angela Merkel-it, por jo në këtë formë dhe me këto partnerë. Ky mund të jetë vetëm defekt shqiptar e assesi europian. Ngase ai në kontekst me pajtimin sjell pikërisht të kundërtën. Edi Rama do të mbetet konstruktiv në favor të interesave shqiptare në Ballkan vetëm nëse lajmi që e cituam në fillim nga gazeta «Blic» nuk qëndron, përndryshe shqiptarët vazhdojnë të punojnë për Serbinë e fortë dhe lidere ekonomike dhe ushtarake të Ballkanit kundër gjithë tjerëve. Me këto veprime eutanazike Serbia as që ka ndonjë detyrim të ndërroje politikat e saja. Pse?

Lini Një Koment