Sela: Nuk kthehemi në Qeveri, kemi dinjitet

Në intervistën e së dielës për Radio Evropa e Lirë, kryetari i Aleancës për Shqiptarët, Ziadin Sela shprehu mendimet e tij në lidhje me miratimin e ligjit për përdorimin e gjuhëve,  kohën dhe rrethanat e miratimit dhe mundësinë rikthimit të ASH-së në Qeverinë e Maqedonisë.

Në pyetjen e gazetares se pse ky ligj duke mos qenë pjesë e prioriteteve reformatore është shpejtuar të miratohet dhe ka nxitur reagime të fuqishme në publik, duke u nisur nga mënyra e miratimit të tij, por edhe në lidhje me përmbajtjen e tij, Sela tha se sendet nuk janë ashtu siç mundohet të prezantohen në publik dhe se nuk është e vërtetë që ligji është miratuar pa debat publik, duke shtuar se në vitin 2008 janë sjellë mbi 100 ligje, ndër të cilët edhe ligji për përdorimin e gjuhëve pikërisht nga ana e aktorëve të njejtë politik të cilët tani i kundërvihen ligjit dhe kërkojnë debat publik.

“Ligji për përdorimin e gjuhëve duhet të sillej që në vitin 2004, kur duhej të përmbyllet korniza ligjore e Marrëveshjes së Ohrit, pra kemi vonesë prej 14 vitesh. Ky ligj është shumë i rëndësishëm për popullin shqiptar në Maqedoni dhe mendoj se nuk duhet të ndahet si pjesë e reformave ose jo”, tha Sela.

Si përgjigje për pyetjen nëse ka mundësi të shohim ASH-në përsëri si pjesë e Qeverisë, Sela tha se nuk beson që do të ekzistojë mundësi e tillë, sepse bëhet fjalë për dinjitet.

“Asnjëherë nuk kemi lejuar dikush të tallet me ne, nuk do të lejojmë përsëri. Por, në politkë kurrë nuk ekziston jo, por nga ana tjetër, në rrethana të këtilla jo”, përfundoi Sela.

Lini Një Koment