Serbia e Rusia po ngjallin frikë të qëllimshme në Bosnje para zgjedhjeve

Entiteti autonom serb i Bosnjës po “ngjall frikë të qëllimshme” për të cenuar integritetin e vendit duke organizuar grupe nacionaliste paramilitare dhe duke armatosur në mënyrë të pabarabartë policinë e rajonit, ka thënë ministri i Sigurisë Kombëtare.

Presionet secesioniste në Republikën Serbe, i themeluar si një nga rajonet autonome si pjesë e marrëveshjes së vitit 1995 për t’i dhënë fund luftës së Bosnjës mes serbëve, boshnjakëve dhe kroatëve, është duke ngjall brengë ndërkombëtare për një rikthim të trazirave në Ballkan.

Zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare do të mbahen në nivele federale dhe rajonale në muajin tetor dhe autoritetet serbe të Bosnjës tashmë kanë nisur fushatën me hapa që disa po i shohin si kërcënim ndaj ekuilibrit edhe ashtu fragjil pos-luftarak, transmeton Koha.net.

Në bazë të marrëveshjes për paqe të viteve të ’90-ta që kishte për qëllim të mbante Bosnjën të paprekur, vendi u nda në entitete autonome serbe dhe boshnjako-kroate me një presidencë relativisht të dobët me bazë në Sarajevë.

Dragan Mektiq, ministër i Sigurisë Kombëtare, akuzoi lidershipin Republikës Serbe për nxitje të retorikës nacionaliste dhe për sponsorim të parakalimeve ushtarake për të frikësuar kundërshtarët dhe për të ndikuar në votuesit para zgjedhjeve.

Mektiq është pjesë e bllokut të serbëve të moderuar në qeverinë e koalicionit në Sarajevë por nuk pajtohet me nacionalistët e Republikës Serbe të drejtuar nga Presidenti Milorad Dodik.

“Politika (e RS) është duke u zhvilluar me ngjallje të frikës së qëllimshme; ka një ndjenjë në rritje të pasigurisë. E gjithë kjo po e bën situatën e sigurisë më komplekse”, ka thënë Mektiq gjatë një interviste për Reutersin, transmeton Koha.net.

Paramilitarët serbë e rusë

Në janar, një grup serb i së djathtët ekstreme, liderët e të cilit ishin trajnuar në Rusi, marshuan të armatosur “deri në dhëmbë” gjatë një parade në kryeqytetin rajonal të serbëve të Bosnjës, Banjallukë, dhe njoftuan se do të regjistroheshin si organizatë bamirëse atje.

Mektiq ka thënë po ashtu, duke u thirrur në burime të besueshme, se të rinjtë serbë janë trajnuar ushtarakisht në kampe në Rusi.

Klubi i motoçiklistëve rusë, “Night Wolves” (Ujqit e Natës), ndaj të cilit SHBA ka vënë sanksione për rolin e tij në rebelimin separatist pro-rus në Ukrainë, ka paralajmëruar një turne në Republikën Serbe javën e ardhshme si pjesë e një shtrirjeje përmes Ballkanit.

Mektiq thotë se grupe të tilla besohet se janë angazhuar nga autoritetet e RS-së për të ndihmuar në nxitjen e jotolerancës së jo-serbëve apo serbëve të moderuar para zgjedhjeve të tetorit.

“Ka përpjekje për të manipuluar zgjedhjet në mënyra të ndryshme… së fundmi përmes organizimit të grupeve speciale që ushtrojnë njëfarë presioni fizik ndaj (disa) qytetarëve dhe kështu ata ndihen të rrezikuar dhe nuk dalin për të votuar”, thotë Mektiq, transmeton Koha.net.

“Kjo po praktikohet veçanërisht nga autoritetet e Republikës Serbe… Ata po tentojnë të formojnë një strukturë të para-sigurisë nën mbulesën e një organizate patriotike për ta përdorur atë në përballjet me kundërshtarë”.

Ai tha se “Ujqit e Natës” nuk janë “klub tipik i motoçiklistëve, ata bartin më vete mesazhe të fuqishme politike… Autoritetet (e RS-së) donë t’u japin atyre legjitimitet dhe t’i shfrytëzojnë në një proces zgjedhor”, deklaroi Mektiq, duke cituar raporte se “Ujqit e Natës” kanë planifikuar të hapin zyra në Banjallukë për t’i monitoruar zgjedhjet.

Mektiq tha po ashtu se një blerje e fundit e 2,500 automatikëve nga policia e RS-së është legale por nuk është në proporcion në krahasim me policinë e Federatës boshnjako-kroate të Bosnjës.

“Ata kanë nevojë për armë, është e padiskutueshme kjo, por vihet në dyshim proporcioni. Mund të kenë në duar armë të panevojshme të cilat mund të keqpërdoren në mënyra të ndryshme”.

Ndryshe, të hënën, një zyrtar i lartë amerikan që vizitoi Kosovën, tha se Rusia po planifikon “një rol vazhdimisht e më destruktiv në pjesë të mëdha të Ballkanit për të shpërndarë dezinformata dhe për t’i cenuar institucionet demokratike”.

Ndihmëssekretari i Shtetit Amerikan për Evropë dhe Euro-Azi, Wess Mitchell, i cili është në një turne ballkanik, shtoi: “Kemi qenë të qartë në bisedat tona me rusët dhe nuk është as në interesin e tyre e as në të popullit në këtë rajon”.

Liderë perëndimorë kanë akuzuar Rusinë, aleatin e madh tradicional të Serbisë, se po tenton të shfrytëzojë veprimet e pamjaftueshme të Bashkimit Evropian në Ballkan duke manipuluar ngjarjet politike. Rusia mohon pretendimet e tilla.

Lini Një Koment