Skandal: Ahmet Tmava pa kontratë pune qëndroi zyrtarisht në Kanada bashkë me dy ministra

Ahmet Tmava ligjërisht nuk ka qenë drejtor i përgjithshëm i “Trepçës” që nga 5 shkurti. Atë ditë i ka skaduar kontrata e punës, shkruan AktivPress. Për ministrin e Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, ai nuk do të duhej të paraqitej më në zyrë. Por, Tmava jo vetëm se e ka konsideruar vetën drejtor, por një muaj më pas ai ka realizuar një vizitë të rëndësishme në Kanada, përkrah ministrit Lluka dhe zëvendëskryeministrit Dardan Gashi.Bashkë me ta, ai ka qëndruar në Toronto të Kanadasë, me qëllim që t’i prezantojnë resurset minerare të Kosovës në konventën më të madhe të minierave në botë, PDAC 2018. Në delegacionin zyrtar të Kosovës, pos kësaj tresheje, kanë qenë të përfshirë edhe Azem Rexha dhe Ramiz Krasniqi nga Komisioni për Miniera dhe Minerale. Lluka dhe Gashi janë treguar të kujdesshëm gjatë publikimit të fotografive. Askund nuk shihen bashkë me Tmavën, ndonëse kanë qenë pjesë e të njëjtit delegacion.Prania e Tmavës në delegacion është konfirmuar vetëm me anë të njoftimeve për medie si dhe të disa fotografive të postuara nga njëri prej anëtarëve të delegacionit zyrtar. Pas kthimit në Kosovë, siç merr vesh AktivPress, Tmava kishte vazhduar ta përdorë veturën zyrtare si drejtor i Trepçës, derisa kishin reaguar sindikalistët me kërkesën për t’ia marrë atë. Dhe kështu kishte ndodhur!

Tmava kishte kërkuar edhe qasje në bankë, por këtë ia kishte refuzuar ministri Lluka duke e cilësuar si të kundërligjshme. Lluka e ka dhënë këtë shpjegim ditën kur Tmava ka paraqitur gjoja “dorëheqjen” nga detyra, por nuk ka dhënë shpjegime pse ka pranuar që Tmava të jetë pjesë e delegacionit zyrtar në Kanada.Në njoftimet për media thuhej se Dardan Gashi i shoqëruar nga Ministri i Zhvillimit Ekonomik, Valdrin Lluka, drejtori i Trepçës, Ahmet Tmava dhe zyrtarët më të lartë të KPMM-së, në ditën e parë të Konventës PDAC 2018 kanë mbajtur një prezantim para më shumë se 10 kompani të mëdha, shumica ga Kanadaja, të cilat kanë shprehur interesimin e tyre për investim në sektorin minerar të Kosovës.

Lini Një Koment