Tre variante për ndryshimet statutore në PD. A do guxojë Lulzim Basha?

Kryesia e Partisë Demokratike pritet të shqyrtojë propozimet e sjella për ndryshimet statutore pasdite. Ndonëse nuk ka një projekt final, mësohet se deri më tani në selinë blu ndodhen të paktën tre dokumenta mbi të cilat kryesia do të diskutojë.

Dy prej varianteve të bëra publike janë propozime të disa prej anëtarëve të Kryesisë dhe Këshillit Kombëtar, që njihen si kritikë të Bashës. Edhe mbështetësit e kryetarit të demokratëve kanë gati  një material i cili përmbledh një listë parimesh të cilat do t’i përcillen zyrës ligjore të PD-së më pas t’u draftuar.

Pikëpyetja që ngrihet është nëse në statutin final do të përfshihen disa nga premtimet që kreu i demokratëve Basha ka bërë më herët, mes të cilave edhe ai për shkurtimin e kohëzgjatjes së mandatit të kryetarit në dy vite, nga katër që është aktualisht. Nuk dihet ende nëse në variantin final do të gjejë vend edhe propozimi i kritikëve të Bashës për dorëheqjen e kryetarit kur humbet zgjedhjet, raporton ABC.

Anëtari i kryesisë Gent Malko në platformën e tij propozon që kur kryetari i partisë humbet zgjedhjet, por ka rritje mund të rikandidojë me kushtin që të marrë 2/3-at e votave, e nëse ka rënie të këtij rezultati zgjedhor atëherë përjashtohet nga rikandidimi.

Ndërsa në draft statuin e dy prej anëtarëvë të Këshillit Kombëtar, Kulluri e Harxhi propozohet që nëse partia humbet në zgjedhjet parlamentare më shumë se në ato paraardhëse, apo kur kryetari humbet njëra pas tjetrës dy palë zgjedhje, ai  jep dorëheqje të menjëhershme dhe nuk ka të drejtë rikandidimi.

Por kritikët nisur edhe nga  kontestimi i procesit të rizgjedhjes së Bashës, kërkojnë  gjithashtu edhe votëbesimin e tij në Kuvendin Kombëtar.

Pas diskutimit në kryesinë e Partisë Demokratike propozimet statutore do të përfshihen në një draft të vetëm e do t’i kalojnë Këshillit Kombëtar që pritet të mblidhet  në 20 prill e më pas do të votohen në Kuvendin Kombëtar.

Lini Një Koment