Ushtria e Kosovës brenda 10 viteve

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Me krijimin e infrastrukturës ligjore, Forca e Sigurisë së Kosovës do të kalojë përmes një tranzicioni prej 10 vitesh deri në transformimin e plotë në Forca të Armatosura. Kështu ka deklaruar ministri i Forcës së Sigurisë së Kosovës, Haki Demolli, ndërsa po raportonte para anëtarëve të Komisionit parlamentar për Punë të Jashtme.

Aktualisht, procesi i themelimit të Forcave të Armatosura apo Ushtrisë së Kosovës ka mbetur i bllokuar për shkak të mungesës së përkrahjes nga deputetët serbë në Kuvendin e Kosovës.

Për t’u realizuar ky transformim nevojiten ndryshimet kushtetuese, të cilat nuk mund të bëhen pa mbështetjen me votat e dy të tretave të deputetëve nga radhët e komuniteteve.

Mungesa e kësaj mbështetje, besohet se ka karakterin politik, ngaqë, sipas ministrit Demolli, përfaqësuesit politik nga Lista Serbe nuk kanë paraqitur ndonjë kërkesë specifike, e cila mund të jetë refuzuar dhe më pas të përdoret si shkas për mos përkrahjen e themelimit të Forcave të Armatosura.

Demolli e ka mohuar që përfaqësuesit serbë kanë kërkuar të kenë postin e zëvendëskomandantit të Forcave të Armatosura, apo edhe të formohet ndonjë njësi e veçantë për veriun e Kosovës.

“Unë vërtetë kam dëgjuar në media që është përfolur për dy kërkesa: njëra për zëvendëskomandantin dhe tjetra për një njësi regjionale mono-etnike. Të jeni të bindur që në takimet e tilla nuk kemi pasur kërkesa të tilla”, tha Demolli.

Ministri Demolli tha po ashtu se e përkrah vetëm formën e transformimit të FSK-së në Forca të Armatosura përmes amandamentimit të Kushtetutës dhe jo përmes modifikimit të ligjit aktual. Sipas tij, transformimi do ta respektojnë elementin gjinor, atë shumë-etnik dhe do të zhvillohet duke respektuar standardet e NATO-s .

“Ushtria do të jetë jo voluminoze, por bashkëkohore dhe do të jetë sipas kritereve të NATO-s dhe nuk do të paraqesë asnjë shqetësim në rajon. Do të respektojë elementin gjinor dhe do të jetë multi-etnike. Do të jetë e pajisur me kapacitetet e saj mbrojtëse. Ajo Forcë nuk do të paraqes kërcënime për asnjë vend në rajon”, ka thënë Demolli.

Forcat e Armatosura, ka theksuar ai, do të jenë garantuese dhe kontribuuese të stabilitetit, si në vend ashtu edhe në rajon.

Ndërkohë, deputeti Rexhep Selimi nga radhët e partisë opozitare, Lëvizja Vetëvendosje, i cili mori pjesë në raportimin e ministrit Demolli, tha se në pamundësi të miratimit të ndryshimeve kushtetuese për themelimin e Forcave të Armatosura, Kuvendi dhe Qeveria duhet të këmbëngulin që FSK-ja të ketë një buxhet të mirë dhe stabil, i cili do ta bënte më të lehtë edhe vet fazën e transformimit në të ardhmen.

“Nëse Qeveria dëshiron ta ndihmojë FSK-në, nëse Kuvendi dëshiron ta ndihmojë FSK-në, hajde ta bëjmë hapin e parë, po shkojmë drejt aprovimit të buxhetit, t’ia rrisim buxhetin. Sepse pa buxhet ne kërkojmë kot prej tyre”, tha Selimi.

Kadetët e FSK-së, sipas ministrit Haki Demolli, po shkollohen në SHBA, Britani të Madhe, Gjermani, Turqi, Kroaci e Maqedoni. Po ashtu, sipas tij, për herë të parë KFOR-i ka ftuar kadetët që të marrin pjesë edhe në ushtrime ushtarake.

Pa mbështetjen e dy të tretave të deputetëve të bashkësive pakicë, është e pamundur që të miratohen ndryshimet kushtetuese, të cilat do t’i hapnin rrugë formimit të Forcave të Armatosura të Kosovës.

Formimi i Forcave të Armatosura të Kosovës pritet të prezantohet në Kuvend nga Qeveria, nëpërmjet projektligjit që përcakton ndryshimet e nevojshme ligjore, të cilat do të diktojnë edhe nevojën e ndryshimeve kushtetuese.

Forcat e Armatosura të Kosovës do të jenë pasardhëse të Forcave të Sigurisë së Kosovës, të cilat kanë më shumë kompetenca të ndërhyrjeve emergjente sesa ushtarake. (REL)

Lini Një Koment