Vallja rrëfimore e Kim Mehmetit

Nga Agim Baçi

Te Kim Mehmeti koha i paraprin kuptimit të mendimeve, e më pas edhe thurjes së ëndrrës. Ai përshkruan përmes një “magjie realiste”- magjike sepse e di vetëm ai përshkrimin, rrugëtimin dhe kohën që i duhet, por njëkohësisht edhe realiste sepse nuk e shmang kurrë atë që na duhet ta shohim për të kuptuar njeriun përballë dhe atë që na thërret. Veshjet dhe muzika e fjalëve është e tija dhe të gjitha ngjashmëritë me botën e madhe të rrëfimit janë për shkak se njeriu i tij është edhe njeriu i botës, se pleqtë e fshatit të tij kanë jetuar kudo – herë me mendje e herë me ecje- por ama kanë imagjinatën për të mbërritur në burimin e duhur ku i duhet të freskohen me ndjesitë e gjërave që i rrok syri, e të ndalojnë dhe të kërkojnë njeriun tjetër, të cilin e kërkojnë për udhë.

“Fshati poetik” i Kim Mehmetit është një fshat magjepsës, ku edhe nëse dëshirojmë që të largohemi nga aty, nuk do të mund të harrojmë asgjë, madje kur ato gjëra nuk duam që të na ndodhin. Qëndisma e tij letrare prej rrëfimtari gërsheton kohën individuale përmes kujtesës kolektive. Një telajo fjalësh të josh imagjinatën, ndërsa Fati ngre dorën lart për të rrëfyer se, kudoqofsh, ti je veç pjesë e udhës që të është caktuar.

Nëse do ta lexonim prozën e Kim Mehmetit sipas Italo Kalvinos, pra përmes të Lehtës dhe të Rëndës (Italo Calvino, Leksione Amerikane, Dituria 2011, Tiranë) do të kuptonim se ajo që mbartim ne nga e shkuara jonë dhe e paraardhësve është e rëndë, e për pasojë ne nuk e zhdukim dot. Çelësi i vetëm që vlen të përdorim është që të mundohemi ta kuptojmë të shkuarën. Ndaj, pothuajse të gjithë personazhet e Mehmetit, edhe pse nuk pranojnë fatalitetin, ata dinë të jenë banorë të qetë të fatit të tyre. Kjo është njëkohësisht lehtësia e jetesës së imazhit të tyre. Mënyra se si gërshetohen e lehta dhe e rënda në këtë prozë përbën edhe urën nga realja te magjikja, ashtu siç do të kalonin në mbrëmje fqinjët tek shtëpia e njërit tjetrit, sepse në “atë mëhallë poetike”, kufijtë nuk janë të tokës, as të kohës, por vetëm të njeriut dhe njerëzores.

Makondoja shqiptare” që ndërton Kim Mehmeti të jep të gjitha hapësirat e leximit, ashtu siç është vetë fshati, i rrokshëm por edhe i pamatë, pa hyrje dhe dalje të qarta, por i arritshëm për syrin, e aq më shumë për imagjinatën. Nën mbretërimin e narratives Kim Mehmeti i krijon hapësirë rrëfimit dhe personazhit, duke ditur të ndalet kur dëshiron ai, sipas stilit që veç ai di ta thurë. Për të si rrëfimtar, fabula është thjesht kosherja, ku më pas ai mbledh bletët e ndjesive për të ndërtuar gjithë lëndën e tij stilistike. Nuk ka rëndësi mosha e askujt që nis udhën nga pena e tij. Ai e pleqëron edhe më të riun siç merr në gaz të moshuarin. Eshtë njësh me natyrën, e njëkohësisht në fluturim, ashtu mes kullës dhe livadhit, mes oxhakut ku ka hiearki dhe fushës së gjerë nga ku nuk shënjohet asnjë rrugë, e ku do të duhet të krijosh vetë një shteg për të patur rrugën tënde.

E në fakt, nuk ka fshat të dytë për Kim Mehmetin, por është një fshat i dëshiruar, sepse ka kohën dhe mungesën e saj, fuqinë e gruas dhe mohimin e saj, pushtetin e burrit dhe heshtjen e tij, ka Livadhin e Djemve ku vajzat janë në kërkim të një Loti. Sepse te Mehmeti Loti dhe Buzëqeshja janë dy kufijtë e Njeriut, kudoqoftë e kurdoqoftë ai. Sepse të gjithë kemi nevojë për “Makondon” tonë.Dhe Kim Mehmeti nuk gjykon por bashkudhëton, si një fëmijë i kapur përdore me njerëzoren, por duke hedhur vallen e tij. Arsyet e fundit dhe fillimit të Njeriut, të mungesës së gjuhës dhe të kibernetikës, mund të hyjnë në atë fshat e të gjejnë gjithçka, sidomos pëlhurën e ndjesive njerëzore të bartura nën përkundjen e urimit për të ndodhur ajo që kemi dashur.

Proza e Kim Mehmetit ka vend edhe për të dy versionet që sugjeron në një lexim Umberto Eko, mes konvergjencës dhe divergjencës. Personazhet e “fshatit të tij” të lënë mundësinë të bashkudhëtosh, por edhe të jesh ai që i kundërshton të tilla vendime. Me prozën e Mehmetit mund t’ia dorëzosh imagjinatën tënde autorit dhe ta lësh vetveten të kapërcejë kufirin e së mundshmes, ashtu siç mund të nisësh edhe një lexim divergjent. Në një stil që autori tenton ta kontrollojë përmes një gjuhe që shtigjet ia ngre vetë ai, divergjenca me të është më pak e vështirë se konvergjenca. Por në një mendje me Jauss-in,- duke i dhënë prioritet horizonit tënd të kuptimit dhe autoritetit si lexues-, atëherë ky udhëtim në prozën e tij kërkon këmbëngulje. Ai të fton dhe të hap dyert, por je vetëm ti që do të vendosësh për hapat, për zërat, dhe për vallen rrëfimore që do të mund të ndjekësh.

Në shtigjet e shkrimit të tij ka gjithnjë vend për detaje, që qëndrojnë si tregim më vete, ose bazë e një romani të rëndësishëm për dikë që di të sendërtojë imagjinatë në rrjedhën e një rrëkeje të hollë ndjesish që jep Kim Mehmeti. Perceptimi i prozës së tij është një vrap i dëshirueshëm për të njohur dhe kuptuar botën. Kjo edhe për faktin se teksti i tij, i mbështetur në truallin e baladës me formatin “kohë pa kohë dhe vend pa vendi”, jep mundësinë që ta lexosh jo vetëm në Prishtinë, Tiranë e Shkup me të “njëjtat syze”, por edhe në një gjuhë a në një vend tjetër. Fshati që ndërton Mehmeti është fshati ynë, i të gjithëve, të cilën mund ta jetojnë dhe migrojnë lexues nga e gjithë “mëhalla botërore”, sepse edhe proza e tij fle e zgjohet rreth të gjitha portave, edhe në qoftë se ato porta fshehin pas vetes ndërtesa shumëkatëshe.

Kim Mehmeti është një zë që bart baladën, poezinë, realen dhe magjiken e hapësirës shqiptare, e njëkohësisht e ngjyen imagjinatën e tij artistike me përmendoren e përjetshme pas së cilës rrotullohet letërsia: me Njeriun! Kim Mehmeti, nëse do t’i referohemi Todorovit (Poetika e Prozës, botim i Panteon, botim 2000, f.68 ), ka arritur të gjejë edhe “Gralin e tij poetik”, duke e hedhur personazhin e tij përpara rrotës së fatit, por jo si viktimë, por për të ecur me të vrullshëm, një ecje që i jep kurajë njeriut që t’ia arrijë atje ku i duhet, pa iu sosur ditët. Sepse te ai, njeriu nuk ka nevojë të numërojë vitet, por vetëm ditët me kuptim, vetëm ditët që ai u jep emër. Madje as gratë shtatzëna nuk “përfillin” nëntë muajt e zakonshëm për të sjellë një jetë të re, por janë gjithë sy e veshë për këngën e zogut që do t’i shkojë zërit të fëmijës së tyre, bashkë me lëvizjen e portës, hënën e re apo yllin që bie ngjitur me çatinë e madhe që fsheh puthjet dhe zënkat.

Kjo lëndinë rrëfimore, me të gjitha ngjyrat dhe gjurmët që lë koha, e bën Kim Mehmetin të veçantë si rrëfyes, duke qenë ndoshta përfaqësuesi më tipik i realizmit magjik në brezin e vet mes shqipshkruesve.

Në rrethin e rrëfimeve që tjerr, Kim Mehmeti është qendra dhe skajet, duke të fuar të rrotullohesh e rrotullohesh, duke besuar se autori ka gjithë forcën të të mbajë gjatë, të të rrokë përdore për të treguar herë si një plak që ka shumë për të të mësuar, e herë si një fëmijë që ka shumë pyetje për të të ngritur. Eshtë një valle që  kërkon ritmin e këmbëve të kombinuar me zemrën. Mendja duhet t’i bashkohet këtij rendi e të hapë dritaret për ta ndërtuar gërmë pas gërme atë që kërkon të shohë e të arrijë. Eshtë një muzikë- një muzikë që ka i ka rrënjët në dëshirën e njeriut për t’iu bashkangjitur hapave që vijnë nga larg e njëkohësisht që shkojnë larg. Sepse çdo hapje qepalle është një lidhje më shumë me atë që nuk shmangim dot, e njëkohësisht një shpresë se kemi ç’të shohim për ta arritur edhe ne.

më të fundit

MARKETING

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme

më shumë

- Advertisement -Newspaper WordPress Theme