Vrau vëllain, nusen shtatzënë dhe djalin e tyre 2 vjeç, jepet vendimi për autorin nga Kuçova

Gjykatave në Shqipëri u janë dashur plotë 12 vitet për të dhënë vendimin për Luan Marën, i cili është akuzuar për masakrën e 10 shkurtit të 2006, ku vrau vëllain, nusen e tij shtatzënë dhe djalin e tyre.

Gjykata e Beratit e ka dënuar me burgim të përjetshëm, duke e shpallur atë për vrasje dhe armëmbajtje pa leje.

Krimi i katërfishtë, pas dyshimeve për tradhti

Krimi i katërfishtë ndodhi më 10 shkurt 2006. Shpëtim Mara, me gruan shtatzënë në kohën kur ndodhi ngjarja dhe djalin 2-vjeçar, u gjetën të vdekur në banesën e tyre, në fshatin Kozare, pasi ishin vrarë gjatë natës. Sipas versionit të Prokurorisë, një ditë para ngjarjes, më 9 shkurt 2006, rreth orës 19:00, Shpëtim Mara shkoi për një vizitë te vëllai i tij, Iliri, me gruan dhe djalin 2 vjeç.

Rreth orës 21:00 ata janë rikthyer në banesën e tyre. Në këtë kohë, në banesën e Shpëtim Marës ka shkuar vëllai i tij, Luani, i cili sipas Prokurorisë donte të sqaronte një debat mes tij dhe Shpëtimit. Mendohet se dy vëllezërit kanë debatuar në prani të gruas së Shpëtim Marës dhe djalit 2-vjeçar.

Shkak i debatit ka qenë dyshimi se Luan Mara ka pasur marrëdhënie intime me gruan e të vëllait, në kohën kur Shpëtimi ndodhej emigrant në Greqi. Pasi janë përleshur, Luan Mara është larguar, por më vonë është kthyer në banesën e të vëllait i armatosur. Shpëtim Mara, gruaja e tij dhe djali 2-vjeçar kanë qenë pranë sobës kur janë qëlluar me breshëri arme. Viktimat u gjetën pa jetë të nesërmen në mëngjes.

 

Lini Një Koment