Vuçiq: Brukseli të mos nxitojë me dialogun

E martë 01 Nëntor 2016 – Sakte.net

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq i ka dërguar porosi ndërmjetësve të dialogut Prishtinë –Beograd, duke u thënë se Brukseli nuk mund t’i zgjidhë problemet me një telefonatë. Ai ka thënë se për këtë duhet ndryshim mentaliteti pasi dy palët njëra-tjetrën e kanë konsideruar më të ulët si racë. Madje, Vuçiq në Hamburg paksa është shafqur edhe arrogant, duke thënë se “pse jeni nervozë dhe pse po nxitoni për dialogun”

 

Kryeministri i Serbisë Aleksandar Vuçiq gjatë një prezantimi në një klub biznesor të martën në Hamburg të Gjermanisë, është pyetur edhe për bisedimet ndërmjet Serbisë dhe Kosovës. Ai ka thënë se shumë njerëz në Perëndim janë nervozë në lidhje me këto bisedime.

“Nuk e di pse, pasi në duhet të bisedojmë me njëri –tjetrin dhe t`i zgjidhim problemet, çka edhe po bëjmë” ka thënë Vuçiq.

“Pse dikush po nxiton kaq shumë dhe po do ta shpejtojë procesin” ka pyetur ai.

Vuçiq, më pas ka thënë se kushtëzimi i dy palëve në bisedime me hapjen e kapitujve apo me liberalizimin e vizave, nuk është zgjidhje, pasi në këtë mënyrë po krijohet një atmosferë më e keqe në Beograd dhe në Prishtinë.

Sipas tij, debati ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve është duke zgjatur për një kohë të gjatë, dhe nuk mund të mbyllet me zgjidhje burokratike, por me ndryshimin e mentalitetit.

“Njerëzit në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë duhet ta kuptojnë këtë process, kjo mund ta ndryshojë brenda 48 orëve nëse ju thërret dikush nga Brukseli për t’ju thënë se gjithçka duhet të zgjidhni brenda 72 orëve, që të mos përballeni me sanksione” ka thënë Vuçiq.

Ai më pas ka folur edhe për barrikadën mbi Ibër.

“Kemi bërë diçka në urën mbi Ibër, por këtë askush nuk e hetoi, sepse të gjithë janë nervozë. Pse janë njerëzit nga Hamburgu më nervozë se serbët e Veriut të Mitrovicës dhe shqiptarët në jug” ka thënë Vuçiq.

“Nuk do ta pranojmë pavarësinë e Kosovës, por mentaliteti ynë duhet të ndryshojë sikure dhe mentaliteti i shqiptarëve të Kosobvës, por ky është një proces e jo një vendim i burokratëve” ka thënë Vuçiq.

Ai ka thënë se më herët serbët dhe shqiptarët kanë menduar më të keqen për njëri-tjetrin, madje sipas tij, shqiptarët kanë menduar se janë racë më superiore se serbët dhe anasjelltas.

“Mund të them se kurrë nuk do të jem më sharmant se Edi Rama, por jemi njerëz të njëjtë. Edhe populli në Beograd, Prishtinë dhe Tiranë duhet ta kuptojnë këtë, por kjo është një proces.”

Lini Një Koment